Skena e Lindjes së Jezusit vepër e Arnolfo di Cambio Skena e Lindjes së Jezusit vepër e Arnolfo di Cambio

Shën Maria e Madhe hap thesare të reja arti e feje

Nga 12 dhjetori 2024 dhomat e reja të kompleksit muzeal Liberian do të jenë të hapura për publikun. Tri i kushtohen historisë së Bazilikës, që konsiderohet si Betlehemi i Perëndimit, mrekullisë që lidhet me themelin - reshjet e famshme të borës në gusht 358 - dhe simbolit të ikonës së përkushtimit romak, Salus Populi Romani. Kardinali Makrickas, Kryeprifti-ndihmës: "Të shikojmë nga e ardhmja, ta kalojmë Derën Shenjte, për të takuar botën e re në praninë e Hyjit, në shoqëri me Nënën e Zotit"

R.SH. / Vatikan

Virgjëra Mari quhet Porta e Qiellit ndaj nuk duket rastësi që hapja e një muzeu të ri, në një vend kaq të rrënjosur në emrin e saj, bëhet vetëm pak ditë para fillimit të Jubileut dhe hapjes së Derës Shenjte. Që më 12 dhjetor, dhomat e reja të ekspozitës së Qendrës Muzeale Liberiane të Bazilikës Papnore të Santa Maria Maggiore janë të hapura për publikun. Ceremonia e bekimit dhe inaugurimit u zhvillua pikërisht më 12 dhjetor, e kryesuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin. Përurimi i muzeut të ri ndjek programin e nisur tashmë me hapjen e Lozhës dhe hyrjen në kupolë të Bazilikës, që ofron shijimin e pamjes nga kodra më e lartë në Romë.

Një udhë e ndritur

Pasi kapërcen lozhën e mrekullueshme të shekullit të tetëmbëdhjetë, projektuar nga Ferdinando Fuga, me mozaikët e shekullit të katërmbëdhjetë nga Filippo Rusuti, hapur në sheshin e fasadës, pothuajse ballë për ballë me Virgjërën që ngrihet lart në kolonën e paqes dhe pas shkallëve të veçanta krijuar nga Bernini njëzet vjeçar, hyn në Sallën e Papëve dhe, prej këtu, në tri dhomat intime të muzeut, vazhdimësia e të cilave shënon tri pikat themelore që karakterizojnë ndërtesën shenjte: themeli i bazilikës, i dëshiruar nga Papa Liberius pas një reshje bore të jashtëzakonshme që ndodhi natën ndërmjet 4 dhe 5 gusht 358 pas Krishtit, identiteti i tij si Betlehemi i ri dhe më në fund Salus Populi Romani, ikona e Virgjrës Mari e nderuar thellësisht nga romakët dhe mbarë bota.

Vepra, që kthehen në vendin e origjinës

Kryeprifti ndihmës i Bazilikës papnore të Shën Marisë së Madhe, Kardinali Rolandas Makrickas, vë në dukje se si ky vend ofron kushtet më të mira për ruajtjen e veprave të artit të krijuara për Bazilikën, aq sa dy vepra punuar në kanavacë nga Jacopo Zucchi, në shekullin i 16-të, Proçesioni i Gregorit të Madh me "Salus Populi Romani" dhe "Mrekullia e borës", u kthyen këtu nga Muzetë e Vatikanit. E njëjta ikonografi përsëritet në tavanet e dhomave, me të njëjtat subjekte, vepra të Baldassare Croce, në kohën e Palit V, duke kompozuar së bashku një dialog formash dhe ngjyrash.

Jacopo Zucchi, mrekullia e dëborës
Jacopo Zucchi, mrekullia e dëborës

Betlehemi i Perëndimit

Dhoma e parë e ndriçuar nga drita e grupit të mermerit nga Arnolfo di Cambio, skena e parë skulpturore e lindjes së Krishtit në histori, vepër e vitit 1291 e porositur nga Papa i parë françeskan, Nikolla IV; pak më pas, skena e gjallë, e krijuar nga Shën Françesku në Greccio, aq e famshme, sa të përmendet nga Vasari. Ekrani i ri, i mbrojtur nga një dritare xhami, ju lejon të ecni përreth dhe të vlerësoni edhe detajet më të vogla: fytyrën e Marisë Virgjër, e cila tashmë duket se parashikon artin klasik, që do të lindë në shekujt në vijim, sythat ose frutat e vegjël të mbërthyer, dorën njomzake të Jezusit Fëmijë dhe shprehjet e mrekulluara të fytyrave të Mbretërve dhe të Jozefit. Mënjanë, kau dhe gomari, figura që do të bëheshin të pashmangshme në të gjitha skenat e lindjes.

