Të meditojmë me Ungjillin e dielës së 23-të vitit 'B': “Ti je Mesia”
R.SH. - Vatikan
Edhe në këtë të diele të 24-t të vitit kishtar, Ungjilli sipas Markut (8,27-35) na bën të dëgjojmë zëra e gjykime nga më të ndryshmet për Jezusin: dikush mendon se ai është njeri i urtë, tjetri se është moralist, një tjetër se Ai është protagonist i historisë e, ka nga ata që flasin keq për Të. Por i vetmi identitet i vërtetë i Jezusit është ai, që e thotë Pjetri me zë të lartë: “Ti je Mesia”. Të ndjekim pjesën ungjillore…
Në atë kohë, Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet: “Çka thonë njerëzit, kush jam unë?” Ata i përgjigjën: “Disa thonë se Gjon Pagëzuesi, do tjerë Elia, do tjerë prapë se je njëri ndër profetë.”
Atëherë i pyeti ata: “Po ju, kush thoni se jam?” “Ti je Mesia!” – i përgjigji Pjetri. Ai u urdhëroi rreptësisht të mos i tregojnë askujt këtë gjë për të. Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh. Ua tha këto krejt haptas.
Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë. Jezusi u suall, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djall, se nuk i ke ndërmend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”
Atëherë grishi popullin bashkë me nxënësit e vet dhe u tha: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë. Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë.”
Të lutemi së bashku me Ungjillin:
Unë bart mbi vete, o Jezus,
si të gjithë bijtë e kohës sime,
një dëshirë të madhe për t’ia dalë mbanësh,
për të realizuar në jetë
diçka të jashtëzakonshme,
të denjë për admirim.
E Ti, çfarë më kërkon?
Ta mohoj vetveten,
pra, të mos mendoj për veten,
për suksesin e për prestigjin tim,
për përfitimet personale,
por të vihem në shërbim
të planit të madh të Zotit,
duke i harxhuar të gjitha energjitë
për Të e për të tjerët.
Unë bart mbi vete, o Jezus,
dëshirën për të jetuar plotësisht,
duke e çuar në maksimum energjinë
e trupit, të zemrës, të mendjes,
duke zgjeruar çdo mundësi
që është lënë në dorën time,
duke shmangur me kujdes gjithçka sjell
sakrifica e probleme, kufizime e vuajtje…
E Ti, çfarë më kërkon?
Të të ndjek, natyrisht, por më parë
të marr mbi shpatulla
drurin e kryqit,
dru gjithnjë i ashpër e i rëndë,
dru, që herët a vonë,
më detyron të vdes për vetveten
e të mendoj për tjetër.