Ipeshkvi Krótki i Ikaluit: “Papa i do popujt indigjenë”
R. SH. - Vatikan
Ndalesa e fundit e Papës Françesku në Kanada do të jetë në zonën e Arktikut, në Iqaluit, ku do ta mirëpresë imzot Anthony Wieslaw Krótki, ipeshkëv i gjirit Churchill-Hudson. Pritet posaçërisht takimi privat i Papës me të mbijetuarit e shkollave rezidenciale Inuit. Prelati ndalet pikërisht në rëndësinë e kësaj ngjarjeje dhe në shtegtimin pendestar të Françeskut në Kanada, për përqafimin, shërimin dhe pajtimin me popullsitë vendase të këtij kombi.
Iqaluit është kryeqyteti i trojeve Nunavut, në Arktik të Kanadasë, rreth 300 km në jug të rrethit polar: strehë e më shumë se gjysmës së popullsisë Inuit të vendit. Dioqeza është relativisht e re. Misioni i parë u themelua në vitin 1912, në bregun perëndimor të Gjirit Hudson, në Chesterfield Inlet. Themeluesi ishte ipeshkvi francez Arsène Turquetil. Dioqeza Churchill-Baie d’Hudson ishte e para në Kanada, që u kërkoi falje ish-nxënësve të shkollave rezidenciale, në vitin 1996 dhe, si dioqezat e tjera kanadeze, kohët e fundit ndihmoi në krijimin e Fondit Kanadez të Pajtimit Indigjen për projekte kulturore shërimi.
Shprehje dashurie
“Duke ardhur në Kanada - thekson Imzot Krotki - Papa po na kujton se i do popujt indigjenë dhe dëshiron që ne të gjithë të jetojmë në paqe e pajtim me njëri-tjetrin. Ka shumë rëndësi që Françesku të vijë në territorin e Nunavut, ku jeton më shumë se gjysma e popullsisë Inuit e Kanadasë. Ipeshkvi flet edhe për jetën e famullisë katolike. Është shumë aktive - tregon - përfshin indigjenë, por edhe popullsi të madhe multikulturore jo-indigjene. “Dioqeza - vijon - mbulon një territor shumë të madh, ku bashkësitë e ndryshme kanë një mundësi të vetme për t’u lidhur: udhëtimin me avion. E kjo e vështirëson shërbesën fetare, për të cilën ka aq shumë nevojë numri i vogël i besimtarëve dhe i laikëve. Popullsia e Nunavut - rreth 80% Inuit - është e krishterë, ndjekëse e traditës anglikane dhe katolike. Disa nga famullitë tona katolike drejtohen nga prijës laikë Inuit”.
Imzot Krotki ndalohet, më pas, tek prania e Oblatëve të Zojës së Papërlyer dhe Motrave Gri të Montrealit, duke kujtuar, më pas, se urdhri i tij fetar ka koleksionin më të madh të teksteve liturgjike të shtypura në një gjuhë indigjene në Kanada. “Në shumë mënyra - thotë prelati - Inuitët kanë qenë gjithmonë përhapës të zellshëm të Lajmit të Mirë në vendin e tyre. Ata u prinë misionarëve në hapat e parë, u mësuan gjuhën e, në disa zona, e mbollën vetë farën e krishterimit”.
Ipeshkvi ndalet edhe në tensionet, që kanë ndodhur në Ikaluit e që me rritjen më të shpejtë të Kanadasë, me një përzierje heterogjene kulturash duke filluar nga ajo Inuit, quhet edhe kryeqyteti më i ri. Tensionet lidhen kryesisht me zhvillimin dhe me bashkëjetesën. “Shpresojmë - thekson Imzot Krotki - që prania e Atit të Shenjtë të sjellë jo vetëm shërim për të prekurit nga ajo që ndodhi në shkollat rezidenciale, por të na ndihmojë edhe të kujtojmë humanizmin tonë të përbashkët dhe dëshirën për të jetuar së bashku, si Bij të Zotit”.