POPE ANGELUS POPE ANGELUS

Papa: zbulojmë etjen tonë për Zotin, e kujtojmë etjen e të tjerëve

Sot, e Diela e tretë e Kreshmëve, duke kometuar një nga faqet më të bukura të Ungjillit sipas Gjonit, atë që përshkruan takimin e Jezusit me Samaritanen (krh Gjn 4,5-42) Papa u ndalua tek përulja e Zotit: në Jezusin, Zoti bëhet një nga ne; i etur si ne, që vuan nga vapa jonë. Duke e soditur këtë skenë, secili prej nesh mund të thotë: Zoti, Mësuesi, “ai që flet, po më kërkon një pikë ujë. Ka etje, si unë! Etjen time! E etjen e vendeve, që nuk kanë ujë!”.

R.SH. / Vatikan

"Në Jezusin, Zoti bëhet një nga ne; i etur si ne, që vuan nga etja jonë. Duke e soditur këtë skenë, secili prej nesh mund të thotë: Zoti, Mësuesi, ‘ai që flet, po më kërkon një pikë ujë’. Ka etje, si unë! Etjen time!”. Këtë pohoi Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, kushtuar takimit të Jezusit me Samaritanen, sipas Ungjillit të kësa së diele të 3-të Krezhëmve.

Sot, duke kometuar një nga faqet më të bukura të Ungjillit sipas Gjonit, atë që përshkruan takimin e Jezusit me Samaritanen (krh Gjn 4,5-42)  Papa u ndalua tek përulja e Zotit: në Jezusin, Zoti bëhet një nga ne; i etur si ne, që vuan nga vapa jonë. Duke e soditur këtë skenë, secili prej nesh mund të thotë: Zoti, Mësuesi, “ai që flet, po më kërkon një pikë ujë. Ka etje, si unë! Etjen time!”.

Koha kalon me shpejtësi. Afrohet dita tragjike e Kryqëzimit, ngarkuar me dhimbje, me etje, me gjak, por edhe me shpresë. Pas saj vjen Ngjallja e Zotit, e përmes saj, edhe jona. Nis një jetë e re, pas Kryqit. Jetë që mund ta rijetojmë përmes shfletimit të vazhdueshëm të Ungjillit e që na paraqet çastet tragjike, por edhe të bukura e magjepsëse të Jezusit, në qendër të vëmendjes së Atit të Shenjtë në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Sot, një nga takimet më të bukura të Krishti. Ai me gruan samaritane (krh. Gjn 4,5-42).

Një histori ungjillore

Historia e Ungjillit të sotëm mund të tregohet me pak fjalë: episodi ungjillor hap para nesh një skenë prekëse, pranë një pusi, në Samari, ku Jezusi dhe dishepujt ndalojnë për të shuar etjen. Pas tyre aty  vjen në grua e Jezusi i thotë: "Më jep të pi" (v. 8).

Ti je vërtet pranë meje, o Zot, deri në fund të fundit

Do të doja të ndalesha pikërisht tek kjo  shprehje - pohoi Papa -  Më jep të pi!”

Në këtë skenë e shikojmë Jezusin të etur dhe të lodhur, duke u takuar me samaritanen te pusi në orën më të nxehtë, në mesditë, dhe duke i kërkuar, si lypës, freskim:

“Pamje e përuljes së Zotit: në Jezusin, Zoti bëhet një nga ne; i etur si ne, që vuan nga etja jonë. Duke e soditur këtë skenë, secili prej nesh mund të thotë: Zoti, Mësuesi, ‘ai që flet, po më kërkon një pikë ujë’. Ka etje, si unë! Etjen time!”.

Nuk mund të mos ndalohesh edhe ti pranë këtij pusi, ku sot ndalohet Zoti yt. E të mos i flasësh me zërin e shpirtit. Ti je vërtet afër meje, o Zot! Je i lidhur me varfërinë time... më more nga fundi, nga fundi i fundit të vetvetes, ku nuk mund të arrij askush” (P. Mazzolari, La Samaritana, Bologna 2022, 55-56):

“Etja e Jezusit nuk është vetëm fizike, ajo shpreh etjet më të thella të jetës sonë: e, sidomos, etjen tonë për dashuri. E kjo do të duket qartë në çastin kulmor të mundimeve, në kryq; atje, para se të vdesë, Jezusi do të shqiptojë fjalët: "Kam etje" (Gjn 19:28).

