Kërko

Vangelo della X domenica anno 'B', Gesù e gli scribi Vangelo della X domenica anno 'B', Gesù e gli scribi

Fjala e Zotit e dielës së 10-të gjatë vitit kishtar “B”

Skribët, njerëz të mësuar, që i njihnin thellësisht Shkrimet e Shenjta, të cilat ia shpjegonin popullit, për ta diskredituar Jezusin përpara njerëzve, e akuzuan se ishte i pushtuar nga Beelzebuli dhe se i dëbonte djajtë me ndihmën e kryetarit të demonëve. Jezusi reagon me fjalë të forta e të qarta, mbasi këta skribë, ndoshta edhe pa u kujtuar, po binin në mëkatin më të rëndë: po mohonin e po blasfemonin Dashurinë e Zotit, që është gjithnjë e pranishme dhe vepron në Të.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, së kësaj radhe, meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Dielës së 10-të, gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendari liturgjik.

Fjala e Zotit e Dielës së 10 gjatë vitit B

Me këtë të diele, të 10-tën gjatë vitit kishtar, pasi kremtuam kohën e kreshmëve, kohën e Pashkëve e atë të Rrëshajëve, po i kthehemi kohës së zakonshme a të rëndomtë të kalendarit kishtar, e vazhdojmë nën udhëheqjen e shën Marku ungjilltar të njihemi me figurën dhe veprën shëlbimpruese të Jezus Krishtit. Këtë të diele, kemi një fragment të Ungjillit të Markut, në të cilin kemi shumë mësime dhe ide për reflektimin tonë.

Autori i Librit të Zanafillës (Zan 3, 9-13), në Leximin e Parë të kësaj së diele, na kujton pasojën e mëkatit të njerëzve të parë dhe premtimin, bërë nga Zoti, për dërgimin e një shpëtimtari (shëlbuesi) që përfundimisht do t’ia ndrydhë kokën djallit e do të bëjë të triumfojë e mira.

Në Leximin e Dytë, në fragmentin nga Letra e Palit drejtuar Korintianëve ( 4,13-5.1)- Apostulli shpall bindjen e vet, bazuar mbi Ngjalljen e Krishtin, ndaj së cilës sprovat e vuajtjet  e tashme të madhe, e madje edhe vetë vdekja nuk do ta mposhtin, por për ne, që mbështetemi dhe besojmë në Jezu Krishtit, përgatitet një botë e re.

Pjesa e Ungjillit nga Marku na paraqet Jezusin në qendër të një lëvizje marramendëse njerëzish. Turma, familjarë të tij nga Nazareti, skribë e farisenj, dhe dymbëdhjetë apostujt, që ishin mbledhur plot e përplot rreth tij. Persona të joshur nga ai, që donin të kuptonin se kush është më të vërtet Jezusi.

I shkreti Jezus (Ungjilli): e konsiderojnë të marrë, thonë se Ai “nuk është në vete”, besojnë se ka djallin brenda, mendojnë se është i pushtuar nda djalli. Por gjithçka shërben për të shtjelluar një mësim të mirë. Edhe prania e nënës së tij dhe e “vëllezërve” të tij, i ofron Jezusit rastin për t’i përcaktuar lidhjet e veta të vërteta: kushdo e kryen vullnetin e Hyjit Atë, bënë pjesë, pra, është anëtar i familjes së tij të vërtetë.

                                                    Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi parë Zan 3,9-13

 

Lexim prej Librit të Zanafillës

Zoti e thirri njeriun dhe i tha: “Ku je?” Ky i përgjigj: ”Dëgjova zërin Tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq dhe u fsheha.” Ai i tha: “Kush të tregoi se je lakuriq? A mos ngrëne frytet nga pema prej së cilës të kam urdhëruar të mos hash?” Njeriu përgjigji: “Gruaja, që ma dhe për shoqe, ajo me dha frytet prej pemës dhe hëngra.” Atëherë Zoti Hyj i tha gruas: “Pse e bëre këtë?” Gruaja përgjigji: “Më gënjeu gjarpri dhe hëngra.” Atëherë Zoti Hyj i tha gjarprit: “Pasi e bëre këtë gjë, qofsh mallkuar ndër të gjitha bagëtitë dhe kafshët e egra! Do të ecësh përmbi barkun tënd dhe do të hash pluhur për ditë e mot të jetës sate! Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës sate e farës së saj: fara e saj do ta ndrydhë kokën, kurse ti do t’ ia ngjeshësh në shteg për thembër.” Fjala e Zotit!

