Kërko

particolare dell'affresco Incontro di Gioacchino e Anna alla Porta Aurea particolare dell'affresco Incontro di Gioacchino e Anna alla Porta Aurea

Shenjtorët Joakimi dhe Ana, histori e pafundme dashurie

Virgjëra Mari, grua e papërlyer dhe shumë e ëmbël, mund të lindte vetëm nga prindër të shenjtë. Të moshuar e të mënjanuar nga shoqëria, sepse gjatë pa fëmijë, qenë gjithnjë përplot me shpresë e fe. Deri sa Zoti u fali Marinë! Shenjtorët Joakimi dhe Anna na kujtojnë vlerën e gjyshërve, të bashkimit dhe të dashurisë familjare. Përmes një udhëtimi në art dhe në veçanti, në afresket e famshme të Giotto-s në Scrovegni, të zhytemi në thellësinë e kësaj bukurie.

R.SH. - Vatikan

Më 26 korrik kujtojmë çdo vit shenjtorët Joakimin dhe Anën. Ishte Shën Pali VI ai që i bëri bashkë të dy, në të njëjtën festë, në vitin 1969, me rastin e reformimit të kalendarit të ri liturgjik të Kishës katolike romake. Më parë kujtoheshin në ditë të veçanta: për Anën përvjetori ishte njësoj si sot, ndërsa festa e Joakimit kremtohej më 16 gusht. Nuk ka dyshim që u shkonte më për shtat të kremtoheshin bashkë, ashtu si kishin jetuar së bashku, si prindër të Marisë dhe gjyshër të Jezusit.

Në Shkrimet e Shenjta të Biblës, Ana dhe Joakimi nuk duken kurrë, por, sipas Etërve Lindorë të Kishës, historia e tyre është e ngjashme me atë të Elkanah dhe Anës, në Librin e Parë të Samuelit (1-28), ku dëgjohen lutjet  e gruas beronjë e Zoti i dhuron një djalë. Historitë e prindërve të Marisë tregohen gjerësisht në Ungjijtë apokrifë, për herë të parë në Protoevangelium-in e Jakobit, që daton nga mesi i shekullit II pas Krishtit e, për këtë arsye, edhe në Ungjillin e Pseudo-Mateut e në Evangelium de nativitate Mariae, duke depërtuar më pas në Legjendën e Artë mesjetare të Iacopo da Varazze. Gjatë tregimeve, ndalemi në rindërtimin e gjenealogjisë së tyre dhe gjendjes së tyre shoqërore, në mënyrë që të bëhet i qartë filli i kohës i cili, nga fisi i Levit për Anën dhe prejardhja nga Davidi për Joakimin, të çon në lindjen e Jezu Krishtit, Zotit që erdhi mbi tokë, por edhe Njeriut të historisë.

Shën Joakimi, Shën Ana dhe Virgjëra Mari fëmijë
Shën Joakimi, Shën Ana dhe Virgjëra Mari fëmijë

Origjina dhe devocioni në art

Në disa figura artistike shohim praninë e Joakimit dhe të Anës pranë Marisë, e cila mban në krahë Birin hyjnor, si në Madonna Baglioni, vepër e Andrea Previtalit, që datohet ndërmjet viteve 1512 dhe 1513 ose piktura e realizuar me vaj e Luca Giordano, e cila vendos ndërmjet prindërve Virgjërën e vogël (shek. XVII). Përballë këtyre veprave ndjejmë emocion dhe ëmbëlsi, si për moshën e shtyrë të dy bashkëshortëve, ashtu edhe për vogëlushen Mari, nën kujdesin e tyre plot dashuri.

 Megjithatë, prania e Joakimit është më pak e shpeshtë se e Anës, përkushtimi i së cilës të bie më shumë në sy. Duke treguar, kështu, se  amësia ka qenë gjithmonë themelore dhe e vlerësuar me respekt të lartë, edhe në kontekstet historike e sociale patriarkale.

Shën Joakimi e Shën Ana
Shën Joakimi e Shën Ana

Në shekullin e VI, Justiniani ndërtoi një kishë kushtuar nënës së Marisë, ndërsa në Romë gjejmë relike të saj dhe disa piktura në kishën e Santa Maria Antiqua, në Forumin Romak, që datojnë në shekullin e VI. Është afresku me Nënat e Shenjta: Virgjëra me Foshnjën, Shën Anna me Marinë dhe Elizabeta me Shën Gjonin e mitur. Më në fund, Papa Leoni III, në shekullin e 8-të, i dhuroi bazilikës së Shën Marisë së Madhe një pëlhurë altari, të qëndisur me skena nga Lajmërimi i shenjtorëve Joachim dhe Ana.

