Teologjia në dialog me botën, në Romë Kongresi ndërkombëtar
R.SH. – Vatikan
Kongresi Ndërkombëtar Teologjik “Trashëgimi dhe Imagjinatë”, i cili do të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor në Universitetin Papnor Lateranens, mund të cilësohet si historik. Historik, sepse takimi i organizuar nga Dikasteri vatikanas për Kulturën dhe Edukimin dhe i paraqitur më 3 dhjetor, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, do të mirëpresë 500 teologë nga e gjithë bota. Historik, sepse, për herë të parë në mënyrë sistematike, do të mundësojë një dialog dhe një konfrontim ndërmjet mendimit ngushtësisht teologjik dhe atij të dijeve të tjera të lidhura me të, për shembull, me botën e kulturës, letërsisë, kinemasë dhe fizikës teorike. Historik, edhe sepse do të ndjekë një model dëgjimi në stil sinodal.
Objektiva të ndryshëm
Kongresi, i cili do të hapet më 9 dhjetor në një audiencë me Papën Françesku, ka disa objektiva: «Janë – siç nënvizoi kardinali José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin - vënia e teologëve dhe e teologeve në pozitën e përshtatshme për ta dëgjuar njëri-tjetrin; njohja e rëndësisë së teologjisë në jetën e Kishës; dhënia e propozimeve që zbatojnë çka kërkohet në Kushtetutën Apostolike ‘Veritatis gaudium’, me rrjedhojat përkatëse për planet e studimit. Duhet ta pyesim veten për “ku”-në, “si”-në dhe “pse”-në e teologjisë; të ripohojmë kontributin themelor të saj në gjithë sistemin shkencor dhe në punën kërkimore universitare; t’i kundërvihemi klandestinitetit kulturor, vuajtur nga teologjia, duke theksuar kontributin e saj të veçantë në krijimin e paradigmave të reja të racionalitetit; të njohim reciprokisht rëndësinë e vendeve gjeografike, akademike, kishtare dhe kulturore ku zhvillohet dhe mësohet teologjia”.
Gjuhë të reja
Për mediat e Vatikanit, kardinali shpjegoi se "teologjia, brenda Kishës, duhet të rifillojë funksionin e saj për të ndihmuar në thellimin e përvojës së krishterë të secilit. Kisha nuk mund të jetojë pa teologji: ajo ka nevojë edhe për veprimin e saj baritor, që të mendojë për ekzistencën e saj në botë. E duhet të kërkojë një gjuhë gjithnjë e më të re, gjithnjë e më të frytshme për t'i folur mbi fenë njeriut bashkëkohor". Të dëgjosh botën, për kongresin, do të thotë t’u lësh hapësirë reflektimeve dhe përvojave të ekspertëve nga shtatë zona të ndryshme gjeografike dhe kishtare, të cilët këtë herë do të jenë vërtet protagonistë: Afrika, Azia, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut, Evropa, Oqeania, Kishat Lindore. E gjithë kjo nuk është formalitet i thjeshtë, as banalitet pa fryte.