Po! Zoti, që kërkon të pijë, është po ai, që të jep të pish: duke takuar gruan samaritane, ai i flet asaj për ujin e gjallë të Shpirtit Shenjt. E nga kryqi, prej kraharorit të tij të përshkuar tej e ndanë nga heshta, rrjedh gjak e ujë. (krh. Gjn 19:34).

Jezusi, i etur për dashuri, na e shuan etjen për dashuri!

Jezusi, i etur për dashuri, na e shuan etjen për dashuri - nënvizoi më pas Papa - Vepron me ne, si me gruan samaritane: vjen të na takojë në jetën tonë të përditshme, na shuan etjen, na premton ujin e gjallë, që e bën të gurrojë brenda nesh jetën e pasosur (krh. Gjn 4,14).

Jepu të pinë edhe të tjerëve!

Më jep të pi! Është aspekti i dytë. Këto fjalë nuk janë vetëm kërkesë që i bën Jezusi gruas samaritane. Janë thirrje - ndonjëherë e heshtur - që lartohet drejt nesh çdo ditë dhe na kërkon të kujdesemi për etjen e të tjerëve.

“Më jep të pi na thonë ata të cilët - në familje, në punë, në vendet e tjera që frekuentojnë - janë të etur për afërsi, vëmendje, dëgjim; na thonë ata, që kanë etje për Fjalën e Zotit e kanë nevojë të gjejnë në Kishë një oazë, ku të mund të shuajnë etjen.

“Më jep të pi është thirrja e shoqërisë sonë, ku vrapi drejt konsumit dhe indiferenca lindin thatësi dhe zbrazëti të brendshme:

“E, - të mos harrojmë - më jep të pi është klithma e një mori vëllezërish dhe motrash, të cilëve u mungon uji për të jetuar, ndërsa ne vazhdojmë ta ndotim dhe ta shpërfytyrojmë shtëpinë tonë të përbashkët; e edhe ajo, e lodhur, e rraskapitur dhe e tharë, ‘ka etje’".

Ungjilli, ujë i gjallë, që freskon

Përballë këtyre sfidave, Ungjilli i sotëm i ofron secilit prej nesh ujin e gjallë që mund të na bëjë gurrë freskimi edhe për të tjerët.

“E pastaj, si gruaja samaritane, që e la shtamën e saj te pusi e shkoi t’i thërrasë banorët e fshatit (krh. v. 28), edhe ne nuk do të mendojmë më vetëm për të shuar etjen tonë por, me gëzimin se takuam Zotin, do të jemi në gjendje t’ua shuajmë etjen edhe të tjerëve; ta kuptojmë etjen e tyre dhe të ndajmë me ta dashurinë që na e dhuroi Zoti”.

Një breshëri pyetjesh….

Papa e përfundoi lutjen e sotme të Engjëllit me një breshëri pyetjesh, për t’u medituar në këtë javë të re kreshmore, që po na çon me shpejtësi drejt Pashkëve të ngjalljes. Sot, pra  - kujtoi - mund ta pyesim veten: a kam etje për Zotin? A e kuptoj se kam nevojë për dashurinë e tij, si për ujin, pa të cilin nuk mund të ketë jetë? E pastaj: a shqetësohem për etjen e të tjerëve?

Në përfundim, menjëherë pas këtyre pyetjeve jetike për çdo njeri, Papa, si zakonisht, i kërkoi Zojës së Bekuar ndihmë, për të ecur në këtë rrugë e për t’u ndaluar “pranë puseve”, që na ndihmojnë për të shuar etjen tonë e atë të të tjerëve:

“Zoja ndërmjetësoftë për ne dhe na ndihmoftë në  rrugën tonë”.

12 mars 2023, 12:35

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >