"Arkitekti i Zotit" Antoni Gaudí, i nderuar, don Nazareno Lanciotti, i Lum
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku njohu virtytet heroike të Antoni Gaudì, arkitekt spanjoll i shquar në mbarë botën për drejtimin e ndërtimit të veprës së famshme arkitektonike Sagrada Familia, në Barcelonë. Që sot, pra, përfaqësuesi i madh i modernizmit katalan, është i Nderuar. Të nderuar për virtytet e tyre heroike janë edhe tre priftërinj: Pietro Giuseppe Triest, Angelo Bughetti dhe Agostino Cozzolino. Papa, gjatë audiencës së mëngjesit të sotëm me kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, autorizoi shpalljen e Dekreteve lidhur me ta, përveç atyre që kanë të bëjnë me lumnimin e Eliswa-s së Zojës së Bekuar, themeluese e Kongregatës së të Tretit urdhër të Karmelitaneve të zbathura, tani Motrat Kamelitane Tereziane si dhe të meshtarit italian misionar në Brazil, Nazareno Laciotti, martir.
Antonio Gaudí, "Arkitekt i Zotit"
Vepra më e njohur e "Arkitektit të Zotit" është Chiesa Espiratoria e Sagrada Familia-s. Antonio Gaudí i Cornet, i lindur më 25 qershor 1852, ndoshta në Reus, pranoi të drejtonte kryeveprën e tij një vit pas vendosjes së gurit të parë, në vitin 1883, në moshën 31-vjeçare. Që atëherë e shkriu gjithë jetën duke ndërtuar vendin e adhurimit, në të cilin shprehu gjenialitetin e tij artistik, ndjenjat e tij fetare dhe përshpirtërinë e tij të thellë. Vetëm 5 vjet më parë, kishte marrë titullin arkitekt dhe kishte shkruar disa shënime arkitekturore - të njohura si "Dorëshkrimi i Reusit" - në të cilat shprehu propozimet e tij për zbukurimet dhe ndërtesat fetare si dhe njohuritë e dukshme të mistereve të fesë së krishterë. Gaudí i ri e konsideroi Sagrada Familia-n mision të besuar nga Zoti e, me këtë vetëdije, e shndërroi projektin origjinal neo-gotik në diçka të ndryshme dhe origjinale, të frymëzuar nga format e natyrës dhe të pasur me simbolikë që shpreh besimin dhe përshpirtërinë e tij të thellë, me ndikime benediktine dhe françeskane. I devoçëm i Shën Filip Nerit, arkitektit origjinal iu desh të kapërcejë një mori vështirësish me guxim dhe besim te Zoti e, ndërsa drejtonte kantierin, duronte xhelozi e pengesa jo të pakta!
Nga viti 1887 deri në 1893 projektoi dhe drejtoi vepra të tjera civile e fetare. Më pas, gjatë Kreshmëve të vitit 1894, u prek nga një sëmundje e rëndë, e shkaktuar nga agjërimi rigoroz që, megjithëse ia rrezikoi jetën, e bëri të jetonte një përvojë të thellë shpirtërore në kërkim të Zotit. Pas kalimit të krizës, vijoi të punojë në projekte të ndryshme, por pasi humbi gradualisht të gjithë anëtarët e familjes, nisi një asketizëm të vërtetë shpirtëror, refuzoi detyra të reja dhe u përqëndrua i tëri në Sagrada Familia, aq sa në vitin 1925 përshtati, si vendbanim, një dhomë të vogël pranë kishës. I krishterë i bindur dhe praktikues, i zellshëm për sakramentet, e bëri artin himn lavdërimi për Zotin, të cilit i ofroi frytet e punës, të para si mision për t'i bërë njerëzit ta njohin sa më nga afër Zotin. Më 7 qershor 1926, u përplas nga një tramvaj. Me që njihej pak e aspak, ashtu i veshur e i mbathur pa pikën e kujdesit, u mbart në Hospital de la Santa Creu, për të varfërit e qytetit, ku për fat dikush e njohu e dha lajmin për këtë humbje të madhe e të pazevendësueshme.
Ndërkaq Artisti i pashoq jepte shpirt! Pasi mori sakramentet e fundit, vdiq tri ditë më vonë, më 10 qershor. Ai vdiq e zbriti nën dhe, po emri i tij mbeti përgjithmonë mbi dhe, mbi madhështinë e njërës nga Kishat më të bukura të botës, ku emri i tij është e do të jetë i gjallë deri në fund të kohëve!
Ndërsa në kortezhin mortor morën pjesë rreth 30 mijë vetë, mijëra të tjerë e pritën këtë ditë kur, më në fund, gjenia që i dha botës një nga mrekullitë, u duk rishtas në vendin e tij, në mes të mrekullive të pamort që kishte krijuar!
I vlerësuar nga Le Corbusier si "mjeshtër i gurit, i tullave dhe i hekurit", Gaudí ishte arkitekt jashtëzakonisht pjellor: shtatë nga veprat e tij në Barcelonë janë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1984.