Papa Françesku hap Jubileun e 2015 Papa Françesku hap Jubileun e 2015

Shtegtim nëpër Jubilejtë, përmes bulave të shpalljes

Po përshkojmë, duke nisur nga agimi i shekullit të njëzetë, historinë e botës e atë të Kishës, përmes dokumenteve papnore, që tregojnë, ndërmjet tjerash, datat e fillimit dhe të mbarimit të Vitit Shenjt.

R.SH. / Vatikan

Udha e Jubileut, që nga zanafilla e saj në vitin 1300, është shteg që përshkohet nëpër rrethana historike krejt të ndryshme. Është udhë feje, e orientuar gjithmonë nga e njëjta busull: ajo e faljes, që gjen në Jezusin një “Derë” gjithmonë të hapur. Jubiletë janë vite hiri, në të cilat mbarë njerëzimi shkel mbi të njëjtin prag.

Bulat e treguesit

Historia e Viteve Shenjte, në veçanti, mund të lexohet edhe përmes Bolle di indizione (Dokumenteve të njoftimit), dokumente të shkruara përgjithësisht në latinisht e të vulosura me vulën e Papës. Tregojnë datat e fillimit dhe të mbarimit të Jubileut. Fillimisht, vula ishte prej plumbi dhe kishte mënjanë figurat e Apostujve Pjetër e Pal. Emri i Papës  vendosej në anën e pasme. Emri i këtij dokumenti të veçantë, Bolla, rrjedh nga forma e vulës. Çdo Bulë, a vulë, identifikohet nga fjalët e saj fillestare. Disa aspekte të spikatura të Vitit të Shenjtë tregohen gjithashtu në dokumentet që shpallin Jubileun. Tema dhe drejtime që shpesh ndërthuren me ngjarjet e mëdha të historisë.

Pronent në Exitum Saeculo

Bulat që shpallin Jubiletë e shekujve XX dhe XXI kalojnë nëpër kthesa vendimtare të historisë, kohë progresi, por edhe çaste dramatike. Në Bulën për Vitin e Shenjtë të 1900, “Properante ad Exitum Saeculo”, Papa Leoni XIII, autor i enciklikës Rerum novarum”,kujton rrethanat në të cilat u regjistrua kalimi ndërmjet dy shekujve, në “kushtet e ndryshuara të Romës”, shpallur kryeqytet i Mbretërisë së Italisë. Jubileu i vitit 1900, me Papën "e burgosur në Vatikan" për çështjen romake, është pjesë e një bote që duket gjithnjë e më të vogël, në të cilën anijet me avull lëvizin me shpejtësi  oqeaneve e rrjeti hekurudhor vijon të përhapet gjithnjë e më shumë nëpër rrugët e botës!

Këtyre përparimeve në lëvizje u shtohen edhe komoditetet moderne. Shumë prej këtyre shpikjeve, paraardhëse të teknologjive të kohës sonë, u paraqitën dhe u admiruan në Ekspozitën e madhe Universale të Parisit, në vitin 1900. Duke iu referuar Vitit të Shenjtë, Leoni XIII bëri thirrje për rizgjimin e fesë në popullin e krishterë dhe e nxiti t’i bëjë ballë sfidës së modernizimit. Në Bulën “Properante ad Exitum Saeculo” Papa nënvizon, veçanërisht, se “për një katolik të mirë në këtë kohë të shenjtë është e përshtatshme, nëse dëshiron të jetë koherent me vete

n, të endet nëpër Romë i udhëhequr thjesht nga feja e krishterë”. “Është më mirë - shkruan Papa - të heqim dorë nga spektaklet e parakohshme të gjërave të kota ose profane, në vend të tyre, ta kthejmë shpirtin drejt atyre që na përgatisin për fe e për mëshirë”. Është një periudhë e historisë, pjesa e fundit e shekullit të 19-të, në të cilën profili i qyteteve u transformua thellësisht nga revolucioni industrial. Shtytja, që Papa synon t’i japë të krishterëve, hap rrugën drejt "modernizimit të krishterë".

Mëshira e pafundme e Zotit

Fillimi i vitit 1900 tronditet nga Lufta I Botërore e cila, duke filluar nga viti 1914 e duke vijuar deri në vitin 1918, e ndez flakë Evropën. Miliona burra luftojnë e vdesin. Armët, duke përfshirë gazin helmues, tanket dhe avionët e pajisur me bomba, janë gjithnjë e më shkatërruese. Një ngjarje tjetër e kësaj pjese të parë të shekullit të njëzetë, e shënuar ndër të tjera me përhapjen e totalitarizmit, është rrëzimi i carit rus dhe fitorja e revolucionarëve komunistë. Më 1924 Papa Piu XI shpalli Vitin Shenjt 1925 me Bulën e titulluar “Infinita Dei Misericordia”(Mëshira e pafundme e Zotit).

