Papa në Marsejë: Mesdheu nuk duhet të jetë më varri i dinjitetit njerëzor
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku e përfundoi sot paradite 'Rencontres Méditerranéennes', në Marsejë, dhe përpara ipeshkvijve, politikanëve, të rinjve dhe presidentit francez Macron, u kujtoi "klithmën e" shumë emigrantëve: "ata që strehohen tek ne nuk duhet të shihen si një barrë për t'u mbajtur, por si dhuratë''. Papa kërkoi që fenomeni migrator të rregullohet me përgjegjësi evropiane: "jo propagandës alarmante, duhet një pritje e drejtë sipas mundësive", pastaj apeli kundër eutanazisë: "Nuk është një vdekje e ëmbël, por një vdekje e kripur".
Kështu, para Memorialit të marinarëve dhe emigrantëve të humbur në det në Marsejë, së bashku me krerët fetarë, Papa përmendi shumë vëllezër dhe motra "që janë mbytur nga frika e braktisja, së bashku me shpresat që mbanin në zemrat e tyre". Jemi në një udhëkryq, pohon Ati i Shenjtë: vëllazëri apo indiferencë, takim apo përballje. Ne nuk mund të heshtim e rrimë duarkryq, tha, "duke parë qeniet njerëzore të trajtohen si mallra shkëmbimi".
“Është një britmë dhimbjeje që oshtinë më shumë se çdo tjetër, që po e shndërron mare nostrum në mare mortuum, Mesdheun nga djepi i qytetërimit në varrin e dinjitetit. Është britma vëllezërve dhe motrave mërgimtarë”. Kështu Papa Françesku në fjalimin e tij në seancën e mbylljes së punimeve të Takimeve për Mesdheun (Rencontres Mediterraneennes).
"Pra, nga ku duhet të fillojmë për të vendosur paqen? Në brigjet e detit të Galilesë, Jezusi filloi duke u dhënë shpresë të varfërve, duke i shpallur ata të lum: ai dëgjoi nevojat e tyre, shëroi plagët e tyre dhe para së gjithash u shpalli atyre lajmin e mirë të Mbretërisë së Hyjit. Duhet të fillojmë sërish prej andej, nga klithma shpeshherë e heshtur e të fundmëve, jo nga të parët e klasës që edhe pse janë mirë, ngrenë zërin. Le të fillojmë përsëri, Kisha dhe komuniteti civil, nga dëgjimi i të varfërve, të cilët "përqafojnë njëri-tjetrin, nuk numërohen" (P. MAZZOLARI, Fjala për të varfërit, Bolonja 2016, 39), sepse ata janë fytyra, jo numra. Ndryshimi i kthesës që duhet të bëjnë komunitetet tona qëndron në trajtimin e tyre si vëllezër, historitë e të cilëve ne i dimë, jo si probleme të bezdisshme; qëndron në mirëpritjen e tyre, jo në fshehjen e tyre; në integrimin e tyre, jo në dëbimin e tyre; në dhënien e njohjen e dinjitetit të tyre.
Sot deti i bashkëjetesës njerëzore është i ndotur nga pasiguria, e cila dëmton edhe Marsejën e mrekullueshme. Dhe ku ka pasiguri ka edhe krim: ku ka varfëri materiale, arsimore, pune, kulturore dhe fetare, terreni i mafias dhe i trafikut të paligjshëm rrafshohet. Nuk mjafton vetëm impenjimi i institucioneve, duhet një zgjim i ndërgjegjejeve për t’i thënë “jo” paligjshmërisë dhe “po” solidaritetit, që nuk është një pikë në oqean, por elementi i domosdoshëm për të pastruar ujërat e tij.
Në fakt, e keqja e vërtetë shoqërore nuk është aq rritja e problemeve, por ulja e kujdesit. Kush vepron sot si i afërm me të rinjtë e lënë në duart e tyre, pre e lehtë e krimit dhe e prostitucionit? Kush është pranë njerëzve të robëruar nga një punë që duhet t'i bëjë më të lirë? Kush kujdeset për familjet e trembura, që kanë frikë nga e ardhmja dhe për të sjellë krijesa të reja në botë? Kush e dëgjon rënkimin e të moshuarve të vetmuar, të cilët në vend që të vlerësohen, janë të parkuar, me perspektivën e rreme dinjitoze të një vdekjeje të ëmbël, në të vërtetë më të kripur se ujërat e detit? Kush mendon për fëmijët e palindur, të refuzuar në emër të një të drejte të rreme për përparim, që në realitet është një regres në emër të nevojave të individit? Kush shikon me dhembshuri përtej bregut të vet për të dëgjuar britmat e dhimbjes që ngrihen nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme? Sa shumë njerëz jetojnë të zhytur në dhunë dhe vuajnë situata padrejtësie dhe persekutimi! Mendoj për shumë të krishterë, që shpesh janë të detyruar t’i lënë tokat e tyre ose të jetojnë atje pa u njohur të drejtat e tyre, pa gëzuar shtetësinë e plotë.
Ju lutem, le të angazhohemi që ata që janë pjesë e shoqërisë e të bëhen qytetarë të plotë. E pastaj vjen një klithmë dhimbjeje që oshëtin më së shumti dhe që po e shndërron mare nostrum në mare mortuum, Mesdheun nga djepi i qytetërimit në varrin e dinjitetit. Është klithma e frymës së zënë të vëllezërve dhe motrave emigrantë".