 

Psalmi 130

Ref. Zoti është mirësia dhe mëshira

———————————————-

Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,

o Zot, dëgjoje britmën time!

Le ta dëgjojnë veshët e tu,

zërin e lutjes sime.

—————————————————

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë , o Zot,

o Zot, e kush do të qëndrojë para teje?

Por tek ti gjendet falja

që të dimë të të druajmë.

————————————————

Shpresoj në ty, o Zot,

shpirti im shpreson në premtimin e tij.

E pret shpirti im Zotin

më tepër se rojtarët agimin.

————————————————-

Le të shpresojë Izraeli në Zotin,

sepse te Zoti është mëshira

dhe i madh është tek Ai shpërblimi.

Ai do ta nxjerrë Izraelin prej të gjitha paudhësive të tija.

——————————————————————–

  

Leximi dytë 2 Kor 4,13:5,1

 

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve 

Vëllezër, pasi kemi të njëjtin shpirt  feje, sikurse është në Shkrim shenjt: ‘Besova, prandaj edhe fola’, edhe ne besojmë prandaj edhe flasim, sepse e dimë se Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjall bashkë me Jezusin dhe do të na vërë bashkë me ju pranë vetes. E të gjitha këto ngjajnë për ju: që hiri i shumëzuar, të bëj  sa më të begatshëm falënderimin e bashkësisë së shtuar, në lavdi të Hyjit.

Prandaj, nuk e humbim guximin por edhe nëse njeriu ynë i jashtëm shkon duke u shkatërruar, njeriu i brendshëm dita ditës përtërihet. Sepse vështirësia jonë e lehtë dhe e përkohshme na sjell në lavdi të përjetshme pa krahasim më të madhe. Ne nuk kemi për qëllim të fitojmë gjërat e dukshme, por ato që nuk shihen; sepse sendet e dukshme janë të përkohshme kurse sendet që nuk shihen janë të përjetshme. Fjala e Zotit! 

Aleluja!

Unë ju quajta miq, thotë Zoti,

sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.

Aleluja! 

 

Ungjilli Mk 3,20-35

 

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi u kthye së bashku me nxënësit e vet në shtëpi. Prapë u mblodh turmë e madhe sa që as nuk mund të hanin bukë. Kur morën vesh të tijtë, shkuan ta marrin sepse flitej: “Nuk është në vete.” Kurse skribet që zbritën nga Jerusalemi, thoshin: “ E ka në trup Beelzebulin e me anë të kryetarit të djajve i dëbon djajtë.”

Ai i thirri t’i afrohen dhe filloi t’u flas me shëmbëlltyra; “Si është e mundur që Djalli ta dëboj djallin. Në qoftë se një mbretëri çohet kundër vetvetes, ajo shkatërrohet. Po ashtu edhe ajo shtëpi që çohet kundër vetvetes, shkatërrohet. Nëse pra, Djalli çohet kundër vetvetes dhe përçahet, ai shpartallohet – i erdhi fundi! Dhe dihet që s’ ka njeri që mund të hyjë në shtëpinë e të fortit dhe t’ ia marrë plaçkat pa e lidhur atë me parë. Vetëm atëherë mund t’ ia plaçkitë shtëpinë.

Për të vërtetë po ju them: njerëzve do t’ u falen të gjitha mëkatet e blasfemitë, me të cilat do të blasfemojnë, por kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’ do të ketë falje për amshim: është fajtor i një mëkati të përhershëm.” Sepse thoshin: “Ka qoftëlargun në trup!”

