Kërko

Gesù via verità e vita Gesù via verità e vita

Të meditojmë me Ungjillin: Krishti, Mbret i Gjithësisë 'B'

Pushteti yt, o Jezu Krisht/nuk ka të bëjë aspak/me të pushtetshmit e kësaj bote. /… Vërtet, pushteti yt, o Jezu Krisht, /është pushteti i dashurisë, që nuk imponohet, /nuk e përdor forcën, /nuk dënon e as lëndon, /por dhurohet me gjithë shpirt. /Ti e jep vetveten krejtësisht, /je gati të vuash e, /madje, edhe të vdesësh. …/Përtej dukjeve, pushteti yt o Krishtështë i vetmi vërtet i vlefshëm,i vetmi që i reziston kohës, sepse fal e shëlbon.

R.SH. - Vatikan

Për të kremtuar Krishtin, Mbretin e Gjithësisë, në këtë të diel të 34-t të vitit kishtar,ciklit të dytë, Kisha na propozon skenën rrëqethëse të Ungjillit sipas Shën Gjonit (18,33b-37), në të cilën Jezusi i poshtëruar dhe i lidhur me zinxhirë qëndron para Pilatit, përfaqësuesit të një perandorie të fuqishme, asaj romake.

Por cili nga të dy është vërtet i gjithëpushtetshëm? Cili nga të dy është mbret? Edhe një herë, logjika e kësaj bote nuk vlen. Për Jezusin, vetëm një gjë ka rëndësi: e vërteta. Ja ç’do të thotë të jesh mbret i universit: të hysh në të vërtetën dhe të dëshmosh për të.

Krishti është mbret, që sundon me dashuri e shpresë, pa u imponuar, por duke respektuar lirinë e njeriut. Pushteti mbretëror i Krishtit nuk është ai i të mëdhenjve të kësaj bote. Është pushtet, që përdoret për të mundur të keqen dhe vdekjen e për të ndezur shpresën edhe në zemrën më të ngurtësuar

Të ndjekim pjesën ungjillore nga Gjoni

Në atë kohë, Pilati e thirri Jezusin dhe e pyeti: “A je ti mbreti i judenjve?” Jezusi iu përgjigj: “A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë tjerët për mua?”
Pilati u përgjigj: “Pse, a mos jam unë judeas? Popullit yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan mua. Çka ke bërë?” Jezusi përgjigji: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bie në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.”
“Pra, ti qenke Mbret?” – i tha atëherë Pilati. “Mirë thua!” – i përgjigji Jezusi – “Unë jam mbret! E unë linda dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time”.

Të lutemi së bashku

Pushteti yt, o Jezu Krisht

nuk ka të bëjë aspak

me të pushtetshmit e kësaj bote.

Tek Pilati, ndoshta, të paraqitën

si rebel, si dikush, që pretendon

t’u zërë vendin romakëve

në tokën e Palestinës,

duke e lëkundur sundimin e Çezarit.

Gënjeshtër kjo, që kishte për qëllim

ta bindte prokurorin romak

për të të dënuar pa u menduar shumë.

 

Por, edhe ai vetë, nuk mund

të mos e shohë se je mbret

vërtet i pazakonshëm:

pa stolitë e mbretërve,

pa dikë që të mbron,

pa qëllime luftarake,

e pa kërcënime për hakmarrje.

 

Vërtet, pushteti yt, o Jezu Krisht,

është pushteti i dashurisë, që nuk imponohet,

nuk e përdor forcën,

nuk dënon e as lëndon,

por dhurohet me gjithë shpirt.

Ti e jep vetveten krejtësisht,

je gati të vuash e,

madje, edhe të vdesësh.

 

Përtej dukjeve, pushteti yt o Krisht

është i vetmi vërtet i vlefshëm,

i vetmi që i reziston kohës,

sepse fal e shëlbon.

 

23 nëntor 2024, 09:26