Ndërron jetë në Romë Át Lello Lanzilli, i dashuruari me Shqipërinë
R.Sh. - Vatikan
“I pëlqeu Zotit të thërrasë p. Lello (Raffaele) Lanzilli pranë vetes, në zyrën e tij në Kurien e Përgjithshme të Shoqërisë së Jezusit, në Romë”.
Fillon kështu mesazhi tronditës në faqen Facebook të famullisë së Zemrës së Krishtit në Tiranë, që njofton se jezuiti i njohur nga shqiptarët sidomos për punën e tij me rininë, ka ndërruar jetë sot, 3 prill.
Ne, si redaksi e gjuhës shqipe në Radio Vatikan - Vatican News, që kemi bashkëpunuar shpesh me të, bashkohemi me dhimbjen e jezuitëve, të familjes e të gjithë atyre, që e njohën, duke shprehur ngushëllimet tona më të sinqerta. Át Lello pushofsh në paqe!
Në faqen zyrtare të internetit të Sinodit të Ipeshkvijve, ku ai shërbeu për një periudhë në Romë, para se caktohej në Sekretarinë e Vatikanit për Ekonominë si sekretar personal i prefektit dhe, njëkohësisht, si Sekretar rajonal i jezuitëve për Evropën jugore, lexohet: “Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit bashkohet me dhimbjen e Shoqërisë së Jezusit dhe me atë të familjarëve për largimin nga kjo botë të Át Raffaele (Lello) Lanzilli, ish-bashkëpunëtor i kësaj Sekretarie. Zoti Ngjallur e pranoftë Lello-n në plotësinë e jetës së tij të re!”.
I lindur në Napoli, Át Lello Lanzilli hyri në Shoqërinë e Jezusit në vitin 1981. Dëshira për të bërë diçka të bukur për Zotin dhe për të tjerët, veçanërisht për ata që kanë më shumë nevojë, e shtyu në këtë hap. Vinte nga një jetë familjare, për të cilën e falënderonte vazhdimisht Zotin, si edhe nga impenjimi në bashkësinë rinore CVX të Villa S. Luigi, nga studimet në shkollën e mesme dhe nga fillimi i studimeve për drejtësi, nga një pasion i madh për sportin, veçanërisht për futbollin, që i mësoi rëndësinë e qëndresës dhe nevojën e bashkëpunimit për një qëllim të përbashkët.
Pasi përfundoi studimet në teologji e filozofi e pas shugurimit meshtarak, Át Lello shkoi misionar në Shqipëri në marsin e vitit 1993 dhe qëndroi deri në verën e vitit 2014. Shërbeu në Baritorinë Rinore Universitare, duke mbajtur edhe kurse formimi në Tiranë, veçanërisht në fushën shoqëroro-politike. Në vitin 1996, u zhvendos në Shkodër, si atë shpirtëror në Seminarin Ndërdioqezan “Nëna e Këshillit të Mirë”, duke kryer edhe detyrën e profesorit të psikologjisë dhe moralit në Institutin Filozofiko-Teologjik të të njëjtit seminar.
Në shtator 2010 u emërua drejtor i gjimnazit " Át Pjetër Meshkalla", detyrë, të cilën e mbajti deri në largimin e tij nga Shqipëria. Gjatë këtyre viteve, ishte edhe epror i bashkësisë së jezuitëve në Shqipëri e kancelar i kryeipeshkvisë Shkodër-Pult. E kujtojmë, shkruhet në mesazhin e publikuar nga famullia e Zemrës së Krishtit në Tiranë, kontributin e tij për Kishën dhe për shoqërinë shqiptare në fushën e formimit biblik, teologjik, moral, psikologjik e pedagogjik, si edhe në shoqërimin shpirtëror të meshtarëve e laikëve.
10 vjet më parë u kthye në Romë, por Shqipëria mbeti gjithnjë ëndrra e tij, pika e tij e dobët e pikërisht këto ditë, po përgatitej të kthehej, edhe një herë misionar, në vendin, që e kishte pritur dikur e që tani e konsideronte të tijin. Por Zoti kishte plane të tjera dhe e mori me vete, ndërsa po punonte në tryezën e zyrës së tij në Kurien e Shoqërisë së Jezusit, në Romë. Bashkëpunëtorët e tij në Sekretarinë e Vatikanit për Ekonominë e prisnin sot në mëngjes në punë, të çuditur e të shqetësuar që nuk kishte njoftuar vonesën a mungesën, kur erdhi lajmi për vdekjen. S’mundën të bënin tjetër, veçse t’ia besonin Hyjit të Gjithëpushtetshëm, në meshën e kremtuar për shpirtin e Át Lello-s, në orën 13.
Mesha e dritës dhe riti i salikimit për At’Lello do të jetë me datë 5 prill në orën 10.00 në Kishën e Jezusit në Romë.
Ja një pjesë nga një intervistë e jona me Át Lello Lanzilli-n, realizuar më 1 mars 2018 me të cilën ju ftojmë t'ia dëgjoni zërin, që do të mbetet përherë në arkivat e Radio Vatikanit - Vatican News: