Kërko

Shtegtarë të Jubileut në via della Conciliazione, Romë Shtegtarë të Jubileut në via della Conciliazione, Romë

Jubileu, mbi gjysmë milioni njerëz kaluan Portën e Shenjtë në Shën Pjetër

Të dhënat për dy javët e para të fluksit në Bazilikën e Vatikanit u komunikuan nga Dikasteri për Ungjillëzimin. Imzot Fisichella: fillim shumë kuptimplotë, punojmë ngushtësisht me forcat italiane për të garantuar sigurinë

R.SH. – Vatikan

Një kryq i madh prej druri në krye e pas tij grupe të vogla, ose të mëdha në lutje, që fillimisht kalojnë në "korridorin" e krijuar posaçërisht gjatë Via della Conciliazione, në Romë dhe më pas në tjetrin, në Sheshin e Shën Pjetrit, të dy, të kontrolluar nga të rinj vullnetarë me jelekë të gjelbër, rreshtuar në drejtimin e Portës Shenjte. Një skenë, e cila, që nga hapja e Jubileut e sidomos në këto ditë të para të 2025-ës, ka filluar të bëhet e zakonshme. Shifrat tregojnë se vetëm dy javë pas fillimit të Vitit të Shenjtë, mbi gjysmë milioni shtegtarë kanë kaluar Portën Shenjte të Bazilikës së Vatikanit.

Fisichella: fillim shumë kuptimplotë

Shifra e saktë prej 545.532 njerëzish u bë e ditur sot në një njoftim për shtyp nga Dikasteri vatikanas për Ungjillëzimin. “Ky është një fillim shumë kuptimplotë, me pjesëmarrje të madhe”, komenton kryeipeshkvi Rino Fisichella, përgjegjës për organizimin e Jubileut. "Grupet që mblidhen në via della Conciliazione", thekson prelati, "po japin një dëshmi të rëndësishme dhe kjo është shenjë se shtegtarët ndihen të sigurt dhe të mbrojtur në qytetin e Romës dhe në afërsi të katër bazilikave papnore”.

Siguria dhe organizimi i flukseve

Komunikata e organizatorëve të Vitit Shenjt thekson "bashkëpunimin e ngushtë të Vatikanit dhe të Dikasterit me forcat e sigurisë italiane", duke vënë në dukje "rritjen e vazhdueshme të numrit të shtegtarëve". “Vështirësitë e para në organizimin e flukseve”, vëren imzot Fisichella, “duhen vlerësuar me kalimin e kohës, por Dikasteri po punon pa u lodhur për t’u siguruar shtegtarëve mikpritjen dhe një përvojë, që i plotëson pritshmëritë e tyre”.

Rezervimi paraprak

“Mijëra njerëzit, që mbushën katër bazilikat papnore” ditët e fundit për hapjen e Portave të Shenjta, “shpesh, duke mbushur edhe sheshet pranë”, tregojnë prirjen për muajt e ardhshëm, me një kalendar mjaft të ngjeshur ngjarjesh jubilare. Pikërisht duke marrë parasysh “rreshtat e gjata të besimtarëve” që priten, njoftimi për shtyp kujton nevojën për t’u “prenotuar paraprakisht” në faqen e Jubileut, iubilaeum2025.va. Ngjarja e parë do të jetë Jubileu i Botës së Komunikimit, nga data 24 deri më 26 janar, kur do të mbërrijnë në Romë “mijëra gazetarë, ekspertë dhe veprimtarë komunikimi nga e gjithë bota”.

07 janar 2025, 13:31