Kërko

Indonezia Indonezia

Kardinali Suharyo i Xhakartës paraqet Indonezinë, që do të gjejë Papa Françesku

Në një intervistë me Vatican News, kardinali Ignatius Suharyo Hardjoatmodjo, kryeipeshkëv i Xhakartës, Indonezi, shpjegon se vizita e Papës Françesku, në shtator, pritet me padurim dhe paraqet grigjën e vogël katolike në vendin më të madh mysliman, flet për bashkëjetesën ndërmjet feve dhe për dëshminë e të krishterëve aziatikë

R.SH. – Vatikan

Këtë shtator, në udhëtimin e tij të 45-të apostolik jashtë Italisë, Papa Françesku do të niset në shtegtim në katër vende të Azisë dhe Oqeanisë. Fillimisht, do të vizitojë Indonezinë, vendin më të madh në botë me shumicë myslimane, ku katolikët janë mbi 8 milionë, 3.1 për qind e popullsisë. Ati i Shenjtë do të qëndrojë në kryeqytetin e Indonezisë nga 3 deri më 6 shtator, përpara se të vazhdojë shtegtimin në Papua Guinea e Re, në Timorin Lindor dhe në Singapor.

Me këtë rast, kardinali Ignatius Suharyo Hardjoatmodjo, kryeipeshkëv i Xhakartës, Indonezi, dha për Vatican News një intervistë, ku flet për vendin dhe për bashkësinë katolike, që jeton në të e për mënyrën si e pret ajo vizitën e Papës Françesku.

E pret “me entuziazëm të madh”, shpjegon kardinali. E jo vetëm bashkësia katolike, “por Imami i Madh i Xhamisë Shtetërore Istiqlal ishte ndër ata që e njoftuan për herë të parë vizitën e ardhshme të Papës Françesku, disa javë para njoftimit zyrtar të Vatikanit. Marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Indonezisë kanë një histori të gjatë. Vatikani është një nga pesë vendet, që e njohën së pari Pavarësinë e Indonezisë. Që nga viti 1947 ekzistonte një Legat apostolik, i cili tani është nunc në Xhakartë”. “Prania e Papës Françesku është shumë e rëndësishme”, pohon kardinali, i cili u bën thirrje katolikëve vendas të thellohen në mësimet e Atit të Shenjtë, edhe duke lexuar enciklikat e nxitjet e tij apostolike si  “Evangelii Gaudium”, “Laudato si”, “Fratelli Tutti”, etj..

Kardinali Ignatius Suharyo Hardjoatmodjo
Kardinali Ignatius Suharyo Hardjoatmodjo

Ç’do të thotë të jesh katolik në Indonezi?

 “Indonezia – vijon shpjegimin kryeipeshkvi i Xhakartës, duke folur për jetën e grigjës së vogël katolike në mesin e një popullsie myslimane - është një vend shumë i madh, i përbërë nga shumë ishuj, pothuajse 17 mijë, si edhe nga shumë fise, pasi ka më se 1300 grupe etnike, me shumë kultura dhe fe. Indonezia është vendi me numrin më të madh të myslimanëve në botë. Por Islami në Indonezi nuk është i njëjtë me Islamin në vende të tjera. Këtu e kanë selinë dy organizatat më të mëdha islame, Muhammadiyah dhe Nahdlatul Ulama, të dyja shumë tolerante. Unë vetë – pohon kardinali - kam marrëdhënie shumë të mira me liderët fetarë në nivel qendror dhe rajonal. Në thelb, kemi liri fetare, por realiteti në terren ndryshon nga vendi në vend. Aktualisht, shteti duket shumë serioz në lidhje me mbrojtjen e lirisë fetare”.

