Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës XVIII 'B': Jezusi, buka e jetës
R.SH. - Vatikan
Ungjilli sipas Gjonit (kreu 6) na shpjegon rëndësinë, që ka besimi në Krishtin. Ai është i dërguari i Zotit, bart zbulesën e fundme, e cila na hap udhën drejt Hyjit. Kush e ndjek Jezu Krishtin me fe, kush hyn me Të në bashkësi përmes pagëzimit, kush e merr për shembull dhe e dëgjon – nxjerr në pah kjo e diel XVIII e vitit kishtar 'B' - pikërisht përmes Jezusit do të gjejë të vërtetën, që ia shuan urinë e jetës. Të ndjekim pjesën ungjillore…
24 Në atë kohë, kur njerëzit panë se aty nuk ishte as Jezusi, as nxënësit e tij, hynë në lundra dhe kaluan në Kafarnaum për të kërkuar Jezusin. 25 Kur e gjetën në anën tjetër të detit, i thanë: “Rabbi, kur erdhe këtu?” 26 Jezusi u përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: më kërkoni, jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë. 27 Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme: atë do t’jua japë Biri i njeriut, sepse këtë e vulosi Ati-Hyj. 28 Atëherë ata i thanë: “Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?” 29 Jezusi u përgjigj: “Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në Atë që Ai e dërgoi”. 30 “Çfarë shenje bën ti, - i thanë ata - që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote? 31 Etërit tanë hëngrën mannën në shkreti si shkruan edhe në Shkrimin Shenjt: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit’”. 32 Jezusi u përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën: 33 sepse buka e Hyjit është Ajo, që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën”. 34 Atëherë i thanë: “Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!” 35 Jezusi u përgjigj: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.
Të lutemi së bashku:
Sigurisht që Ti, o Krisht, s’e ke ndërmend ta nënvlerësosh
atë uri, që ua merr shpirtin sa e sa njerëzve,
vëllezërve tanë,
e i dënon me rraskapitje,
me këputje, me sëmundje,
e shpesh, fatkeqësisht, edhe me vdekje.
Pikërisht këtë uri deshe ta shuash fillimisht.
Por pastaj, na kërkon të mos ndalemi aty,
ta kuptojmë shenjën që na dhe e të ecim më tej,
sepse edhe kur kemi ngrënë sa s’pëlcasim,
jetës sonë i mungon diçka thelbësore.
Ka një bukë jete të amshuar,
që vetëm Ti mund ta dhurosh, o Jezus,
e ajo shuan një uri më të thellë,
që e bartim si shenjë të pashlyeshme:
jemi krijuar në shembëllim e në përngjasim me Hyjin
prandaj kemi uri për të,
për plotësinë e jetës, bukurinë, gëzimin,
që vetëm Ai i Lumi na e jep.
E këtë uri nuk e shuajnë
surrogatet e krijuara nga njerëzit,
por vetëm Ti, që je
Buka e jetës ofruar për njerëzimin.