Ndërkaq erdhën nëna e tij dhe vëllezërit e tij. Zunë vend përjashta dhe dërguan dikën ta thërrasë. E kishin rrethuar shumë njerëz. Po i thonë: “Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e po të kërkojnë.”

Ai u përgjigj: “Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?” Si ua hodhi sytë rreth e rrotull atyre që rrinin për rreth tij, tha:”Ja nëna ime e vëllezërit e mi” Sepse, kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!” Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Kolë Dedaj

Homelia nga dom Kolë Dedaj, dioqeza Prizren Prishtinë

 E diela X gjatë vitit 'B': Nëna ime e vëllezërit e mi: ( Zan 3,9-13; Ps 130 (129); 2Kor 4,13 – 5,1; Mk 3,20-35)

Tradita Kishtare, që prej fillimit të saj, është munduar të përfytyrojnë të shenjtën dhe hyjnoren përmes artit. Prandaj artistët e shenjtë shkruan ikonat e para, pikturuan afreskë e piktura vaji, kompozuan një shumësi këngësh, të gjitha këto që ta lartësonin njeriun dhe përmes tyre ta afronin atë me hyjnoren. Shpesh kanë ndodhë edhe keqkuptime ku në vend të Hyjit është menduar se po adhurohen idhujt në formë shëmbëllimesh. Për këtë arsye patën filluar t’i thenin idhujt e çfarëdo shëmbëllimi, e quajtur në histori si ikonoklastia. Koncili i Kostandinopojës (843) vendosi nderimin e duhur të ikonave dhe ndalimin e thyerjes së tyre. Njëra ndër arsyetimet për mbrojtjen e tyre ishte fakti se që prej kohësh kanë ekzistuar ikona ἀχειροποίητον acheiropoieton “jo të bëra me dorë”, që kanë nxitur këtë nderim. Një e tillë është Ikona e Edessës (400) e mbajtur si ikona e “parë” e quajtur Mandylion μανδύλιον “mindil”, me fytyrën e Krishtit në të[1]. Ndoshta tjera më të njohura në kohët moderne janë çarçafi i Turinit dhe tilmahtli i Zojës së Guadalupes.

Në librin e Zanafillës, Zoti e krijon njeriun në shëmbëllimin dhe përngjasimin e vet, e krijon mashkull dhe femër (shih Zan 1,26-27)[2]. Zoti, do të thoshim ne, e krijoi ikonën në përngjasimin e vet, ikonë dypjesëshe, burrë e grua dhe ashtu si ishin, në cullakinë e tyre, e bridhnin lavdinë e Hyjit. Po që atëherë ka pas ikonoklsatë, gjarpri, i cili u mundua ta thyej ikonën e Hyjit dhe ta ndaloj atë që ta përçojë dritën e lavdisë hyjnore. Mjeti kryesorë që Satani përdorë, siç mund ta lexojmë në leximin e parë të kësaj së diele, është mashtrimi dhe manipulimi, duke mbjellë rrena mes burrit e gruas e kështu duke thyer marrëdhënien me Zotin. Kjo thyerje dallohet menjëherë në fjalët u tremba dhe u fsheha, sepse jam lakuriq. Sa çudi, njeriu trembet nga i njëjti zë që e ka krijuar! Thyerja bëhet edhe më e thellë kur njeriu vazhdon dhe ia vë gishtin t’shoqes së vet, pjesës përplotësuese të ikonës, duke e akuzuar.

Edhe sot e kësaj dite kjo ikonoklasti është në vijim e sipër. Si thotë Isaia profet «Vaj për ata që të keqen e quajnë të mirë e të mirën të keqe, që terrin e mbajnë për dritë e që dritën e mbajnë errësirë, që të idhtën e mbajnë për të ëmbël e të ëmblën e mbajnë për të idhtë!» (Is 5,20). Punëtorët e gjarprit që mbjellin rrena se gjinia mund të zgjedhet, se është normale të vritet fëmija ende në kraharorë, se ikona është e bukur edhe një pjeshëse apo edhe me dy pjesë të njëjta. Këto të zeza i shesin për të bardha edhe me sukses indoktrinojnë duke filluar që në media, shkolla e mediume tjera. E kushdo që fletë kundër tyre të vërtetën sulmohet si Krishti në Ungjillin e sotëm «nuk është në vete».

