Kërko

 II Domenica di Avvento anno B II Domenica di Avvento anno B

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës II të Ardhjes 'B'

Më more për dore/në shkretëtirë, o Zot,/për të dëgjuar fjalën e Gjonit.../E foli fjalë të ashpra,/.../Jo, ky Profet,/i kapërthyer në lëkura/nuk deshi të më tmerrojë./Deshi dy sytë t’m’i hapë/për të parë, Atë/Jezusin/që jetën mund të ma ndërrojë./Të pranoj?/A të mos e pranoj?/Të besoj?/A të mos besoj?/Po ai sopatën vringëllon/e duhet të zgjedh…/Duhet të ndryshoj,/duhet ta nis/më në fund kthesën e madhe:../T’ vihem për udhë,për udhën e drejtësisëpër udhë të ndershmërisë,për udhë të dashurisë...

R.SH. - Vatikan

Në këtë të Diel të dytë të Kohës së Ardhjes, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik, Marku ungjilltar (1,1-8) na paraqet figurёn dhe misionin e Gjon Pagёzuesit, i cili hyn menjёherё nё skenё me pagёzimin e tij, qё ka si qёllim kthesën shpirtërore të atyre, qё i rrёfejnё mёkatet. Në mënyrë që kёshtu tё vihen në udhën e drejtësisë e tё dashurisë. Të ndjekim një fragment nga Ungjilli i kësaj së diele nga shën Marku:

1 Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit. 2 Në përkim me fjalët që shkruan Isaia profet: “Qe, unë po dërgoj lajmëtarin tim para teje që do ta bëjë gati udhën tënde; 3 është zëri i njërit që bërtet në shkreti: ‘bëni gati udhën e Zotërisë, rrafshoni shtigjet e tija!’”, 4 në shkreti u duk Gjon Pagëzuesi e predikonte një pagëzim pendese për faljen e mëkateve. 5 Mbarë krahina e Judesë e të gjithë jerusalemasit shkonin tek ai. Pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, Gjoni i pagëzonte në lumin Jordan. 6 Gjoni ishte i veshur me petk prej leshit të deves e rreth ijesh kishte brez lëkure. Ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. 7 Në predikimet e veta thoshte: “Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandaleve të tija. 8 Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt”.

Të lutemi së bashku:

 

Më more për dore

në shkretëtirë, o Zot,

për të dëgjuar fjalën e Gjonit.

Nuk ish shëtitje

e as shtegtim dëfryes.

Jo, nuk ishte!

Se Gjoni e nisi britmën,

e i shoi të gjitha zërat

që u prijnë shtegtimeve;

të gjitha zërat

që botën e shurdhojnë:

britma të çuditshme,

gjithnjë më shpesh pa kuptim!

E foli fjalë të ashpra,

krijoi figura

që s’të lënë asnjë shteg hapur:

kujtoi sopatën, që pa pikë mëshire,

e rrëzon  në pyll

drurin pa fryte,

për të bërë me të një zjarr

që ndrit e ngroh.

Krejt shtati m’u rrënqeth,

sopata m’u duk

si t’ çikte lëkurën e fortë,

të pa depërtueshme

të shpirtit tim:

dru me gjethe të thata,

përplot me fjalë,

me dukje plot,

por krejt pa fryt.

Dënim, pa kurrfarë shpëtimi?

Ëndërr e keqe?

Makth kalimtar?

Jo, ky Profet,

i kapërthyer në lëkura

nuk deshi të më tmerrojë.

Deshi dy sytë t’m’i hapë

për të parë, Atë

që jetën mund të ma ndërrojë.

Të pranoj?

A të mos e pranoj?

Të besoj?

A të mos besoj?

Po ai sopatën vringëllon

e duhet të zgjedh…

Duhet të ndryshoj,

duhet ta nis

më në fund kthesën e madhe:

ta pranoj mëkatin

që fshihet në shpirtin tim,

e ftesën për pastrim!

T’ vihem për udhë,

për udhën e drejtësisë

për udhë të ndershmërisë,

për udhë të dashurisë...

Prandaj Gjoni sopatën vringëllon,

që unë të mos ngulem

në pyllin e dendur të botës

si dru i thatë, pa fryte!

Të paktën të digjem zjarr

e ta ngroh botën!

09 dhjetor 2023, 09:47