Në këtë dokument Ati i Shenjtë shpreson "risimin e shoqërisë". Për Papën Ratti është e nevojshme "që lakmia e tepruar e qytetarëve dhe e vetë kombeve, të frenohet nga ligjet e Ungjillit". Shumë vende janë ende të tronditura nga plagët shkaktuar nga Lufta I Botërore. “Nuk është e qartë - shton Papa - se si mund të rivendosen lidhjet e vëllazërisë ndërmjet popujve dhe si mund të rivendoset paqja e qëndrueshme, nëse vetë qytetarët dhe qeveritë nuk preken nga bamirësia, që fatkeqësisht për një kohë të gjatë, veçanërisht për shkak të luftës, dukej e përgjumur e pothuajse e braktisur”.

Quod Nuper

Në vitin 1933, në 1900-vjetorin e vdekjes së Jezusit, u hap Jubileu i jashtëzakonshëm i Shëlbimit, shpallur nga Papa Piu XI me bulën e indiksionit "Quod Nuper". Lërini njerëzit - shkruan Papa - t'i shkëpusin sadopak mendimet nga gjërat tokësore dhe kalimtare, përmes të cilave sot luftojnë me aq dhimbje qielloret dhe të përjetshmet; e nga kushtet drithëruese dhe të trishtueshme të këtyre kohërave, ta lartojnë shpirtin drejt shpresës së asaj lumturie, në të cilën na thërret Jezu Krishti, Zoti ynë".

Kjo është periudhë në të cilën, në vende të ndryshme, jemi dëshmitarë të rrënimit të vlerave demokratike. Në vitet pas Luftës I Botërore, tensionet e forta sociale dhe kërkesat nacionaliste ishin sfondi i vendosjes së regjimeve totalitare. Fashizmi në Itali dhe nazizmi në Gjermani e çuan botën drejt Luftës II Botërore. Tmerr i llahtarshëm, që shkaktoi mbi 50 milionë vdekje e edhe shkatërrime të jashtëzakonshme.

Iubilaeum Maksimumi

Bula, që shpalli Jubileun e Vitit Shenjt 1950, “Iubilaeum Maximum”, ndjek dramën e Luftës II Botërore. Shpresa e Papës Piu XII është që Jubileu "të përgatisë me gëzim kthimin e përgjithshëm te Krishti". Papa sheh mes rrënojave shpresën, e jo vetëm materiale, të humanizmit të ri.

“U ktheftë më në fund paqja në zemrat e të gjithëve, brenda mureve të shtëpive, në të gjitha kombet, në bashkësinë universale të popujve”. Ata që vuajnë përndjekje për drejtësi, paçin qëndresën, përmes së cilës Kisha u   stolis që në zanafillën e saj me gjakun e Martirëve; refugjatët, të burgosurit, ata që u dëbuan nga shtëpitë e tyre, u kthefshin sa më parë në atdheun e tyre të ëmbël; qofshin të vuajturit dhe të pushtuarit nga ankthi me përplot me ngushëllime qiellore".

Ato që kaluan pas Luftës II Botërore ishin vite në të cilat u hartuan drejtpeshime të reja gjeopolitike, diktuar nga dy fuqi të mëdha botërore, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik. Bota u nda në blloqe. Nisi “lufta e ftohtë”, e bazuar edhe në strategjinë e parandalimit të armëve bërthamore.

Apostolorum Limina

Vitet 1970 të shekullit XX kujtohen, ndër të tjera, nga procesi i shekullarizimit, nga konfliktet e shumta, përfshirë atë në Vietnam dhe nga përhapja e lëvizjeve protestuese të të rinjve. Shoqëria e 68-ës bën thirrje për ndryshime të thella në strukturën shoqërore. Në këtë kontekst, jubileu i shpallur nga Pali VI me Bulën “Apostolorum Limina” u hap në vitin 1975. Kisha, "pa pushtuar fusha që nuk janë në kompetencën e saj, dëshiron t'i bëjë njerëzit të ndiejnë nevojën e kthimit te Zoti".

“Për të gjithë botën – shkruan Papa Montini – kjo thirrje për ripërtëritje dhe pajtim plotëson aspiratat më të sinqerta për liri, drejtësi, unitet dhe paqe, që i shohim të pranishme kudo që njerëzit ndërgjegjësohen për problemet e tyre më serioze dhe vuajnë nga fatkeqësitë e shkaktuara nga ndarjet dhe luftërat vëllavrasëse”.