Për ta nxjerrë ikonën e vet prej humnerës, Zoti e dërgoi Birin e vet, Krishtin, i cili na shëlboi me vdekjen e ngjalljen e tij. Kur Krishti flet në ungjill për mbretërinë e Hyjit, punëtorët e gjarprit, thonë «e ka në trup Beelzebulin e me anë të kryetarit të djajve i dëbon djajtë». Mundoheshin të bardhën ta shesin për të zezë. Mundoheshin që pasqyrimin e Lavdisë dhe vulën e qenies së Hyjit (krh. Heb 1,3) ta përdhosnin, por më kot. Ndër të pranishëm kishte edhe asish që e dëgjonin me ëndje Krishtin, pasqyrimin e Lavdisë. Ata që e dëgjonin Jezusin aty, por edhe të gjithë ne sa herë që e dëgjojmë dhe e zbatojmë fjalën e Jezusit, jemi të denjë për të qenë pjesëtarë të familjes së tij, siç thotë sot: «vëllai im, motra ime e nëna». Jezusi e mbanë familjen bashkë, të atëhershmen dhe të sotshmen. Ai ia rikthen shkëlqimin e lavdisë ikonës së Hyjit.

Bota e sotit është e përqendruar rreth pasurisë dhe rehatisë. Nuk them se pasuria s’qënka e nevojshme, sidomos në kohën tonë ku gjithçka është e qëndisur aq bukur sa që pasuria e rehatija janë bërë të domosdoshme, saqë shumëkush pa to s’mund të kaloj as një gjysmë ore. Por gjërat e domosdoshme me të vërtetë janë tjera, të brendshme. «Sendet e dukshme janë të përkohshme, kurse sendet që nuk shihen janë të përjetshme». «Ne nuk e kemi për qëllim të fitojmë gjërat e dukshme, por ato që nuk shihen». E dimë fort mirë se përqendrimi rreth këtyre të mirave të dukshme, shkakton mund, djersë e shqetësim e në fund të fundit nuk na bëjnë të lumtur, sepse ma shpejt shkojnë se vinë, e kur vinë shqetësohemi t’i ruajmë. Nëse ne nuk mundohemi ta mbajmë të pastër ikonën jo të bërë me dorë të njerëzve, madje ta lustrojmë, atëherë kemi humbur prioritetet, sepse kjo tendë – shtëpia jonë tokësore – do të shkatërrohet. Por ne, ikona acheiropoieton, jemi të bërë për godinën qiellore të punuar jo prej njerëzve, por prej Hyjit dhe s’gjejmë pushim derisa të pushojmë në Të.

Ne sa herë të gjendemi në humnerat e ditëve të sotit, në vështirësi, e në çdo lloj rruge çorre, të mos e humbim guximin, sepse «vështirësia jonë e lehtë edhe e përkohshme na sjell një lavdi të përjetshme, pa krahasim më të madhe». Le t’ia drejtojmë lutjet tona Zotit me zërin e psalmistit «prej humnerës klitha tek ti, o Zot,/ o Zot dëgjoje lutjen time!» me bindjen e plotë të Shën Palit «e dimë se Ai që e ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjallë bashkë me Jezusin dhe do të na vërë bashkë me ju pranë vetes».

[1] Eusebius, Historia Ecclesiae, 1.13.5-1.13.22. Shtegtimet e Egerias 384. The Doctrine of Addai, the Apostle, 13-14 in

https://www.tertullian.org/fathers/addai_2_text.htm#1

[2] TM heb. «naʿăśê ʾādām bǝṣalmēnû kidmûtēnû», LXX gq. « Poiḗsōmen ánthrōpon katʼ eikóna hēmetéran kaì kathʼ homoíōsin».

08 qershor 2024, 11:11