Papa, Forumit të Cernobbio: tani duhet kthesa ekologjike e ekonomisë!
R. SH. - Vatikan
Për të dalë nga kriza, “gjë të cilën e dëshirojmë të gjithë, është e nevojshme kthesa ekologjike e ekonomisë sonë”, që të bëhet me të vërtetë shprehje e kujdesit për shtëpinë e botës”, “e cila nuk përjashton, por përfshin; nuk e flijon dinjitetin njerëzor, në altarin e idhujve të financës, nuk e përdor paranë për të sunduar - por për të shërbyer”.
Papa Françesku u shkruan bankierëve e menaxherëve të mbledhur deri më 5 shtator në Cenobbio, për takimin e 46-të të Forumin Ambrozetti, duke cituar nxitjen apostolike Evangelii gaudium, “dokument programatik i papnisë, që tregon rrugën për të dalë më të mirë nga emergjenca shëndetësore, ekonomike e shoqërore, shkaktuar nga pandemia e Covid-19”, e cila vijon ta shtrëngojë në kthetrat e saj mbarë njerëzimin”.
Ftesë për ta braktisur “paradigmën teknokratike”
Ati i Shenjtë i fton bankierët ta braktisin “paradigmën teknokratike, me vulën e logjikës së sundimit mbi sendet”. Teknika - kujton, duke cituar Enciklikën “Laudato si’” - duhet vënë në shërbim të një modeli tjetër zhvillimi, më të shëndetshëm, më njerëzor, më shoqëror, më të gjithanshëm.
“Nëse më parë flitej për solidaritetin e prodhimit, sot ky solidaritet duhet t’i shërbejë një pasurie më të çmuar: njeriut”! Njeriu duhet vënë në vendin që i takon, domethënë, në qendër të edukimit, të shëndetësisë, të politikave shoqërore dhe ekonomike. Duhet mirëpritur, duhet mbrojtur, duhet shoqëruar e duhet integruar kur, në kërkim të një ardhmërie plot shpresë, troket në portat tona. Qyteti i së ardhmes duhet të jetë në qendër të reflektimeve tuaja”- u shkruan Papa bankierëve dhe menaxherëve.
Ftesë për kthesë ekologjike, me frymë krijuese
Bankierëve dhe menaxherëve, të mbledhur për Forumin në Villa d’Este, pranë liqenit të Como-s, Papa Françesku u rikujton se pasuria e vërtetë nuk është ajo, që i takon vetëm një grushti njerëzish, por ajo, që mund ta kenë të gjithë. E i fton për kthesë ekologjike, me frymë krijuese, si artizanët, duke hapur rrugë të reja origjinale për të mirën e përbashkët.
Economy of Francesco, forum për të ardhmen
Ka rëndësi- vijon Papa - të investohet për breznitë protagoniste të ekonomisë të së nesërmes, për formimim e njerëzve të aftë në shërbim të bashkësisë e të kulturës së takimit”. E Evropa duhet vënë në qendër, ajo edhe emigrantët e saj. Së fundi Papa i fton bankierët dhe menaxherët të mobilizohen për të ndërtuar një botë më të mirë, “qytetin e së ardhmes”, sipas modelit biblik të Jeruzalemit qiellor. “Një qytet paqeje, siç e tregon vetë emri, ku portat janë gjithnjë të hapura, për të hyrë mbarë popujt”, por edhe “me masën e njeriut”, me burime e pemë, mikpritës, qytet ku sëmundja e vdekja janë mundur".
Economy of Francesco
Papa kujton edhe ftesën për të marrë pjesë në takimin e madh “Economy of Francesco”, në Asizin e Shën Françeskut, që u zhvesh nga gjithçka “për ta zgjedhur Zotin si yll polar të jetës”. Ai zgjodhi varfërinë, u bë i varfër me të varfërit e vëlla universal. E pikërisht nga varfëria e Tij, që mbetet tejet aktuale, duhet të burojë edhe vizioni i ekonomisë.
Prej këndej, ftesa e fundit e Papës: “të lartohen sytë e të luftohet për ideale të larta e aspirata të mëdha, duke propozuar stile të reja jete e duke i dhënë zë, atij, që nuk e ka”.