Kërko

Vangelo della XVI domenica dell'Anno 'B' Vangelo della XVI domenica dell'Anno 'B'

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XVI 'B': Jezusit iu dhimbsën njerëzit

Ti o Krisht, ndien dhembshuri/e nuk u ikën kërkesave të njerëzve./Vërtetë, shi për këtë ke ardhur në tokë.../ E jo vetëm atëherë, por edhe sot, o Jezus./Sepse kur punët shkojnë keq/ ata, që vuajnë të parët, janë gjithmonë/të varfrit, të vegjlit, ata që s’i llogarit kush./Pasi viktimat e parashikueshme të krizës/janë gjithnjë ata, në mëshirën/e tinzarëve, të dinakëve, të të fortëve./O Zot, na jep dhembshurinë tënde,/që të reagojmë me guxim,/të shkojmë drejt të tjerëve pa frikë, për t’i ndihmuar

R.SH. - Vatikan

Ungjilli i Kësaj së diele, marrë nga kreu 6 i Shën Markut, në të dielën XVI të vitit kishtar, na dëshmon se Zoti i ka konkretizuar premtimet e tij në Jezusin e Nazaretit. Përmes Shëlbuesit, Hyji vigjëlon mbi popullin e vet. Në Ungjill përshkruhen njerëzit e Galilesë, për të cilët nuk kujdesej askush. Ata e rrethojnë Jezusin, sepse e ndiejnë se ai shqetësohet për ta e mund t’i ndihmojë. E Ai kështu bën vërtet, duke u sjellë shëlbimin atyre, që i drejtohen me besim. Të ndjekim pjesën ungjillore…

30 Në atë kohë, apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. 31 Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi”. Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin. 32 Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. 33 Porse njerëzit i panë në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, në këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre. 34 Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe populli, iu dhimbsën, sepse ishin porsi ‘dhentë pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.

Të lutemi së bashku:

Sheh rreth vetes kaq shumë vuajtje

e askënd që ka për zemër

fatet e të varfërve e të ligshtëve.

E di sa të çorientuar,

të trishtuar e të vetmuar

ndihen ata, që dëshirojnë me zjarr

dikë, i cili t’u japë pakëz dritë

t’u ndriçojë udhën e drejtë,

të ndajë me ta bukën e urtisë

që t’u bëjnë ballë mesazheve joshëse

e të drejtohen me delikatesë e mirësi kah udha e Zotit.

 

Është pritja e sinqertë e sa e sa njerëzve,

me pyetjet e dyshimet e tyre,

me rraskapitjen e këputjen e tyre,

që të mallëngjejnë thellë në shpirt.

 

Prandaj, Ti o Krisht, ndien dhembshuri

e nuk u ikën kërkesave të tyre.

Në të vërtetë, shi për këtë ke ardhur në tokë.

Ky është objektivi i misionit tënd,

ai që ka më shumë rëndësi.

E jo vetëm atëherë, por edhe sot, o Jezus.

Sepse kur punët shkojnë keq

ata, që vuajnë të parët, janë gjithmonë

të varfrit, të vegjlit, ata që s’i llogarit kush.

Pasi viktimat e parashikueshme të krizës

janë gjithnjë ata, në mëshirën

e tinzarëve, të dinakëve, të të fortëve.

 

Prandaj, o Zot, na jep dhembshurinë tënde,

që të reagojmë me guxim,

të shkojmë drejt të tjerëve pa frikë, për t’i ndihmuar me bujari.

20 korrik 2024, 10:35