Kërko

Motër Paësie në Haiti Motër Paësie në Haiti

Papa i telefonon motrës Paësie, engjëllit të të varfërve të Haitit: inkurajoi misionin tim

Rregulltare dhe "nënë" e 2500 të rinjve haitianë, murgesha mori një telefonatë të shtunën, më 3 shkurt, nga Françesku, i cili donte të informohej për situatën në ishull dhe të shprehte mbështetjen për veprimin e murgeshës në emër të më të varfërve: "Dikush na thotë se pa ndihmën e kishës, do të kishte vdekur... Ndonjëherë pyes veten se si njerëzit mund të jetojnë disa ditë pa ngrënë e pa pasur asgjë mbas shpirtit.

R.SH. - Vatikan

Zakonisht, kur motra Paësie gjen kohë për të marrë në dorë telefonin, gjithmonë e zënë me "grigjën e saj të vogël" të fëmijëve të rrugës në Haiti, domethënë se ka një problem për të zgjidhur. 3 shkurti i kaluar, rreth orës 13:00, ishte ndryshe. Në linjë ishte Papa që dëshironte të fliste me murgeshën franceze, e pranishme në Port-au-Prince që nga viti 1999 për t'iu kushtuar fëmijëve të lagjes më të varfër në kryeqytet, Cité Soleil, ku familja Kizito kujdeset për 2500 fëmijë. Françesku i telefonoi murgeshës për ta inkurajuar në misionin e saj, siç shpjegon motra Paësie në bisedën e saj me Vatican News – Vatican Radio.

Motra Paësie, si e pritët thirrjen e Papës Françesku?

Ishte një e papritur e madhe për mua. Kur ra telefoni, padyshim nuk e prisja fare që të ishte Ati i Shenjtë. Më dha një mesazh inkurajimi dhe më falënderoi që isha atje, me fëmijët. Më siguroi edhe për lutjen e tij, gjë që më preku vërtet. Po çka më preku më shumë në këtë thirrje, ishte edhe zëri i Atit të Shenjtë: ndjeva një ëmbëlsi të madhe dhe një mirësi të madhe. Natyrisht, e ndava menjëherë lajmin me bashkësinë time, me ekipin tim dhe disa djem. Kjo solli gëzim dhe shpresë për shumë njerëz të tjerë, sepse mesazhi nuk ishte vetëm për mua, ishte vërtet një gjest për fëmijët dhe më të varfrit e Haitit.

Pas rrëmbimit të gjashtë murgeshave muajin e kaluar, a ndiheni të sigurt? Pse bandat i vënë në shënjestër anëtarët e klerit, kur Kisha është gjithnjë pranë më të mjerëve?

Rrëmbimet në Port-au-Prince prekin të gjitha nivelet e shoqërisë. Disa njerëz mund të vihen veçanërisht në shënjestër, për shembull, më të pasurit që rrëmbehen thjesht për shpërblim. Por ndonjëherë rrëmbehen edhe kalimtarë të thjeshtë, udhëtarë në transportin publik dhe njerëz që nuk janë veçanërisht të pasur. Në rastin e gjashtë murgeshave është e vështirë të thuash diçka... Nuk besoja se Kisha ishte veçanërisht në shënjestër. Ata vepruan me shpresë se do të merrnin ndonjë shpërblim. Shpesh sulmi mund të varet nga mënyra e jetesës së njerëzve të kushtuar, priftërinjve ose murgeshave. Mbasi ka edhe nga ata, që mendojnë se lidhen me kategorinë e më të pasurve. Por nuk mund të përgjithësojmë. Falë rolit të tyre, disa  meshtarë janë shumë afër të varfërve, të tjerët, më pak.

Dhunë në rrugët e Haitit
Dhunë në rrugët e Haitit

Ju i ndihmoni shumë fëmijët e rrugëve, fëmijët e braktisur. Pa Kishën, pa veprimin tuaj, cila do të ishte e ardhmja e tyre?

Ata vërtet do të mbeteshin vetëm dhe në një gjendje varfërie. Çfarë do të ndodhte me ta? Vetëm Zoti e di. Por pak ditë më parë disa nëna më thanë: “Motër, po të mos ishe ti do të kishim vdekur të gjithë”. Mendoj se e tepruan paksa, por kështu mendojnë e kështu flasin. Ndonjëherë pyes veten se si është e mundur që disa njerëz arrijnë të mbijetojnë për disa ditë pa ngrënë  e pa asgjë mbas shpirtit! Çka mund të ndodhë me ta? Zoti e di! Po unë mendoj se Ai është aty, me ta, për ta. Mund të jetë i pranishëm përmes meje ose në një mënyrë tjetër. Por nuk i braktis kurrë bijtë e tij”.

05 shkurt 2024, 12:50