Pasolini: në Ardhje, të rizbulojmë besimin tek Zoti e të tjerët, për të ringjallur shpresën
R.SH. – Vatikan
Në një epokë të karakterizuar nga prirja kolektive drejt egoizmit, a mund të flasim për besim? E, në çastet e vështira të jetës, në ato çaste vendimtare në të cilat kemi frikë se mos humbasim diçka jashtëzakonisht të rëndësishme, a mund t'i besojmë ende diçkaje apo dikujt? Këto janë pyetjet themelore, në qendër të meditimit të dytë të Ardhjes, mbajtur sot në Sallën Pali VI, në Vatikan, nga atë Roberto Pasolini, françeskan kapuçin, predikatar i Shtëpisë Papnore, para Papës Françesku dhe Kuries Romake. Tema e zgjedhur për të tria reflektimet është “Portat e shpresës. Drejt hapjes së Vitit Shenjt përmes profecisë së Krishtlindjes”.
Besimi, themel i marrëdhënieve njerëzore
Pas meditimit të parë të datës 6 dhjetor, kushtuar "Portës së mahnitjes", sot, atë Pasolini ftoi të kalojmë nëpër “Portën e besimit". Besimi është qëndrim themelor, që i mbështet marrëdhëniet njerëzore, - nënvizoi ai - ushqen guximin në përballimin e sfidave të përditshme dhe e hap vështrimin drejt së ardhmes. Besimi nuk është optimizëm naiv, – vijoi predikatari - por një qëndrim i guximshëm, që lind nga një botëkuptim i gjerë mbi realitetin, duke e mbajtur gjallë shpresën edhe në çastet më të vështira.
Mbreti i Judës, Akazi
Si dëshmi për këtë, atë Pasolini përmendi tri figura: mbretin e Judës Akaz, një centurion anonim romak dhe Shën Jozefin. I pari është monarku, i cili, gjatë luftës siro-efraimite, nuk i beson Zotit dhe, në vend që të qëndrojë i palëkundur në Jerusalem, siç i tha Isaia profet, preferon të bashkohet me Asirinë, duke përfunduar si vasal i saj. Por Hyji nuk e largon vështrimin prej tij, përkundrazi: mosbesimi i mbretit i hap rrugën profecisë së Emanuelit: "Virgjëra do të mbesë shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilin do ta quajë Emanuel” (Is 7,9). Zoti, komentoi atë Pasolini, e respekton lirinë tonë, por edhe kur largohemi prej tij, vijon të këtë besim se, si bij të Tij, do të kthehemi sërish.
Centurioni romak
Figura e dytë e përmendur nga predikatari ishte centurioni anonim i ushtrisë romake, i përshkruar në Ungjillin sipas Lukës: pavarësisht se pagan, vendos t'i besojë Jezus Krishtit dhe i kërkon ta shërojë shërbëtorin e tij të sëmurë. E tija është fraza e njohur e liturgjisë: “O Zot, nuk jam i denjë të marr pjesë në tryezën tënde, por thuaj një fjalë të vetme dhe do të shpëtoj". Centurioni, që beson edhe kur nuk mungojnë vështirësitë, është simbol i një njerëzimi "të pastër në shpirt, të hapur, të shëndetshëm, të dukshëm"; është "kujtesë për ne dhe për udhët tona të fesë", duke na nxitur të mos mbyllemi në vetvete e në egoizmin tonë.
Shën Jozefi, ikonë e besimit
Më pas, frati kapuçin u përqendrua te Shën Jozefi - të cilit Papa Françesku i kushtoi Letrën Apostolike “Patris Corde” - duke e quajtur "ikonë besimi", pasi e riorganizon jetën jo duke u nisur nga nevojat e veta, por nga rrethanat në të cilat e vë Hyji. Ndonëse i çorientuar nga shtatzënia e papritur e Marisë, ai nuk ikën, por bëhet mbroje e më të brishtëve: Virgjërës dhe fëmijës. Ky është mësim edhe për ne, vërejti frati kapuçin, kur ndodhemi në situata të vështira, veprimi më i drejtë nuk është të bëjmë ç’është e mundur për të mos e pasur më bezdinë, që na shqetëson, por të ndryshojmë vetveten mbi bazën e nevojave të njerëzve, që kemi pranë. Zoti do të na e ndezë gjithnjë një dritë e do të na prijë.
Ta përqafojmë realitetin, me besim në Zotin
Në Kohën e Ardhjes, përfundoi atë Pasolini, Hyji na fton ta kalojmë atë "portë besimi" të treguar nga profetët, nga centurioni romak dhe nga Shën Jozefi, sepse vetëm duke e orientuar shikimin drejt Zotit dhe duke rizbuluar besimin tek Ai, tek vetja dhe tek të tjerët, do të jemi në gjendje të "shohim të mirën rreth nesh" dhe "ta përqafojmë realitetin, edhe kur ai është i vështirë, duke u përpjekur t’i ndryshojmë zemrat", duke kuptuar se ai realitet mund të jetë "hapësirë lumturie, sepse është vendi ku Zoti ka zgjedhur të jetë me ne, përgjithmonë”.