Të meditojmë me Ungjillin e dielës së 23-të vitit 'B': Effathà
R.SH. - Vatikan
Një i shurdhër, që ngjan shumë me ne, kur jetojmë në mëkat, është në qendër të Ungjillit të kësaj së diele të 23të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas Markut (Mk 7,31-37), në të dielën e 23-të të vitit liturgjik, ciklit të dytë 'B. Ajo “Effathà” është si sakramenti i Krishtit, që na ofron faljen edhe sot, na i hap veshët e na e zgjidh gjuhën, e meshtarët e kremtojnë në çdo Pagëzim. Kështu, mrekullia e më se 2000 vjetëve më parë, përsëritet pambarimisht. Por le të ndjekim Ungjillin nga Marku:
Jezusi doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit. Ia sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. Ai e ndau prej popullit veçmas, ia shtiu gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha” – që do të thotë: “Çelu!” E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm. Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin: “Gjithçka bëri mirë! Ky po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!”
Të lutemi së bashku me Ungjillin
Jam unë o Zot,
ai njeri që mezi flet,
i pafatë të dëgjojë.
Hesht, pse është i shurdhër.
Edhe unë jam i paaftë të dëgjoj, nganjëherë.
Hesht, ose nuk flas si duhet,
sepse fjalët varen nga mënyra e dëgjimit.
Të tjerë më çojnë tek Jezu Krishti
e Ai më merr anash,
për një takim sy për sy.
Shëlbim, ky i imi,
që kalon gjithmonë përmes të tjerëve
e, në ta, përmes Dikujt Tjetër.
Jezusi flet me trupin e vet,
në një liturgji duarsh, gishtash,
veshësh, gjuhësh, vështrimesh.
M’i hap të gjitha shqisat,
që unë të gjej kuptimin e jetës.
Effathà: hapu!
Bën të dëgjojnë të shurdhërit
e të flasin memecët.
Është fryma e Shpirtit Shenjt
që i kthen njeriut dinjitetin e Birit!