Shën Joakini e Ana
Shën Joakini e Ana

Gjyshja, Nëna, Djali

Ikonografia që duket më shpesh, është ajo e Marisë ulur pranë nënës dhe të birit. Ndonjëherë duket edhe Shën Gjoni, kushëriri i Jezusit: kujtohet kështu, pikërisht mjedisi i ëndërruar dhe i lumtur shtëpiak i fëmijërisë. Femrat janë protagoniste. Në lindjen e Marisë nuk mungon skena e zakonshme e banjës së parë të porsalindurit, siç duket në shumë piktura kushtuar lindjes së Krishtit. Mamitë janë simbol i qartë, që ndjekin zyrtarisht lindjen dhe veprojnë si dëshmitarë.

Historitë e dy bashkëshortëve

Në mesjetë, ngjarjet e çiftit të martuar të transmetuara nga apokrifët u përhapën gjerësisht: dëbimi i Joakimit nga tempulli sepse ishte pa fëmijë, rikthimi i tij në kullosat e barinjve, flijimi i një qengji, ëndrra dhe vegimi i engjëllit, që paralajmëron lindjen e Marisë. E përsëri engjëlli, që i duket Anës na çon në Lajmërimin e Marisë. Çasti i fundit, kulmor i rrëfimit është takimi i dy bashkëshortëve në Portën e Artë të Jeruzalemit: bashkëshortët e moshuar ribashkohen në gëzim, sepse do t'u lindë një vajzë. Cikli i Tregimeve të Joakimit dhe Anës, i afreskuar nga Giotto ndërmjet viteve 1303 dhe 1305 në kapelën Scrovegni në Padova, është më i famshmi. Figuracione “të sakta”, që duket se u japin jetë fjalëve të Legjendës së Artë, duke i përkthyer përsosurisht, çast pas çastit, fjalë për fjalë. Sigurisht që artisti është frymëzuar nga ikonografitë e mëparshme bizantine, por me ndikime novatore, duke i përzjerë në mënyrë harmonike simbolet dhe synimet, ndjenjën dhe përshpirtërinë.

Është gjithashtu e habitshme se si disa nga paraqitjet e Joakimit dhe Annës janë pasqyrë e rrëfimeve të Jozefit e Marisë,  gjithmonë bashkë - kurrë vetëm - në Scrovegni. Joakimi, i cili mirëpret vizionin e engjëllit në ëndrrën e tij, përshkruhet në pozicionin identik të përkulur të Jozefit, i cili nga ana e tij ëndërron; e Shën Anna duket e ngjashme me Marinë në njoftimin e engjëllit, e zhytur në një mjedis të ngjashëm, në një dhomë.

Të admirueshme janë edhe afresket e Ghirlandaio-s, në kapelën Tornabuoni të Bazilikës së Santa Maria Novella, në Firence, me dëbimin e Joachimit nga tempulli dhe Lindjen e Marisë, që datojnë nga 1485 deri në 1490.

Takimi i Joakim dhe Annës në Portën e Artë

Ikonografia më e përsëritur, megjithatë, është takimi i Joakimit e Annës në Golden Gate. E çasti, sipas të cilit, në përqafimin e tyre, nisi shtatzania e Marisë. Pas një periudhe ndarjeje, kur edhe Anna mendonte se ishte tashmë e vejë, gëzimi shpërthen me sigurinë se lutjet e tyre janë dëgjuar. Artistët e përfaqësojnë këtë çast teksa janë kapur për dore, përballë njëri-tjetrit. Ka shumë shembuj si p.sh. në kanavacë nga Filippino Lippi, që daton midis 1440 dhe 1445 dhe ruhet në Muzeun Ashmolean në Oksford. Modelja duket si pozimi klasik i “bashkëshortëve” në sarkofagët e epokës perandorake romake.

Puthja e bashkëshortëve

Një variant i ikonografisë, i gjetur në disa artistë të shekullit të 14-të si Turone, propozon një zgjidhje tjetër, por ende është Giotto ai që prin rrugës. Puthja që Joakimi dhe Anna shkëmbejnë është edhe puthja e parë e dashurisë e pikturuar në botën e krishterë. Sy për sy, me duart e saj rreth qafës, ashtu siç përshkruhet në apokrife, duke e përqafuar butësisht bashkëshortin. E kjo të kujton një puthje tjetër, të pikturuar nga Giotto, në të njëjtën kishëz Scrovegni: është ajo e Judës që nuk e përqafon, por e shtrëngon Krishtin si me një morsë. Ndërsa Gioacchino dhe Anna me qëndrimin e tyre, përfaqësojnë plotësisht qëllimin e martesës si sakrament.

Frytet e begata të pleqërisë

Duket edhe emblematike sesi kjo paraqitje e parë e puthjes së dashurisë nuk ka të bëjë me dy të porsamartuar, por me dy bashkëshortë të moshuar. Nëse ndalemi së reflektuari, forca e kësaj puthjeje na sjell në mendje sakaq fjalët e Papës Françesku, i cili vazhdimisht na kujton bukurinë, vitalitetin dhe butësinë e pleqërisë, veçanërisht në mesazhin për Ditën II Botërore të Gjysheve dhe të Gjyshërve. Të moshuarit, citon duke u nisur nga vargu i një psalmi: “Në pleqëri do të japin akoma fryte” (92,15).

26 korrik 2024, 09:53