Papa, meshë në Québec: Jezusi ngushëllon zemrat e shëron plagët e së kaluarës
R.SH. - Vatikan
Dita e katërt e shtegtimit të 37-të apostolik të Papës Françesku (e pesta nëse llogarisim edhe të dielën, që Papa e kaloi kryesisht në avion) e gjen Atin e Shenjtë në Québec, etapa e dytë e udhëtimit të tij pendestar për t’u qëndruar pranë indigjenëve të Kanadasë. Në orën 10.00 (me orën kanadeze) - pasdite në Evropë - Papa kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Anës së Beaupreé, vendi më i lashtë i shtegtimit për kanadezët. Më pas, kur në Evropë do të jetë natë, Ati i Shenjtë do të kremtojë Mbrëmësoren me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, rregulltarët, seminaristët dhe laikët, në Katedralen e Notre-Dame. Këtu përfundon kjo etapë, sepse nesër Françesku do të niset për në Iqaluit, pas dy takimeve në kryeipeshkvi: i pari, privat, me disa anëtarë të Shoqërisë së Jezusit, i dyti, me një delegacion indigjenësh, të pranishëm në Québec.
Sainte-Anne-de-Beaupré, vendi më i lashtë i shtegtimit në Amerikën e Veriut
Por le t’i kthehemi ditës së sotme. Papa Françesku kremtoi meshën në shenjtëroren e Sainte-Anne-de-Beaupré, kushtuar shën Anës, vendi më i lashtë i shtegtimit në Amerikën e Veriut. Dishepujt e tronditur pas vdekjes së Krishtit në kryq, për udhë drejt Emausit, ishin në qendër të homelisë së Papës, në këtë liturgji pajtimi, në praninë e kardinalit Gérald Cyprien Lacroix, kryeipeshkëv i Québec-ut dhe me pjesëmarrjen e popullsive indigjene. Duke e nxitur Kishën të ketë besim në Zotin, që vjen ta takojë, ta ngushëllojë e t’i hapë perspektiva të reja, ashtu siç bëri me dishepujt e Emausit, Ati i Shenjtë përvijoi itinerarin përgjatë të cilit duhet të ecin besimtarët kanadezë: nga dështimi në shpresë.
Nga dështimi në shpresë: përvoja e dishepujve të Emausit
Françesku nënvizoi se përvoja e jetuar nga dishepujt e Emausit përsëritet edhe në jetën e në rrugën tonë shpirtërore, sa herë që na duhet të përballojmë dyfytyrësinë e realitetit, të ridimensojmë dëshirat, të ndeshemi me natën e jetës e me dobësitë tona; sa herë idealet përplasen me zhgënjimet; sa herë bëjmë plane për mirë, por s’arrijmë t’i zbatojmë; sa herë gabojmë e dështojmë.
“E kjo – vërejti Papa - mund të ndodhë edhe në jetën e Kishës, në bashkësinë e dishepujve të Zotit... Edhe pse është bashkësia e të Ringjallurit, mund të endet e përhumbur dhe e zhgënjyer para shkandullit të së keqes dhe dhunës së Kalvarit. Atëherë nuk mund të bëjë tjetër, veçse të mbajë në duar atë ndjenjë dështimi dhe ta pyesë veten: çfarë ndodhi? Pse ndodhi? Si ka mundësi që ndodhi?”
“Shkalla Shenjte” e përshkuar nga indigjenët kanadezë
Papa iu referua asimilimit kulturor të indigjenëve dhe abuzimet e bëra me ta, sidomos me fëmijët e shkollave rezidenciale, edhe nga ana e katolikëve – arsyeja kryesore e këtij udhëtimi të 37-të apostolik. Ai u bashkua shpirtërisht me shtegtarët e shumtë, që vijnë në këtë bazilikë kushtuar shën Anës, për të përshkuar “shkallën shenjte”, e cila evokon ngjitjen e Jezu Krishtit deri në pretoriumin e Pilatit. Vërtet, në bazilikë gjendet një kopje e Shkallës Shenjte, që ndodhet në Romë e që këtu arriti rreth vitit 1890. Në shenjtërore mund të gjunjëzohesh edhe para tri relikeve të Shën Anës, njëra nga të cilat u dhurua nga Papa Leoni XIII, në vitin 1892.