Katolikët, vëren kryeipeshkvi, jetojnë si gjithë të tjerët. Mund të punojnë në institucione të ndryshme, përfshirë institucionet qeveritare. “Të dielave njerëzit shkojnë në kishë. Disa duhet të udhëtojnë gjatë për të arritur në vendin e kultit. Në përgjithësi, jetojmë në paqe me të tjerët – thekson kardinali. - Jo pak katolikë janë bërë drejtues të shoqërisë pluraliste, duke punuar në institucione shtetërore, në poste të larta. Ka mjaft familje, anëtarët e të cilave janë besimtarë të feve të ndryshme. Kjo mund të mos jetë e imagjinueshme për vende të tjera. Gjithashtu, mjaft meshtarë e rregulltarë vijnë nga familje myslimane, hinduiste, ose budiste. Shumë bashkësi rregulltare jetojnë në kuvendet e tyre, ndërmjet shtëpive të njerëzve”.

Myslimanë në fund të Ramazanit në Indonezi
Myslimanë në fund të Ramazanit në Indonezi

Modeli indonezian i bashkëjetesës paqësore

Më tej, kardinali Ignatius Suharyo Hardjoatmodjo shpjegon “sekretin” e bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve, që e ka bërë Indonezinë model në Azi. “Një nga arsyet kryesore – nënvizon ai - është historia e formimit të shtetit indonezian. Para se të ekzistonte Indonezia, ky rajon ka qenë i kolonizuar nga vendet e huaja për më se 350 vjet. Ka tre gurë kilometrikë në historinë e formimit të Indonezisë. Së pari, në maj 1908, filloi të shtohet vetëdija kombëtare. Patëm Ditën e Zgjimit Kombëtar. Ky ndërgjegjësim arriti kulmin në tetor 1928, me një ngjarje, që quhet Betimi i Rinisë. Në këtë çast historik, në të parin nga tre takimet, që u mbajt në kompleksin e katedrales, organizatat rinore rajonale deklaruan se ishin për "një atdhe, një komb dhe një gjuhë", për Indonezinë, term, që filloi të përdorej pikërisht në atë kohë. Kjo lëvizje arriti kulmin me shpalljen e Pavarësisë së Indonezisë, më 17 gusht 1945”.

“Pavarësia e Indonezisë – shpjegon më tej kardinali i Xhakartës - nuk ishte dhuratë e kolonialistëve, por rezultat i një lufte të gjatë, që përfshiu të gjitha grupet etnike dhe të gjithë besimtarët. Të nesërmen, Pancasila (teoria zyrtare e filozofike, në themelet e Indonezisë) u vendos si bazë e shtetit. Pra, Indonezia nuk është shtet fetar, por republikë. Kjo e fuqizon unitetin e qytetarëve indonezianë. Pancasila ka pesë parime themelore, të cilat shërbejnë si bazë për Kushtetutën Indoneziane. I pari është 'besimi në një Zot të vetëm'. I dyti është 'humanizmi i drejtë dhe i qytetëruar'. I treti është 'uniteti i Indonezisë'. I katërti, 'demokracia e udhëhequr nga urtia e brendshme në unanimitet, që lind nga diskutimi ndërmjet përfaqësuesve' dhe i pesti është 'drejtësia sociale për gjithë popullin e Indonezisë'”.

Xhakarta, Indonezi
Xhakarta, Indonezi

Sfidat e shoqërisë indoneziane

“Historia e popullit indonezian në Kishën Katolike shprehet në Parathënien e Lutjes Eukaristike, e cila quhet Parathënie për Vendin e shihet si paralele me çlirimin e njerëzve të Zotit nga Egjipti, përshkruar në Besëlidhjen e Vjetër. Ashtu si eksodi nuk është i lirë nga sfidat, edhe rrugëtimi i kombit indonezian drejt idealeve të pavarësisë nuk është kurrë i lirë nga sfidat. Disa nga më të mëdhatë kanë të bëjnë me shpërndarjen e pabarabartë të pasurisë; me grupet, që ende duan të krijojnë një shtet islamik; me pabarazinë ekonomike; me sistemin politik, veçanërisht, me një ekonomi të pafavorshme për më të brishtët”.

Në këtë situatë, thekson së fundmi kryeipeshkvi i Xhakartës, e gjithë popullsia pret këshillat dhe nxitjen e Papës Françesku, i cili i ka vënë këto tema në qendër të papnisë së tij.

16 prill 2024, 17:33