Kërko

Pritja e Papës Françesku në Bahrein Pritja e Papës Françesku në Bahrein

Papa Françesku mbërriti në Bahrein, i pari në historinë e vendit

Avioni me Atin e Shenjtë në bord mbërriti në Awali të Bahreinit rreth orës 14.35 (16.35 lokale). Duke folur me gazetarët gjatë fluturimit, Papa u tha se ky udhëtim i 39-të apostolik do të jetë interesant e do të ketë lajme të mira. Ati i Shenjtë, që do të qëndrojë në Bahrein deri më 6 nëntor, ishte pak i pamundur e i përshëndeti gazetarët i ulur. U takua me mbretin Hamad bin Isa Al Khalifa

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku mbërriti në Bahrein, në udhëtimin e tij të 39-të apostolik, gjatë të cilit do të jetë protagonist i ditës së fundit të Forumit për Dialogun ndërmjet Lindjes e Perëndimit, organizuar nga vendi i Gjirit Persik. Ati i Shenjtë do të qëndrojë në Bahrein deri më 6 nëntor. Gjatë fluturimit me avion u tha këto fjalë gazetarëve:

“Ju falënderoj për shoqërinë dhe për punën tuaj. Është udhëtim interesant, do të na bëjë të mendojmë e të japim edhe lajme të mira. Shumë faleminderit për punën tuaj. Do të doja t’ju përshëndes një e nga një, por problemi është se sot kam shumë dhimbje, nuk e ndiej se mund ta bëj xhiron, por do të ishte kënaqësi për mua nëse xhiron do ta bëni ju e unë po ju përshëndes këtu (tregon me dorë vendin pranë portës së emergjencës, në fillim të rreshtit të karrigeve), faleminderit!”

Me gazetarët në avion
Me gazetarët në avion

Papa takohet me mbretin

Në Pallatin Mbretëror Sakhir, rezidenca e sundimtarit të Bahreinit, Françesku u takua me Madhërinë e Tij Hamad bin Isa Al Khalifa. U krijua një ambient festiv nga grupe burrash, që kërcenin nën ritmin e këngëve lokale. Pallati u ndërtua në fillim të shekullit të kaluar, por u braktis me vdekjen e Shehut dhe mbeti i mbyllur për vite me radhë. Vetëm në mesin e viteve ‘90 ai u restaurua për t’u kthyer në lavdinë e mëparshme. Arkitektura është tradicionale islame, me mure të bardha të ndritshme, harqe dhe kolona të mëdha, një kube, kulla dhe një minare mbresëlënëse.

Papa takohet me mbretin e Bahreinit
Papa takohet me mbretin e Bahreinit

Papa u prit nga Mbreti, Princi trashëgimtar dhe kryeministri, nga tre djemtë e tjerë të Mbretit dhe një nip. Në fund, anëtarët e familjes mbretërore shoqëruan Atin e Shenjtë në oborrin e Pallatit, ku ishin mbledhur rreth një mijë vetë për ceremoninë e mirëseardhjes dhe takimin me Autoritetet, Shoqërinë Civile dhe Trupin Diplomatik.

03 nëntor 2022, 14:58