Kërko

Françesku: vëllazërimi duhet të përparojë me dialogun, oksigjen i paqes!

Gjatë audiencës së sotme të përgjithshme Papa kujtoi çastet më domethënëse të shtegtimit të tij apostolik në Bahrein, duke i përmbledhur në tri fjalë; dialog, takim, udhë. Kujtoi edhe luftërat në vijim, duke theksuar: sa shumë kemi nevojë të takohemi, konfliktet nuk zgjidhen me logjikën e armëve!

R. SH. - Vatikan

Audiencën e sotme të përgjithshme, si zakonisht pas shtegtimeve nëpër botë, Papa Françesku ia kushtoi plotësisht shtegtimit të tij apostolik treditor në Mbretërinë e Bahreinit. E, para se të fliste për atë që kishte përgatitur, tërhoqi vëmendjen tek dy djem, që shkuan aty. Nuk kërkuan leje, nuk thanë: “Ah, kam frikë”: erdhën drejpërdrejtë. Na dhanë shembull se si duhet të sillemi me Zotin - theksoi Papa - për të porositur më pas: “Shkoni përpara! Zoti na pret gjithmonë”, e për të theksuar se besimi i këtyre dy të rinjve ishte shembull për të gjithë ne. Kështu duhet t'i afrohemi gjithmonë Zotit: lirisht.

Tri ditë pas kthimit nga shtegtimi, Papa u shprehu mirënjohjen të gjithë shoqëruesve e kryesisht Madhërisë së Tij, Mbretit, Autoriteteve, Kishës vendase, organizatorëve të udhëtimeve dhe popullatës për pritjen e ngrohtë. Sepse duhet një punë e madhe - kujtoi - që udhëtimi i një Pape të shkojë mirë. Faleminderit.

Sa shumë kemi nevojë për rrugën e takimit!

Vetëm në këtë mënyrë - pohoi më pas - mund të përballohen disa tema universale, si për shembull harresa e Zotit, tragjedia e urisë, mbrojtja e krijimit, paqja:

“Në këtë kuptim, Forumi i Dialogut, i titulluar ‘Lindja dhe Perëndimi për bashkëjetesën njerëzore’, na nxiti të zgjedhim rrugën e takimit dhe të refuzojmë atë të ndeshjes. Sa shumë kemi nevojë për të! Sa shumë duhet të takohemi! Mendoj për luftën e çmendur - të çmendur! - viktima e të cilave është Ukraina e torturuar dhe të shumë konflikteve të tjera, të cilat nuk do të zgjidhen kurrë me logjikën fëminore të armëve, por vetëm me forcën e butë të dialogut”.

Përtej Ukrainës së torturuar, mendimi i Françeskut shkoi tek luftërat, që zgjaten me vite, për Sirinë - më shumë se 10 vjet - për fëmijët e Jemenit, për Mianmarin, për Ukrainën! Çfarë bëjnë luftërat? Ata shkatërrojnë, shkatërrojnë njerëzimin, shkatërrojnë gjithçka. Konfliktet nuk duhet të zgjidhen me luftë:

“Por - kujtoi - nuk mund të ketë dialog pa takim. Në Bahrein u takuam dhe disa herë ndjeva dëshirën që të krishterë dhe myslimanë t’i vijojnë takimet, të krijojnë marrëdhënie më solide, ta kenë më shumë për zemër njëri-tjetrin”.

Në Bahrein – vijoi të kujtojë Papa - siç është zakon në Lindje, njerëzit e vënë dorën mbi zemër kur përshëndesin dikë. E vura edhe unë, për t’u bërë vend në zemrën time atyre që takova. Sepse, pa pranim, dialogu mbetet bosh, mbetet çështje idesh dhe jo realiteti.

Ndërmjet takimeve të shumta Papa kujtoi posaçërisht atë me vëllaun e dashur, Imamin e Madh të Al-Azharit dhe me të rinjtë e Shkollës së Zemrës së Krishtit, studentë që na dhanë një mësim të madh: studiojnë së bashku, të krishterë dhe myslimanë:

“Si të rinj, ashtu edhe si fëmijë, duhet të njihemi, në mënyrë që takimi vëllazëror të parandalojë ndarjet ideologjike”.   

Por edhe pleqtë - vijoi të kujtojë Papa - dhanë gjithashtu një dëshmi të urtisë vëllazërore gjatë takimit me Këshillin e Pleqve Myslimanë, organizatë ndërkombëtare e lindur disa vite më parë, e cila promovon marrëdhënie të mira ndërmjet bashkësive islame, në emër të respektit. 