Në dhomë është ekspozuar edhe zhguni i Shën Jeronimit, shembull i rrallë pëlhure që ndoshta daton në shekullin e 13-të, d.m.th., periudha e mbartjes së trupit të shenjtit nga Betlehemi - në Romë, dhe periudha e kryerjes të skenës së lindjes, nga Arnolfi.

Mrekullia e dëborës
Mrekullia e dëborës

Mrekullia e dëborës

Dhoma e dytë i kushtohet mrekullisë së borës dhe, përveç kanavacës së Zucchit, të përmendur tashmë, ka edhe piktura të tjera të rikthyera në Bazilikë, nga Muzetë e Vatikanit, si "Shko në Kalvar", nga Giovanni Antonio Bazzi, i njohur si Sodoma, dhe "Zoja me Foshnjen dhe shenjtorët" nga Domenico Beccafumi.

Salus Populi Romani

Salla e fundit i kushtohet Salus Populi Romani, një ikone bizantine, që i atribuohet tradicionalisht Shën Lukës, relikuari i argjendtë i krahut të të cilit është ekspozuar në të njëjtën dhomë, pranë dhurimeve të Papëve për Virgjërën, si relikuari dhe mbulesa prej argjendi, kurora me xhevahire të dhuruara nga Gregori XVI dhe Piu XII. Kardinali Rolandas Makrickas shpjegon: “Në fillim ikona e Salus Populi Romani ishte vendosur në një edikul në qendër të Bazilikës, së bashku me të tjerat që ruanin reliket e Kryqit Shenjt të Jeruzalemit.

Me vullnetin e Papës Pali V, u ndërtua një Kishëz e veçantë, e quajtur më vonë Paolina ose Borghese, ku do të ruhej vetëm kjo ikonë, kjo relike e sjellë nga Jeruzalemi. Virgjëra Mari, që në Kapelë mbahet nga katër engjëj, nxjerr në pah kuptimin e saj si shtegtare, duke zbritur nga qielli dhe më pas nëpër rrugë, për të takuar besimtarët dhe për të treguar shtigjet që të çojnë te Zoti. Edhe legjenda, sipas së cilës është pikturuar nga ungjilltari Luka, e përforcon këtë ndjenjë të përshpirtërisë”. Siç dihet, Papa Françesku është veçanërisht i devoçëm i kësaj ikone, para së cilës lutet - kur viziton bazilikën - në fillim dhe në fund të shtegtimeve të tij apostolike.

Papa Françesku lutet para Salus Populi Romani në kapelën e Pauline
Papa Françesku lutet para Salus Populi Romani në kapelën e Pauline

Një bazilikë jubilare

Santa Maria Maggiore është një nga katër Bazilikat kryesore të Romës dhe përfshihet ndër ato jubilare që nga viti 1390. Kardinali Makrickas saktëson se "kjo Bazilikë është jubilare par excellence, për shkak të pranisë së ikonës  Salus Populi Romani e cila tërheq shumë njerëz që vijnë të luten si Papa Françesku. Sepse kjo Kapelë, me figurën e Zojës Mari dhe të Krishtit Fëmijë, është veçanërisht e dashur për të, ndaj shpesh ndalohet përballë ikonës për të kërkuar mbrojtjen e Marisë.

Përveç kësaj, në Bazilikë ka edhe shumë relike të tjera! Para së gjithash, djepi shenjt, një relike e mirëdokumentuar e sjellë nga Betlehemi, që përfaqëson vendin ku u vendos trupi i Jezusit menjëherë pas lindjes, aq sa mund të themi se shtëpia e parë e Jezusit ndodhet pikërisht këtu: nga ky vend, nga ky grazhd i djepit shenjt, nisi krishterimi.

Me këtë Jubile ne kremtojmë, kujtojmë rrjedhen e kohës e, sidomos, se në këtë vend nisëm të numërojmë vitet e krishtera. Kështu duke kremtuar Vitin Shenjt, edhe ne shikojmë kohën tonë, shikojmë drejt së ardhmes, kalojmë Derën e Shenjtë për të takuar botën e re në praninë e Zotit, shoqëruar nga Nëna e Atij të Lumit”- përfundon kryeprifti- ndihmës i Bazilikës papnore.

 

17 dhjetor 2024, 09:48