Zoja e Dhimbshme shkëlqen rishtas e sigurt në Bazilikën e Shën Pjetrit
R.SH. / Vatikan
Gjatë punimeve të Fabrikës së Shën Pjetrit për Jubileun 2025, vetrata që mbron Kapelën ku ndodhet Pietà e Mikelanxhelos, u zëvendësua. E mëparshmja u vendos në vitin 1973 për të mbrojtur veprën e dëmtuar nga goditjet me çekiç nga një burrë, më 21 maj 1972. Mbrojtja e re, siç nënvizohet në njoftimin për shtyp nga Fabrika e Shën Pjetrit, përbëhet nga një diafragmë e pajisur me sistem ankorimi të teknologjisë së lartë, me 9 qelqe rezistente ndaj plumbave, të cilësisë më të lartë dhe të transparencës maksimale, projektuar nga një ekip specialistësh italianë pas studimeve të thelluara të kryeveprës.
Operacioni i zëvendësimit, që zgjati më pak se gjashtë muaj, kishte për qëllim rikthimin e freskisë së shtatores të famshme mariane për kënaqësinë e shtegtarëve dhe të vizitorëve të panumërt që ndalohen e meditojnë para kësaj mrekullie arti e përshpirtërie. Pasi u hoq kantieri i ndërtimit, grupi skulpturor duket rishtas me gjithë shkëlqimin e tij.
"Në rrethanat e sotme gjeopolitike globale, jashtëzakonisht delikate - deklaroi Kardinali Mauro Gambetti, kryeprift i Bazilikës dhe kryetar i Fabrikës së Shën Pjetrit - besimtarëve u krijohet mundësia të sodisin Nënën që i dhuron njerëzimit Birin e Zotit të zbritur nga Kryqi e të gjallë, me fuqinë e Ringjalljes. Oferta e Nënës hap rrugën për pajtimin e zemrave dhe ndërtimin e shtigjeve të vëllazërisë e të paqes”.
Ndërhyrja
Zëvendësimi i xhamave, pesëdhjetë vjet pas vendosjes së tyre, ishte i nevojshëm për paraqitjen estetike - të lidhur me tejdukshmërinë natyrale të materialit - por edhe për arsye statike. “Projekti përfshinte jo vetëm përdorimin e fletëve më transparente, por edhe mekanikisht më të efektshme” - shpjegon inxhinieri Alberto Capitanucci, përgjegjës për zonën teknike të Fabrikës së Shën Pjetrit. Ndërhyrja kombinon dukshmëri më të madhe, me siguri më të madhe.
Dritë e re
Drita është elementi mbi të cilin bazohet kjo ndërhyrje. Grupi skulpturor i Pietà-së – Zojës së Dhimbshme - dhe i gjithë Kapelës pajiset me një sistem të ri dhe modern ndriçimi, të rikrijuar plotësisht me teknologjitë dhe komponentët e breznisë së fundit. Ishte gjithnjë kompania italiane iGuzzini, e cila në vitin 2017 propozoi dhe krijoi sistemin aktual, e që dhuroi edhe pajisjet e ndriçimit.
Kapela e Zojës së Dhimbshme
Lartimi i Kryqit dhe fuqia e tij shëlbuese janë motivi kryesor i gjithë ciklit dekorativ të Kapelës së Pietà-s, kushtuar deri në mesin e shekullit të 18-të Kryqit, pasi këtu mbahej një kryq druri, i vendosur tani në Kapelën e Sakramentit. Në qemer mund të admirohen afresket e vetme të bazilikës së Vatikanit, realizuar nga Giovanni Lanfranco (1582-1647) ndërmjet viteve 1629 dhe 1632. I gjithë qemeri është zbukuruar me episode të Mundimeve të Krishtit, me lartimin e Kryqit Shenjt në qendër, rrethuar nga engjëjt në fluturim, pikturuar me realizëm të gjallë.
Pieta e Mikelanxhelos
Grupi i mermerët i Nënës së Dhimbshme, e cila në rininë e dlirë mbështet me keqardhje Birin e vdekur në prehër, u skalit nga Michelangelo Buonarroti në vitet 1498-99, në moshën njëzet e tre vjeç, për varrin e kardinalit Jean de Bilhères-Lagraulas i cili asokohe ndodhej në kapelën e Shën Petronilës, ngjitur me bazilikën antike. Në brezin që zbret nga supi i Virgjëreshës lexojmë: “Michael āgelvs bonarotvs florent facieba” (e bëri Michelangelo Bonarroti fiorentin), e vetmja vepër e nënshkruar nga artisti. Më 3 dhjetor 1749, vepra prej mermeri u vendos mbi altarin e kësaj kishe, ku qëndroi gjithnjë e ekspozuar për besimtarët, me përjashtim të disa muajve të viteve 1964-1965, kur - ngjarje unike, e papërsëritshme – Zoja e Dhimbshme kaloi 'Oqeanin për Panairin Botëror të Nju Jorkut.
Më 21 maj 1972, pas sulmit të çmendur që dëmtoi krahun e majtë dhe fytyrën e Nënës Virgjër, kompozimi i restauruar me mjeshtëri u mbrojt nga dritarja e madhe prej xhami, tashmë i zëvendësuar.