Lindja e Mesme: Koha e Ardhjes për të krishterët, pa pushime e pa drita
R. SH. - Vatikan
Që nga nëntori, Kishat dhe bashkësitë e Betlehemit dhe të Ramallahut njoftuan anulimin e të gjitha çasteve të këndshme që zakonisht paraprijnë dhe shoqërojnë solemnitetet e Kohës së Krishtlindjes, në solidaritet me popullsinë e Gazës. Patriarkët dhe krerët e Kishave të Jeruzalemit u kërkuan bashkësive kishtare t’i kremtojnë solemnitetet liturgjike pa i shoqëruar me festa dhe kremtime të jashtme, duke mbledhur lëmoshë për popullsinë e Gazës.
Munther Ishaq, pastor luteran në Betlehem, krijoi një skenë krejt të pazakontë të Lindjes së Krishtit në Kishën e tij: skenë e vendosur mes rrënojave, degëve të thyera dhe mbeturinave të ikonave e qirinjve, simbole të shkatërrimin të shkaktuar në Gaza nga bombardimet. “Po mesazhi është se Zoti është me ne në këtë dhimbje” - pohoi Munther Ishaq për agjencinë turke Anadolu.
Ndërkaq në Siri, ipeshkvi Hanna Jallouf, Françeskan i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, i emëruar kohët e fundit Vikar Apostolik i Halebit të Latinëve, në një letër të nënshkruar të martën, më 5 dhjetor, i ftoi priftërinjtë, murgjit dhe murgeshat e Kishës Latine, të pranishëm në Siri “t’i kufizojnë kremtimet e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri brenda kishave, famullive dhe manastireve, në solidaritet me popullin palestinez, veçanërisht në Rripin e Gazës”.
Në mesazhin, botuar nga faqja e internetit abouna.org, ipeshkvi françeskan shkruan:
“Duke pasur parasysh situatën aktuale që po kalon vendi ynë në përgjithësi dhe në solidaritet me Gazën e me popullin palestinez, të parët që na ndihmuan gjatë luftës dhe tërmetit, ju kërkoj që kremtimet e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri të kufizohen në Kishat, manastiret dhe famullitë tona kishtare". Letra përfundon me lutjen që Krishti Fëmijë "t’i mbushë zemrat dhe familjet me paqen, harmoninë dhe dritën e mendjes”. Ju uroj - shton akoma - një vit të bekuar. Gëzuar Vitin e Ri. O Bir i shpellës, lutu për ne". (Agenzia Fides 9/12/2023).