Françesku: “T’i shërbesh parasë është idhujtari, fyerje e Zotit”
R.SH. - Vatikan
Në kulmin e vapës së korrikut, Papa, i sapokthyer nga shtegtimi i largët e i lodhshëm në Kanada, u duk përsëri në Dritaren e Engjëllit, i duartrokitur stuhishëm nga një turmë e madhe besimtarësh, që nuk tremben nga vapa. U duk dhe preku një argument po aq të nxehtë, sa dita: atë të trashëgimisë, të lakmisë, që vjen prej saj dhe sherreve, që krijon qysh në zanafillë të njerëzimit.
Në Ungjillin e sotëm - kujtoi - një burrë i drejton Jezusit këtë kërkesë: “Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua” (Lk 12.13). Situatë shumë e zakonshme - kujtoi - probleme të ngjashme janë ende në rendin e ditës: sa vëllezër e motra, sa anëtarë të së njëjtës familje, për fat të keq, grinden, e ndoshta nuk flasin më me njëri-tjetrin, për shkak të trashëgimisë!
Jezusi na porosit: larg lakmive!
Po Jezusi? Çka thotë Jezusi në situata të tilla? - pyeti Papa - Duke iu përgjigjur atij njeriu, Jezusi nuk hyn në hollësira, por shkon në rrënjën e ndarjeve të shkaktuara nga etja për pasje dhe porosit: “Rrini larg çdo lakmie!”. Po çfarë është lakmia? - pyeti Papa - për t’iu përgjigjur sakaq kësaj pyetjeje, që ndikon drejtpërdrejt në formimin e ndërgjegjes njerëzore:
“Është etja e shfrenuar për kamje, dëshira e pangopur për t’u pasuruar gjithmonë. Sëmundje, që i shkatërron njerëzit, sepse uria për pasje, shkakton edhe vartësi”.
Vetëm për vete, kurrë për të tjerët!
Varësi nga se - pyeti përsëri Papa - për t’iu përgjigjur sakaq kësaj pyetjeje.
Mbi të gjitha - kujtoi - ata që kanë shumë, nuk janë kurrë të kënaqur: duan gjithmonë më shumë dhe vetëm për veten e tyre. Por në këtë mënyrë njeriu nuk është më i lirë: sulmohet, skllav i asaj që paradoksalisht duhet t’i shërbente për të jetuar i lirë dhe i qetë:
“Në vend që t’i përdorë paratë, bëhet shërbëtor i parasë”.
Pak kanë shumë e shumë kanë pak!
Këtë lakmi të rrezikshme, që mund ta pushtojë njeriun kujtoi Papa, por lakmia - vijoi të shpjegonte - është sëmundje e rrezikshme edhe për shoqërinë: për shkak të saj kemi ardhur sot në paradokse të tjera, në një padrejtësi, që nuk është parë kurrë në histori, ku pak kanë shumë - e shumë kanë pak. E nga etja për pasje - vijoi të kujtojë - lindin edhe luftërat e konfliktet:
“Dëshira për burime dhe pasuri është pothuajse gjithmonë e përfshirë. Sa shumë interesa fshihen pas një lufte! Sigurisht një nga këto është tregtia e armëve”.
Lakmia është në zemrën e të gjithëve
Sot Jezusi na mëson se, në zemër të gjithë kësaj nuk janë vetëm disa sisteme të fuqishme ose të caktuara ekonomike: lakmia është në zemrën e të gjithëve. E me që është kështu, Papa i nxiti besimtarët e jo, t’i bëjnë vetes pyetjen:
“Pra, le të përpiqemi ta pyesim veten: a gjej forcë të shkëputem nga mallrat, nga pasuria? A ankohem për atë që më mungon, apo mund të jem i kënaqur edhe me atë që kam? A tundohem, në emër të parave dhe mundësive për t’i pasur, të flijoj marrëdhëniet dhe kohën për të tjerët?”.
E Papa arriti kulmin me pyetjen:
“A më ndodh të flijoj ligjshmërinë dhe ndershmërinë në altarin e lakmisë?”.
Paratë - kult e idhujtari
Thashë “altar” - shpjegoi në vijim - sepse të mirat materiale, paratë, pasuria mund të bëhen kult, idhujtari e vërtetë. Prandaj Jezusi na paralajmëron me fjalë të forta:
“Ai thotë se nuk mund t’i shërbesh dy zotërinjve njëherësh dhe - kujdes - nuk thotë Zotit dhe djallit, ose së mirës dhe së keqes, por Zotit e pasurisë (krh. Lk 16,13). Pasurinë mund ta përdorësh; po jo t’i shërbesh! T’i shërbesh është idhujtari, është fyrje e Zotit”.
I pasur, sipas Zotit!
Pra - pyeti në vijim Papa duke folur në emër të çdo njeriu - a nuk mund të dëshiroj të pasurohem? Sigurisht që mundesh, është e drejtë ta dëshirosh pasurinë dhe e bukur të bëhesh i pasur. Por i pasur sipas Zotit:
“Zoti është më i pasuri nga të gjithë: është i pasur në dhembshuri, në mëshirë. Pasuria e tij nuk varfëron askënd, nuk krijon grindje e përçarje. Është pasuri, së cilës i pëlqen të japë, të ndajë. Grumbullimi i të mirave materiale nuk mjafton për të jetuar mirë, sepse - thotë përsëri Jezusi - jeta nuk varet nga ajo që ke (krh. Lk 12,15)”.
Nga se varet jeta?
Jeta - kujtoi në vijim Françesku - varet nga marrëdhëniet e mira: me Zotin, me të tjerët dhe madje edhe me ata që kanë më pak. Pra, ta pyesim veten: si dua të bëhem i pasur? Sipas Zotit, apo sipas lakmisë sime? E, duke u kthyer te tema e trashëgimisë, çfarë trashëgimie dua të lë? Para në bankë, pasuri materiale apo njerëz të lumtur rreth meje, vepra të mira që nuk harrohen kurrë, njerëz që i ndihmova të rriten dhe të fitojnë pjekurinë?
E, pas kësaj breshërie pyetjesh, në përfundim, si zakonisht, lutja drejtuar Zojës që:
“… të na ndihmojë të kuptojmë se cilat janë të mirat e vërteta të jetës, ato që mbeten përgjithmonë”.