Kërko

Kardinali Angelo Amato Kardinali Angelo Amato

Ndërroi jetë kardinali Angelo Amato

Kardinali Angelo Amato, Prefekt nderi i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Çështjet e Shenjtorëve, i lindur në Molfetta, Itali, rregulltar salezian, ndërroi jetë dje, më 31 dhjetor, në moshën 86-vjeçare.

R.SH. / Vatikan

 Dje, më 31 dhjetor 2024, ndërroi jetë kardinali Angelo Amato, prefekt nderi i Kongregatës së Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve: ishte 86 vjeç.

Thirrje saleziane

I lindur në Molfetta (Bari), Itali, më 8 qershor 1938, në një familje ndërtuesish të anijeve, i pari nga katër fëmijët, kreu studimet në Institutin Detar të Barit. Por në fillim të vitit të tretë të studimeve, në tetor 1953, vendosi ta braktiste këtë karrierë, për të hyrë ndër Salezianët e Torre Annunziata-s. Në vitin 1956 bëri kushtet e para rregulltare. Pasi u transferua në Romë,  studioi në Universitetin e atëhershëm Papnor Salezian, ku mori një licencë për filozofi. Në vitin 1962 bëri kushtet e përhershme, për të filluar dy vjet praktikë në kolegjin Salesian në Cisternino (Brindisi), ku dha mësimin e letërsisë në shkollën e mesme. Pasi mori një diplomën në fakultetin e teologjisë pranë Universitetit Salesian në Romë, u shugurua meshtar më 22 dhjetor 1967.

Takimi me botën ortodokse greke

Pasi u regjistrua në Universitetin Papnor Gregorian, mori një doktoraturë në teologji në vitin 1974 dhe u thirr menjëherë për të dhënë mësim. Në vitin 1977 u dërgua në Greqi nga Sekretariati i atëhershëm për Unitetin e të Krishterëve, duke kaluar katër muaj në kuvendin athinas të jezuitëve për përgatitje gjuhësore, që të regjistrohej në universitet. Pas dhënies së provimit pranues (në greqishte moderne të shkruar dhe të folur), u transferua në Selanik si bursist i Patriarkanës së Kostandinopojës. Banoi në Monì Vlatadon (Manastiri Vlatadon), shtëpia e manastirit të murgjërve ortodoksë dhe Idrima ton Paterikon Meleton (Instituti i Studimeve Patristike), me një bibliotekë të specializuar në teologjinë ortodokse dhe një koleksion të çmuar mikrofilmash të dorëshkrimeve të Malit Athos. Më pas u regjistrua në fakultetin e teologjisë të Universitetit të Selanikut, duke ndjekur mësimet mbi historinë e dogmave nga Jannis Kaloghirou dhe ato të dogmatikës sistematike të Jannis Romanidis. Në të njëjtën kohë studioi Sakramentin e Pendesës në teologjinë ortodokse greke, nga shekulli i 16-të deri në shekullin e 20-të, botuar në serinë «Análekta Vlatádon» (1982).

Kthimi në Romë

Pas kthimit në Romë dha mësim në Kristologji, në fakultetin e teologjisë të Universitetit Papnor Salezian, dekan i të cilit ishte nga viti 1981 deri në 1987 dhe nga viti 1994 deri në 1999. Në vitet 1997-2000 ishte edhe zv.rektor i po këtij universiteti. Në vitin 1988 u dërgua në Uashington për të studiuar teologjinë e feve dhe për të përfunduar manualin e kristologjisë. Më pas u emërua konsulent i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, i Këshillave Papnore për promovimin e Unitetit të Krishterë dhe për Dialogun Ndërfetar si dhe këshilltar i Akademisë Papnore Ndërkombëtare Mariane. Në vitin 1999 ishte sekretar prelat i Akademisë Papnore të rinovuar të Teologjisë dhe drejtor i revistës teologjike të sapokrijuar «Udha». Nga viti 1996 deri në vitin 2000 qe anëtar i komisionit teologjiko-historik të Jubileut të madh të vitit 2000.

Sekretar për Doktrinën e Fesë

I emëruar më 19 dhjetor 2002 sekretar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë dhe i zgjedhur në Selinë titullare të Silës me titullin personal të kryeipeshkvit,  u shugurua ipeshkëv më 6 janar 2003 nga Papa Gjon Pali II, në Bazilikën e Vatikanit.

Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve dhe kardinal

Më 9 korrik 2008, Benedikti XVI e thirri për të pasuar kardinalin José Saraiva Martins si prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve dhe në Koncistorin e 20 nëntorit 2010 e krijoi kardinal të Diakonisë së Shën Marisë në Aquiro. Mori pjesë në konklavin e marsit 2013, që zgjodhi Papën Françesku. Më 19 dhjetor 2013, Papa Françesku e caktoi "donec aliter provideatur" si prefekt të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, detyrë që e kreu deri në vitin 2018, pak para se të mbushte 80 vjeç.

Kardinali Amato dhe Don Tonino Bello

Në nëntor 2013, Kardinali Amato mbylli fazën dioqezane të procesit të lumnimit dhe të kanonizimit të Don Tonino Bello-s në Katedralen e Molfetta. “Liria e mendimit dhe e veprimit, vlerësimi i laikëve, edukimi i të rinjve, vlera e paqes, dashuria ndaj të tjerëve, konsiderata ndaj të varfërve - pati theksuar kardinali - janë mësimet e Don Toninos, ipeshkëv i Molfetës nga viti 1982 deri në 1986. Dëshmia e tij - pati nënvizuar - na kujton se "shenjtëria nuk është privilegj i të paktëve, por thirrje për të gjithë", sepse të gjithë jemi të thirrur të ndjekim "Jezusin" dhe virtytet teologjike: besimin, shpresën, bamirësinë”.

Ipeshkvi i Molfettës:  "Njeri i fesë dhe bari i palodhur"

Ipeshkvi i Molfettës, Imzot Domenico Cornacchia, së bashku me të gjithë Dioqezën, kujton "me mirënjohje të thellë" kardinalin Amato si "besimtar e bari i palodhur, që i shërbeu Kishës universale dhe popullit të Zotit me përkushtim të madh".

01 janar 2025, 14:12