Papa ia beson Marisë nevojat e botës, duke u ndaluar në Mianmar, Ukrainë, Kamerun e ndërmjet migrantëve
R.SH. - Vatikan
Në fund të kësaj feste - ishin fjalët e para - dua t’ju falënderoj ju të gjithë, që morët pjesë në të, duke përfaqësuar Popullin e Zotit në Itali. Papa i shprehu mirënjohjen kardinalit Zuppi, që e bëri zëdhënësin e tij dhe i përgëzoi të gjithë organizatorët e këtij Kongresi Eukaristik.
E, menjëherë pas Kongresit, kujtoi Virgjërën Mari, Gruan Eukaristike, duke theksuar:
“Ia besojmë asaj shtegtimin e Kishës në Itali, që në çdo bashkësi të ndihet aroma e Krishtit, Bukë e gjallë e zbritur nga qielli. Dhe i kërkojmë ndërmjetësimin amtar për nevojat më urgjente të botës”.
Më pas mendimi i Papës shkoi pikërisht në shumë vende, ku ka luftë e mjerim. Së pari, në Mianmar. Për më shumë se dy vjet - kujtoi - ky vend fisnik goditet rëndë nga armët e nga dhuna, të cilat kanë shkaktuar shumë viktima dhe shpërngulje njerëzish. Këtë javë - vijoi - dëgjova britmën e dhimbjes për vdekjen e fëmijëve në një shkollë të bombarduar. E prej këndej, thirrja e Papës:
“Vaji i këtyre vogëlushëve nuk duhet të kalojë pa u dëgjuar! Këto tragjedi nuk duhet të ndodhin!”.
Nga Mianmari, në Ukrainë! Papa e kujtoi rishtas vendin, ku sot mbretëron vdekja, duke iu lutur Zojës t’i prirë sytë mbi këtë tokë të mbjellë me kufoma:
“Maria, Mbretëresha e Paqes, e ngushëlloftë popullin ukrainas dhe u dhëntë udhëheqësve të kombeve vullnetin për të gjetur menjëherë nismat, që të çojnë në përfundimin e luftës”.
Papa nuk e harroi as Kamerunin, e pikërisht, Dioqezën e Mamfe, ku u rrëmbyen pesë priftërinj dhe një murgeshë, duke bashkuar zërin me thirrjen e ipeshkvijve të Kamerunit për lirimin e të rrëmbyerve:
“Lutem për ta dhe për popujt e krahinës kishtare të Bamendës: Zoti u dhëntë paqe zemrave dhe jetës shoqërore të atij vendi të shtrenjtë”.
Ndërtimi i së ardhmes, me emigrantët dhe refugjatët
Këtë të diel Kisha feston Ditën Botërore të Emigrantëve dhe Refugjatëve, me temë “Ndërtimi i së ardhmes me emigrantët dhe refugjatët”. Ne ripërtërijmë angazhimin tonë për të ndërtuar të ardhmen sipas planit të Zotit: një të ardhme në të cilën çdo njeri gjen vendin e tij dhe respektohet; ku migrantët, refugjatët, personat e zhvendosur dhe viktimat e trafikimit mund të jetojnë në paqe dhe me dinjitet. Sepse Mbretëria e Zotit realizohet me ta, pa i përjashtuar. Është gjithashtu falë këtyre vëllezërve dhe motrave që bashkësitë mund të rriten në nivel social, ekonomik, kulturor dhe shpirtëror; shkëmbimi i traditave të ndryshme e pasuron Popullin e Zotit. Të angazhohemi të gjithë për ndërtimin e një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse dhe vëllazërore!”
Ky kujtimi, e kjo thirrja e Françeskut për këtë ditë kushtuar emigrantëve dhe refugjatëve, gjithnjë pranë Papës e Kishës!
Kujtojmë se Papa Bergoglio është Papa i dytë që viziton Materën, pas më se 30 vjetësh: më 27 prill 1991 këtu ishte për vizitë baritore Papa Gjon Pali II.