Kërko

Papa: më 26 janar lutemi për paqen në Ukrainë

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku, i shqetësuar nga erërat e luftës, që fryjnë frikshëm në kufirin ndërmjet Rusisë e Ukrainës, e si pasojë, të mbarë Kontinentit evropian, propozon një ditë lutjeje: “Çdo veprimtari a nismë politike të jetë në shërbim të vëllazërimit njerëzor, më shumë se të interesave të pjesshme”.

R. SH. - Vatikan

Forca e lutjes e mund urrejtjen, luftën, vdekjen! Edhe një herë, si në vitet e kaluara për Libanin(2021), Kongon, Sudanin e Jugut (2018) e Sirinë(2013), Papa mbledh rreth vetes krishtërimin për t’i bërë ballë me fe një kërcënimi  të rëndë mbi botën. Fantazma e një lufte të re endet prej javësh në kufirin ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës e diplomacia nuk po ia del mbanesh të gjejë rrugën e marrëveshjes. Situata e shqetëson fuqimisht Papën, i cili e shpall 26 janarin e ardhshëm ditë e lutjes për paqen. Njoftimin e jep në përfundim të lutjes së Engjëllit, në të Dielën III të Fjalës së Zotit. Shpreh, kështu, druajtjet e tij:

“Ndjek me shqetësim thellimin e tensioneve, që krijojnë rrezikun e një sulmi të ri kundër paqes në Ukrainë dhe vënë diskutim sigurinë e Kontinentit evropian, me pasoja edhe më të gjëra”.

Prej këndej, thirrja për t’u lutur e për të vepruar, jo për interesat personale, por për të përbashkëtat:

“U bëj thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë t’i lartojnë lutje Zotit të gjithëpushtetshëm, që çdo veprimtari e nismë politike të jetë në shërbim të vëllazërimit njerëzor, më shumë se të interesave të pjesshme. Kush kërkon të realizojë qëllimet e  veta, në dëm të të tjerëve, përbuz vetë natyrën e tij njerëzore, sepse të gjithë  jemi krijuar si vëllezër”.

Më pas, thirrja për të mërkurën:

“Prandaj e me shqetësim, duke parë tensionet aktuale, propozoj që e mërkura e ardhshme, 26 janar, të jetë ditë lutjeje për paqen”.

Situata në kufirin ndërmjet Rusisë e Ukrainës

Tensionet në rritje në kufirin ruso-ukrainas po e shqetësojnë thellë bashkësinë ndërkombëtare. Diplomacia i shumëfishon takimet dhe videokonferencat për t’i vënë pritë sulmit ushtarak rus. Mbretëria e Bashkuar beson se Moska synon të caktojë një lider rus në qeveri. E prerë, përgjigjja: “Ministria e jashtme e Londrës t’i japë fund përhapjes së marrëzive!”. E ndërsa Kremlini vijon ta mohojë çdo hamendje të një hapi të mundshëm ushtarak, Moska vijon të rreshtojë më se 120 mijë ushtarë rusë në vijën e kufirit ukrainas e në trojet e Donbasit ku, ashtu si në Kiev, stërvitjet janë në rend të ditës.

Të hënë, pikërisht në Kiev, ka shumë mundësi që Ambasada amerikane, e ndoshta edhe ajo gjermane, të nisin evakuimin e familjarëve të personelit të tyre, ndërsa vijon dyndja e municioneve dhe instruktorëve ushtarakë të vendeve të Natos. Ngarkesa e parë e armëve, rreth 90 tonelata,  ka arritur tashmë me urdhër të presidentit amerikan Biden. Javën e ardhshme, duke nisur nga e hëna, ministrat e jashtëm të 27 vendeve të BE-së do të takohen në një videokonferencë me sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Blinken, gjatë kthimit nga bisedimet me Moskën në Gjenevë. Ka mundësi të studiohen masat ndëshkimore, në rast sulmi. Parashikohen edhe bisedime dypalëshe të Mbretërisë së Bashkuar me Rusinë.

23 janar 2022, 15:12