Tundimi i ikjes nga problemet
Ati i Shenjtë i këshilloi besimtarët, indigjenë a jo, të mos bien në tundimin e ikjes nga problemet. “Pikërisht në situata zhgënjimi dhe dhimbjeje, pikërisht kur përjetojmë të habitur dhunën e së keqes dhe turpin e fajit, kur lumi i jetës sonë thahet nga mëkati dhe dështimi, kur të zhveshur nga gjithçka duket se nuk na mbetet asgjë, pikërisht atëherë Zoti vjen të na takojë dhe ecën me ne”, vuri në dukje Papa, i cili mori sërish shembull bazilikën, ku po kremtonte meshën. Kushtuar Shën Anës, shenjtores pajtore të provincës kanadeze të Québec-ut, kisha e parë u ndërtua në 1658, për të vendosur aty shtatoren e Shën Anës, e cila ka bërë e vazhdon të bëjë shumë mrekulli. Në vitin 1922, ndërtesa u shkatërrua nga zjarri. Njerëzit, nënvizoi Papa, nuk u shkurajuan dhe e ndërtuan sërish bazilikën, që u shugurua në vitin 1976. E nuk u trembën edhe nga luftërat e nga shkatërrimi, që pësuan këto troje. Kështu, edhe para problemeve të sotme, sytë e Kishës duhet të ngulen tek Jezu Krishti, që, ashtu si dishepujt e Emausit, ta njohin kur të thyejë bukën e kur t’u tregojë udhën për t’u ndjekur.
Ka vetëm një udhë, ajo e Jezu Krishtit
“Ka vetëm një rrugë, një udhë: - pohoi Ati i Shenjtë - është udha e Jezusit, është udha, që është Jezusi (shih Gjn 14,6). Ne besojmë se Jezu Krishti na shoqëron në udhën tonë, prandaj, ta lejojmë të na takojë; ta lemë Fjalën e tij të interpretojë historinë, që jetojmë si individë dhe si bashkësi, si edhe të na tregojë rrugën për t’u shëruar e për t’u pajtuar; ta thyejmë së bashku me fe Bukën Eukaristike, që rreth asaj tryeze të rizbulojmë se jemi bij të dashur të Atit, të thirrur të jemi të gjithë vëllezër”.
Roli i grave në udhën e pajtimit
E Papa, së fundi, theksoi rolin e gruas në këtë udhë. “Në këtë bazilikë, ku kujtojmë nënën e Virgjërës Mari e ku ndodhet edhe kripta kushtuar Zojës së Papërlyer, nuk mund të mos nxjerrim në pah rolin që Zoti deshi t’u jepte grave në planin e tij të shëlbimit. Shën Ana, E Shenjtnueshmja Virgjëra Mari, gratë e mëngjesit të Pashkëve na tregojnë një mënyrë të re pajtimi: butësia amnore e shumë grave mund të na shoqërojë - si Kishë - drejt kohërave të reja të frytshme, në të cilat të lëmë pas kaq shterpësi e vdekje, dhe të vendosim Jezusin, të Kryqëzuarin e Ringjallur, përsëri në qendër”.
Me refrenin e njohur “Rri me ne o Zot”, Papa e përfundoi homelinë e meshës së pajtimit kremtuar në shenjtëroren e Sainte-Anne-de-Beaupré, për të shkuar në kryeipeshkvinë e Québec-ut për drekë, nga ku do të niset drejt katedrales së Notre-Dame për të kremtuar Mbrëmësoren me klerin kanadez, veprimtari, për të cilën do t’ju njoftojmë nesër, pasi zhvillohet pas orarit tonë të transmetimit.