Kërko

SHESHI I SHËN PJETRIT SHESHI I SHËN PJETRIT

Vatikan, predikimet e kohës së Ardhjes rreth temës së shpresës

Sivjet predikimet a meditimet e kohës liturgjike të Ardhjes do të mbahen në sallën Pali VI në tre të premtet para Krishtlindjes, më 6, 13 dhe 20 dhjetor nga Predikatari i ri i Shtëpisë Papale, At Roberto Pasolini. Në zërat e profetëve që na ofron kjo periudhë liturgjike e Ardhjes kemi ftesën për “të njohur se cilat janë dyert që na çojnë drejt misterit të njerëzimit tonë me shpresë të përtërirë”, shkruan rregulltari kapuçin në ftesën për Kurien Romake

R.SH – Vatikan

Dyert e shpresës. Drejt hapjes së Vitit të Shenjtë Jubilar 2025 përmes profecisë së Krishtlindjes”. Kjo është tema e tre predikimeve të kohës së Ardhjes që do të mbahen, për herë të parë, nga predikatar i ri i Shtëpisë Papnore, i emëruar më 9 nëntorin e kaluar, rregulltari kapuçin At Roberto Pasolini, në sallën Pali VI, në Vatikan, të premteve para Krishtlindjes, në datat 6, 13 dhe 20 dhjetor, ora 9.00. Meditimet u propozohen kardinajve, kryeipeshkvijve dhe ipeshkvijve, prelatëve dhe laikëve të familjes papnore, si dhe punonjësve të Kuries Romake, Guvernatorit dhe Vikariatit të Romës, si dhe Eprorëve të përgjithshëm ose prokurorëve të urdhrave të jetës rregulltare që janë pjesë e Kapelës Papnore.

Dyert e mahnitjes, të besimit, të vogëlsisë

“Këtë vit periudha liturgjike e Ardhjes jo vetëm që na përgatit për Krishtlindje, por na shoqëron edhe drejt jubileut të radhës”, shkruan At Pasolini në ftesën e Prefekturës së Shtëpisë Papale për të premtet e meditimit, duke shtuar se kjo periudhë liturgjike është një rast i volitshëm hiri për të ripërtërirë "përvojën e gjallë të dashurisë së Zotit, që ngjall në zemër shpresën e sigurt të shpëtimit në Krishtin", siç shkruan Papa në Bullën (Demin) që shpall Vitin e Shenjtë 2025 «Spes non confundit», «Shpresa nuk zhgënjen» (Rm 5,5).

“Zërat e profetëve, kaq të pranishëm dhe këmbëngulës në këtë periudhë liturgjike të Ardhjes së Zotit, na nxisin me forcë që të mos humbasim orientimin e rrugës drejt Mbretërisë së Hyjit”, nënvizon predikatar i ri i Shtëpisë Papnore, i cili na fton t’i dëgjojmë këto zëra për të “të njohur cilat janë Dyert që na shpiejnë në misterin e njerëzimit tonë me shpresë të përtërirë". Këto dyer, shpjegon predikatari i Familjes Papnore, janë: ajo "të mahnitjes, për t’i admiruar farat e Ungjillit të pranishëm në botë dhe në histori", ajo "e besimit, për të ecur drejt të tjerëve me respekt dhe zemër të hapur”, dhe së fundi ajo “e vogëlsisë, për të mos pasur frikë të bëhemi përfundimisht vetvetja”.

"Hapi i metamorfozës së brendshme"

Në pragun e Vitit të Shenjtë, Prefektura e Shtëpisë Papnore propozon sërish fjalët e shqiptuara nga Papa Pali VI në hapjen e Jubileut të vitit 1975: “Kremtimi i Jubileut, me disiplinën e tij të thjeshtë, por të thellë shpirtërore dhe me simbolikën e hapjes së dyerve të saj të mëshirës dhe faljes, dëshiron të nënkuptojë hapin e metamorfozës së brendshme, hapin e shndërrimit të shpirtit, hapin e guximshëm të së vërtetës morale (...) hapin e kthimit të zemrës". Fjalë që na nxisin të reflektojmë mbi kuptimin e Vitit të Hirit që është Jubileu 2025 dhe si ta jetojmë atë..

03 dhjetor 2024, 10:42