Aperite Portas Redemptori

Duke ripërtërirë ftesën e shprehur të nesërmen e zgjedhjes në Katedrën e Pjetrit, Gjon Pali II i bën thirrje mbarë Kishës për Jubileun e jashtëzakonshëm të vitit 1983: “Hapjani dyert Shëlbuesit”. Në bulën, që shpall Jubileun për 1950-vjetorin e shpengimit, "Aperite Portas Redemptori", Papa u drejtohet të gjithë besimtarëve të botës katolike:

"E gjithë Kisha, pra, nga ipeshkvijtë e deri tek më të vegjlit dhe më të përulurit ndër besimtarët, ta ndjejnë veten të thirrur për të jetuar pamjen e fundit të këtij shekulli të njëzetë të shëlbimit me frymën e  përtërirë dhe të thelluar të ardhjes, e cila e përgatit për mijëvjeçarin e tretë që po afron, me të njëjtat ndjenja me të cilën Virgjëresha Mari priste lindjen e Zotit në përvujtërinë e natyrës sonë njerëzore”.

Vitet 1980, të tronditura nga plagë të tilla si SIDA, i paraprinë çmontimit progresiv të barrierave ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Rënia e Murit të Berlinit më 1989, çoi në një strukturë të re gjeopolitike. Një model ekonomik i përcaktuar mbi të gjitha nga proceset e globalizimit, nisi të imponohet në rajone të ndryshme të planetit.

Misteri i mishërimit

Jubileu i vitit 2000 shoqëron hapat e para të njerëzimit në mijëvjeçarin e tretë. Në Bulën e indikcionit, Incarnationis Mysterium, Gjon Pali II shpreson se Viti Shenjt do të jetë "një këngë e vetme, e pandërprerë lavdërimi për Trininë". “Hapi i besimtarëve drejt mijëvjeçarit të tretë - shkruan Papa - nuk preket aspak nga lodhja që mund të sjellë me vete pesha e historisë dymijëvjeçare. Të krishterët ndihen mjaft të qetësuar për arsye të vetëdijes se ata po sjellin dritën e vërtetë, Krishtin Zot, në botë". Por dekada e parë e mijëvjeçarit të tretë u trondit nga ngjarje të shumta, duke përfshirë sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001 mbi Kullat Binjake dhe Pentagonin. Këto ishin vite në të cilat kriza financiare, e cila nisi në Shtetet e Bashkuara, solli pasoja të rënda për ekonomitë në mbarë botën.

Misericordiae Vultus

“Mos bini në grackën e tmerrshme të të menduarit se jeta varet nga paratë dhe se, në krahasim me të çdo gjë tjetër, bëhet pa vlerë dhe pa dinjitet. Është thjesht një iluzion”. Ky është një nga pasazhet e bulës që shpalli Jubileun e jashtëzakonshëm të Mëshirës, në vitin 2015, në 50-vjetorin e përfundimit të Koncilit II të Vatikanit. Papa Françesku nënvizon se gurthemeli i jetës së Kishës është mëshira dhe në Bulën, titulluar Misericordiae Vultus, shpreson që "fjala e faljes t'i arrijë të gjithë". Këto janë vite në të cilat fenomeni i migrimit bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm dhe pabarazitë ndërmjet viseve veriore dhe jugore të planetit thellohen.

 Spes non confundit

Viti Shenjt që do të hapet, paraprihet nga plagë të ndryshme, si pandemia dhe shpërthimi i luftërave të shumta, përfshirë ato në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Në bulën “Spes non confundit” - “Shpresa nuk të zhgënjen” Papa Françesku, para së gjithash, tregon një horizont: “Shenja e parë e shpresës përkthehet në paqe për botën, e cila edhe një herë është e zhytur në tragjedinë e luftës. Duke harruar tragjeditë e së kaluarës, njerëzimi i nënshtrohet një prove të re dhe të vështirë që sheh shumë popullata të shtypura nga brutaliteti i dhunës”. Papa nënvizon se, edhe në këtë epokë të shënuar nga rrjetet dixhitale dhe inteligjenca artificiale, "shpresa që nuk zhgënjen" mbetet gjithmonë një Person: Jezusi është "Porta" drejt së cilës njerëzimi duhet të përpiqet të përjetojë shpresën dhe të gjejë ngushëllimin e vërtetë.

23 dhjetor 2024, 10:06