Zgjedhjet evropiane, Comece: parlamentarët të jenë në shërbim të gjithë qytetarëve
R.SH. – Vatikan
Lufta dhe gjendja në Ukrainë, pasiguria ekonomike, rreziku i deklasimit, humbja e vrullit fillestar dhe, si rrjedhojë, kërkimi i identitetit: këta janë faktorët, që çuan në rezultatin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, gjatë të cilave votuesit e 27 vendeve të BE-së dëshmuan frikën dhe kritikën e tyre për një Evropë, që u duket "shumë teknokratike, tejet e largët nga jeta reale e qytetarëve, shumë e fiksuar në disa tema", që ndoshta, nuk janë edhe aq të rëndësishme. Imzot Antoine Hérouard, zv.kryetar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece) dhe kryeipeshkëv i Dizhonit, reflekton mbi votimin e qytetarëve evropianë, duke nënvizuar se shpesh ai shpreh “pakënaqësinë kundër qeverive në shumë vende”.
Një Evropë solidare
Comece inkurajon parlamentarët e zgjedhur, duke u kërkuar atyre vetëdijen se “janë në shërbim të gjithë Evropës dhe jo vetëm në mbrojtje të disa interesave të veçanta". Çështja themelore për ipeshkvijtë është ndërtimi i një Evrope solidare, “që krijon lidhje ndërmjet vendeve anëtare, por edhe e vendos Evropën, në një mënyrë të veçantë dhe origjinale, në marrëdhënie me vendet e mëdha të botës”.
Detyrimet ndaj të tjerëve
Imzot Hérouard kërkon që të merret parasysh kjo votë kritike e evropianëve, të cilët, megjithatë, e lanë Partinë Popullore Evropiane si “grupin më të madh në Parlament”. Prandaj, "rezultati nuk do të thotë se duhet të mbështesim logjikën e një numri të caktuar partish" të përcaktuara si “të djathta ekstreme apo populiste", por do të thotë "që pakënaqësia e shprehur në zgjedhje të merret parasysh në shërbimin e mazhorancës, që do të dalë nga zgjedhja e liderëve kryesorë”. Parlamenti Evropian aktual, denoncon prelati, vitet e fundit, ka punuar për një proces "de-kristianizimi të fuqishëm" të kontinentit evropian. Kisha vë në dukje se "liritë individuale nuk janë pa kufi"; se kemi "detyrime për njëri-tjetrin dhe për ndërtimin e një shoqërie dhe të një Evrope solidare, në të cilën ka vërtet vend për më të vegjlit, për më të brishtët, për njerëzit në vështirësi të çdo lloji"; se çështja e migracionit duhet trajtuar "me sinqeritet, vërtetësi dhe me njëfarë hapjeje, pasi nuk mjafton të thuhet se Evropa nuk do më emigrantë".
Vlerat e mbrojtura nga Kisha
Në vend të kësaj, vijon kryeipeshkvi i Dizhonit, kryesia e Evropës është “përpjekur të përcaktojë ato, që disa i kanë quajtur të drejta të reja, por që janë më shumë çështje të shumëfishimit të të drejtave individuale, pa marrë parasysh elementet e solidaritetit të nevojshëm brenda shoqërisë”. Comece, duke mos mbështetur asnjërën prej partive, thekson më pas se çështjet që lidhen me mbrojtjen e jetës, të drejtat e punëtorëve, ndihmën e ndërsjellë ndërkombëtare dhe zhvillimin e vendeve më të varfra mbeten vlera evropiane "të inkurajuara nga Kisha”, që kanë të bëjnë me “demokracinë, me shtetin e së drejtës, me vlera shumë të ndryshme dhe shumë të gjera, të cilave Papa Françesku u është referuar shpesh në fjalimet e tij të shumta për integrimin europian”.
Evropa në shërbim të qytetarëve
Imzot Hérouard dhe Comece nënvizojnë urgjencën e trajtimit të çështjes së ambientit, që ka sjellë mosbesim ndër evropianët, për shkak se ndryshimet e kërkuara kanë kosto të lartë ekonomike. Ftohen krerët e Evropës të mendojnë politika në shërbim të qytetarëve, duke ua kuptuar shqetësimet e duke i mbrojtur, pa u mbyllur në vetvete. Evropa, që na duhet, nuk është ajo që mbron "vetëm të drejtat personale të secilit", por është ajo që krijon "solidaritet të vërtetë ndërmjet vendeve dhe qytetarëve", sepse "projekti evropian është projekt solidariteti e bashkimi" e kjo nuk duhet harruar kurrë.