Kërko

Covid: Pfizer dhe BioNTech njoftojnë se vaksina e tyre është efikase në 90% të rasteve

Kompanitë amerikane dhe gjermane deklarojnë se vaksina e tyre kundër Covid-19 “është e frytshme në parandalimin e 90 përqind të infektimeve, gjatë fazës 3” të eksperimentimit. Së shpejti, do të kërkojnë autorizimin për prodhimin e saj. Lajmi u prit me entuziazëm nga OBSH-ja, Komisioni Evropian dhe presidenti i sapozgjedhur amerikan Biden, të cilët, gjithsesi, këshillojnë se duhet të vazhdojë përdorimi i maskave dhe distancimi

R.SH. - Vatikan

Lajmi i fundit për vaksinën kundër Covid-19 ndezi shpresa në gjithë botën. Kompanitë Pfizer dhe BioNTech njoftuan se vaksina e eksperimentuar prej tyre ka një efikasitet prej 90% në fazën e tretë, e cila akoma nuk ka përfunduar. Kjo do të thotë se ndër 100 vetë të vaksinuar, mund të sëmuren vetëm 10. Së shpejti, të dyja kompanitë – e para, amerikane dhe e dyta, gjermane – do t’i kërkojnë lejen e prodhimit FDA-së amerikane (Food and Drug Administration) dhe EMA-s evropiane (European Medicines Agency). Të dyja janë organizma, që kontrollojnë nëse plotësohen kriteret për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinës, në shkallë të gjerë.

Shpresa, e zgjuar nga vaksina

Menjëherë, liderët kryesorë botërorë shprehën përgëzimet e tyre për këtë risi. Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tek presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e deri tek presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve, Joe Biden, lajmi u konsiderua mjaft inkurajues. Duke falenderuar shkencëtarët, që po punojnë me ritme të shpejta si për vaksinën, ashtu edhe për ilaçet kundër koronavirusit, liderët botërorë theksuan nevojën që të gjithë të kenë mundësinë për t’u vaksinuar. U kapën nga euforia dhe tregjet financiare. Gjatë ditës së djeshme, bursat patën fitime, që nuk shihen lehtë në këtë periudhë.

Është shpejt për të festuar

Gjithsesi, është e natyrshme që të zgjohet shpresa, por është shpejt për të festuar.  Bashkësia shkencore paralajmëron se nuk mjafton vetëm vaksina për të mundur koronavirusin, pavarësisht se në çastin, që vaksinohet shumica e popullsisë globale, arrihet i ashtuquajturi “imunitet i tufës”. Së pari, duhet kontrolluar sa zgjat imuniteti kundër koronavirusit, çfarë efektesh ka mbi njerëzit më të brishtë dhe nëse mjafton vetëm një lloj vaksine. Ka shumë shkencëtarë, që mendojnë se duhet prodhuar më se një lloj vaksine, edhe për të siguruar vaksinimin e të gjithëve, të pasur e të varfër. Për shembull, për ta transportuar këtë vaksinë, që akoma duhet prodhuar gjerësisht, në vendet më të varfëra, nevojiten superfrigoriferë, të cilët e mbajnë atë në -80 gradë Celcius. Papa Françesku e ka ngritur shpesh zërin për të kërkuar që, jo vetëm vaksina kundër koronavirusit, por ilaçet në përgjithësi, të mos jenë vetëm për të pasurit. Por cilado kompani, që e prodhon vaksinën, nuk mund të hedhë në treg menjëherë miliarda doza, prandaj, domosdoshmërisht, duhen caktuar kategoritë, që duhen vaksinuar fillimisht, si, për shembull, mjekët dhe infermierët, më të moshuarit e kështu me radhë.

Të vijojmë të mbajmë maska dhe të distancohemi

340 milion vaksina janë blerë tashmë: 200 milion nga Bashkimi Evropian, 100 milion nga SHBA-të dhe 40 milion nga Mbretëria e Bashkuar. Vijojnë ndërkaq, eksperimentet edhe për vaksinat e tjera si Novavax amerikane dhe ajo britaniko-italiane Oxford-Astrazeneca. Ndërkaq, vazhdon edhe puna për gjetjen e ilaçeve kundër koronavirusit. Në SHBA-të, dje, u dha leja për përdorimin e antikorpeve monoklonale. Gjithsesi, shkencëtarë e politikanë, përfshirë krerët fetarë, me në krye Papën Françesku, theksojnë me forcë se në këtë fazë, akoma duhen përdorur kudo maskat dhe duhet vënë në jetë distancimi fizik ndërmjet njerëzve.

10 nëntor 2020, 12:38