Fjala e tretë: shtegtimi në Bahrein nuk duhet parë si episod i izoluar 

“Shtegtimi në Bahrein - kujtoi - nuk duhet parë si si episod i izoluar. Është pjesë e një udhëtimi nisur nga Shën Gjon Pali II kur shkoi në Marok. Kështu, vizita e parë e një Pape në Bahrein përfaqësoi një hap të ri në rrugën e besimtarëve të krishterë dhe myslimanë: jo për t’i ngatërruar apo për t’i ujitur besimet, jo, por për të ndërtuar aleanca vëllazërore në emër të Atit Abraham, shtegtarit në tokë nën vështrimin e mëshirshëm të të vetmit Perëndi të Qiellit, Zotit të paqes”

 Për këtë arsye – kujtoi në vijim - motoja e udhëtimit ishte: “Paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë!”.

Më pas Papa shpjegoi:

“Pse them që dialogu nuk ujit? Sepse për të dialoguar njeriu duhet të ketë identitetin e vet, duhet të niset nga identiteti i tij. Nëse nuk ke identitet, nuk mund të dialogosh, mbasi as nuk e kupton se kush je. Që dialogu të jetë i mirë, duhet të fillohet gjithmonë nga identiteti, të jetë i vetëdijshëm për identitetin. Vetëm kështu mund të dialogohet”.

Dialogu, takimi dhe udhëtimi në Bahrein - kujtoi në vijim Papa - u zhvillua edhe ndërmjet të krishterëve: për shembull, takimi i parë ishte ekumenik, takim lutjeje për paqe, me Patriarkun, vëllanë e dashur Bartolomeu dhe me vëllezër e motra të konfesioneve dhe riteve të ndryshme. U zhvillua në Katedralen, kushtuar Zojës së Arabisë, struktura e së cilës të kujton çadrën në të cilën, sipas Biblës, Zoti takoi Moisiun në shkretëtirë, gjatë rrugës:

“Vëllezërit dhe motrat në fe, të cilët i takova në Bahrein - kujtoi Papa -  jetojnë me të vërtetë ‘në lëvizje’: e shumta janë punëtorë emigrantë të cilët, larg shtëpisë, i gjejnë rrënjët e tyre në Popullin e Zotit dhe familjen e tyre, në familjen e madhe të Kishës. Është e mrekullueshme të shohësh këta emigrantë, filipinas, indianë të krishterë nga të katër anët, që mblidhen dhe mbështesin njëri-tjetrin në fe. Shkojnë kështu përpara me gëzim, me sigurinë se shpresa në Perëndinë nuk zhgënjen (krh. Rom 5:5)”.

Duke takuar barinjtë, burra e gra të kushtuar, punëtorë baritorë dhe, në meshën festive e emocionuese të kremtuar në stadium, shumë besimtarë, edhe nga vendet e tjera të Gjirit - kujtoi Papa - u çova atyre dashurinë e të gjithë Kishës. Ky ishte udhëtimi!

Një zemër e një shpirt

Dhe sot dua t'ju përcjell gëzimin e tyre të vërtetë, të thjeshtë dhe të bukur – theksoi në përfundim të audiencës Papa - duke u takuar dhe duke u lutur së bashku, e ndjemë veten një zemër dhe një shpirt i vetëm. Duke menduar për rrugëtimin e tyre, përvojën e tyre të përditshme të dialogut, le të ndihemi të gjithë të thirrur për të zgjeruar horizontet: ju lutem, zemra të zgjeruara, jo të mbyllura, zemra të forta. Hapini zemrat, që të jemi të gjithë vëllezër dhe që kjo vëllazëri njerëzore të shkojë më tej. Zgjeroni horizontet, hapini, zgjeroni interesat dhe kushtohuni njohjes së të tjerëve: “Nëse i kushtohesh njohjes së të tjerëve, nuk do të kërcënohesh kurrë. Por nëse keni frikë nga të tjerët, ju vetë do të jeni një kërcënim për ta. Shtegtimi i vëllazërisë dhe i paqes, për të vazhduar, ka nevojë për secilin. Unë jap dorën time, por nëse nuk ka dorë tjetër në anën tjetër, nuk ka dobi.  Na ndihmoftë Zoja në këtë rrugëtim”.

Kjo ishte porosia e Papës në përfundim të kësaj audience të përgjithshme, që u kujtoi edhe një herë të gjithëve “sa shumë kemi nevojë të takohemi, në një kohë konfliktesh të rënda, që nuk mund të zgjidhen me logjikën e armëve. “Dialog pra, takim dhe udhëtim!”.

09 nëntor 2022, 12:39

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >