Jubileu, Kard. Czerny: "T'ia hapim zemrat dashurisë së Zotit"
R.SH. / Vatikan
Zoti na ruajtë nga dëshira për të qenë "turistë fetarë"! Çdo shtegtar që niset drejt një Porte Shenjte "është burrë a grua që, me zemër të hapur, ndjen nevojën të rifillojë gjithçka nga e para e të preket nga dashuria e Zotit". E "ky shtegtim i jashtëm, bëhet pasqyrim i një dëshire edhe më të thellë: dëshirës për t’u kthyer në shtëpi, si djali plangprishës i Ungjillit, dhe për të përjetuar gëzimin e mirëpritjes, të faljes, të përqafimit nga Ati". Me këto fjalë, Kardinali Prefekt Michael Czerny iu drejtua zyrtarëve të Dikasterit të Vatikanit për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor (DSSUI) mëngjesin e sotëm, 11 prill, me rastin e shtegtimit jubilar.
Një gjest, që i flet zemrës!
Të gjithë së bashku: eprorët, punonjësit afatgjatë dhe të punësuarit e rinj morën pjesë në festën eukaristike, kryesuar nga kardinali jezuit në Kishën e Shën Anës, në Vatikan. Pak më parë, ai i kishte udhëhequr rreth 50 pjesëmarrësit përgjatë Udhës së Pajtimit dhe nëpër Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit.
Sigurisht "shenjë e jashtme", vëren Kardinali Czerny, e cila megjithatë “duhet të përkojë me rrahjet e zemrës, që të flet e të bën thirrje për pendesë, përtëritje shpirtërore, besim në mëshirën e Zotit".
Nuk bëhet fjalë "vetëm për të kaluar fizikisht nëpër një portë të hapur në një bazilikë: është gjest - vazhdon ai - që i flet zemrës dhe të kujton shtegtimin e brendshëm, që çdo i krishterë është i thirrur ta bëjë në kohën e mëshirës".
Për të jetuar një jetë të plotë
Nëse Porta Shenjte përfaqëson Krishtin, atëhere ta kapëcesh "do të thotë të zgjedhësh me vetëdije të hysh në jetën e re që ta ofron Ai, duke lënë pas barrën e mëkatit, të gjykimit dhe të mbylljeve të zemrës", duke bërë një "shtegtim shpirtëror" të vërtetë, drejt një "jete të re hiri dhe bashkimi ndaj Zotit dhe shërbimit ndaj të tjerëve". Për të jetuar "një jetë të plotë", përfundon prefekti, ne duhet të kalojmë nëpër Krishtin, të hyjmë në të e në hapësirën e marrëdhënies së tij me Atin".
Kalimi i sotëm është kulmi i një jave të mbushur me takime formuese dhe programuese, ku u përfshi i gjithë personeli i strukturës të Selisë së Shenjtë, e cila mblodhi trashëgiminë e Këshillave Papnore për Drejtësi dhe Paqe, “Cor Unum”, Baritorinë për Emigrantët dhe endacakët dhe atë të punonjësve të shëndetësisë.
Të kuptosh dhuratën e mëshirës
"Po jetojmë një çast të veçantë" - shpjegon motra Alessandra Smerilli, sekretare e Dikasterit - e cila e nisi të hënën me kalimin e Portës së Shenjtë të burgut Rebibbia dhe një takim me vullnetarë e të burgosur. Kjo – pohon - na ndihmoi ta kuptojmë vlerën e mëshirës dhe të shpresës. Sot përfundojmë me shtegtimin, të cilin e bëjnë të gjithë besimtarët që arrijnë në Romë e që do të thotë të vihesh për udhë - vijon rregulltarja e Bijave të Marisë Ndihma e të Krishterëve - duke mbartur me vete barrët, gëzimet, ankthin dhe dhimbjen e atyre që ne, si Dikaster, ia drejtojmë Zotit, për të kërkuar së bashku dhuratën e mëshirës dhe për të rigjallëruar shpresën. Jo gjithçka është e humbur!
Tri arsye për të shpresuar
Fjalë që i bëjnë jehonë “tri arsyeve për shpresë”, kujtuar gjatë takimit në burgun romak disa ditë më parë nga Kardinali Nënsekretar Fabio Baggio: para së gjithash, “Zoti nuk na braktis kurrë, as në çastet më të errëta të jetës sonë” e na pret “derisa të vendosim të kthehemi tek ai, pasi të jemi larguar”; na dhuron përherë një mundësi të re, edhe kur gabojmë”; e “pasi kemi marrë mbi vete përgjegjësitë tona dhe kemi paguar për gabimet tona, na hapet një rrugë e re, si e djalit plangprishës”. Së fundi, “edhe kur drejtësia njerëzore dështon - kardinali skalabrinian nënkupton historisë biblike të Suzanës – ne nuk e humbasim shpresën te drejtësia hyjnore, e cila vepron misteriozisht në histori”, për shembull “duke bërë të ndërhyjnë profetë, si Danieli”.
Zërat e zyrtarëve
Të drejtat e njeriut, shëndeti, paqja, personi dhe dinjiteti i tij janë buka e përditshme për ata që punojnë në Dikaster: e di mirë këtë Margherita Romanelli, tridhjetë vjet shërbim, përgjegjëse për kujdesin baritor të rrugës me një vëmendje të veçantë ndaj grave të ligështa, emigrantëve dhe viktimave të abuzimit dhe të shfrytëzimit.
Me kalimin e Portës Shenjte, “mora edhe një herë përgjegjësinë e dhuratës për të punuar në shërbim të Atit të Shenjtë” - thotë zyrtarja, kryetare e shoqatës “Gratë në Vatikan”: “Zoti është shpresa që nuk na braktis as përballë peripecive që po jetohen në mbarë botën. Nëse e vëmë në radhë të parë, në jetët tona. Alvin Macalalad, një koleg filipinas në DSSUI, i bën jehonë kësaj ndjenje, në kërkim të "një drite shumë më të fortë se errësira", "forcë e vërtetë për të ecur përpara në situata të vështira". Ashtu si dritat që ka parë motra Marie Josepha Mukabayire e cila mbërriti në janar nga Ruanda: detyra e saj në Dikaster është të mbledhë çështjet më urgjente të kontinentit afrikan. Tani për tani po merret “me infermierët”, thekson ajo, “shpeshherë të rëna në varfëri, sepse janë të vetmet në familjet e tyre që e çojnë rrogën në shtëpi, për shkak të papunësisë së shfrenuar”.