Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
La Passione di Gesù, oratorio a 4 voci su testo di Pietro Metastasio
Programe Podcast

Aborti, Comece: trishtim për votën e Parlamentit Evropian

Ipeshkvijtë e BE-së kundërshtuan ashpër rezultatin e votimit të Parlamentit Evropian, i cili miratoi dje Rezolutën për përfshirjen e abortit në "Kartën e të Drejtave Themelore". Sekretari i përgjithshëm i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të kontinentit: jeta është e drejtë themelore, jo aborti, që e mohon atë, pikërisht kur është më e brishtë. Thirrje për përgjegjësi politikanëve dhe votuesve në zgjedhjet e ardhshme evropiane

R.SH. – Vatikan

E drejta për abort të jetë e drejtë themelore e BE-së: këtë kërkojnë eurodeputetët pas votimit të djeshëm, më 11 prill, në Bruksel, me një mocion të miratuar nga 336 vota pro, me 163 kundër dhe 39 abstenime. Rezoluta ka vlerë politike, por jo normative dhe nuk është e detyrueshme. Me votimin e djeshëm, Këshillit të Evropës i kërkohet ta përfshijë të drejtën e abortit në "Kartën e të Drejtave Themelore" të Bashkimit Evropian, ndërsa vendeve anëtare u kërkohet ta dekriminalizojnë plotësisht abortin në ligjet e tyre dhe të luftojnë çdo pengesë për ndërprerjen vullnetare të shtatzanisë.

Kundërshtimi i fuqishëm i ipeshkvijve evropianë

Keqardhje të thellë për këtë rezultat u shpreh menjëherë nga Át Manuel Barrios Prieto, sekretar i përgjithshëm i Comece-së, Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian. “Na trishton shumë”, pohon ai, megjithëse pranon se rezultati “ishte i pritshëm, sepse Parlamenti Evropian i kësaj legjislature i ka votuar në mënyrë të ngjashme rezolutat mbi këtë temë”. Kujtojmë se ipeshkvijtë evropianë botuan një deklaratë për këtë çështje, ku paraqiten qartë argumentet e Kishës kundër votës së djeshme.

Jeta është e drejtë themelore, jo aborti

"Argumenti kryesor - shpjegon Át Barrios Prieto - është se aborti nuk mund të konsiderohet e drejtë themelore: e drejtë themelore e njeriut është e drejta për jetën dhe aborti është dukshëm kundër saj". Mohon të drejtën e jetës, pikërisht atëherë kur ajo është më e brishtë, siç është jeta e fëmijës në barkun e nënës, thekson ai.

BE-ja nuk mund të imponojë ideologji

Ndër argumentet e tjera kundër përfshirjes së abortit ndër të drejtat themelore, sekretari i përgjithshëm i Comece-së përmend respektin, që duhet të ketë Bashkimi Evropian për kompetencat kombëtare dhe për traditat e tjera kulturore dhe legjislative. BE-ja "nuk mund të imponojë një ideologji të caktuar dhe një mënyrë të caktuar për ta parë njeriun dhe seksualitetin", deklaron ai. Për më tepër, vetë "Karta e të Drejtave Themelore" u referohet të drejtave, që njihen botërisht, jo atyre mbi të cilat ekzistojnë "ndryshime në mendime e në ide".

Thirrja e Kishës për përgjegjësinë e politikanëve dhe të votuesve

Át Barrios Prieto shpreh keqardhjen për "qëndrimin e disa partive, të cilat i referohen traditës kristianodemokratike, siç është Partia Popullore Evropiane, e përçarë për këtë çështje". Shumica e deputetëve të saj votuan në favor të mocionit e kjo “është skandaloze”, komenton haptas meshtari.

Përballë kësaj situate, sipas sekretarit të përgjithshëm, Kisha ka për detyrë t'u kujtojë përgjegjësitë e tyre partive dhe politikanëve, por edhe votuesve, të cilët së shpejti do të thirren për të zgjedhur Parlamentin e ri Evropian. “Shpresojmë që Parlamenti i ri t’i ketë këto çështje për zemër – pohon Át Barrios Prieto – e kjo varet nga votuesit”. Si Kishë, përfundon ai, duhet “t’i shoqërojmë dhe t’i formojmë njerëzit, duke u shpjeguar mirë argumentet tona”.

12 prill 2024, 10:24
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031