Kërko

Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot  (Vatican Media)

Françesku: drejt Krishtlindjes të bëjmë hapa konkrete për paqen

Pas lutjes së Engjëllit, Papa rikujtoi rëndësinë e atyre që punojnë me urti e durim për bashkëjetesën paqësore në konfliktet me rrënjë të thella historike dhe u lut për Ukrainën, Palestinën e Izraelin: të mbrohen civilët dhe të lirohen pengjet! Një mendim edhe për Kaukazin Jugor, përfundimet e COP28 në Dubai dhe viktimat e zjarrit në spitalin e Tivolit.

R. SH. Vatikan

“Po shkojmë drejt Krishtlindjes: a do të jemi në gjendje, me ndihmën e Zotit, të bëjmë hapa konkrete drejt paqes?”. Këtë ua kërkoi Papa Françesku besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Engjëllit. "Nuk është e lehtë, ne e dimë këtë" - kujtoi - sepse "disa konflikte kanë rrënjë të thella historike". Megjithatë, shpresa vjen nga dëshmia e atyre të cilët në konfliktet e shumta që po gjakosin botën, “punuan me urti dhe durim për bashkëjetesën paqësore.

“Ndiqni shembullin e tyre! Duhet bërë çdo përpjekje për t’i përballuar dhe për t’i zhdukur shkaqet e konflikteve”.

Mendime për Ukrainën, Palestinën dhe Izraelin

Në Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut që kremtohet sot, Françesku nuk harroi Ukrainën, Palestinën, Izraelin e martirizuar:

“Të mbrohen civilët, spitalet dhe vendet e kultit, të lirohen pengjet e të garantohet ndihma humanitare”.

Shpresë për paqen në Kaukaz

Mendimi i Papës shkoi më pas në shkëmbimin e të burgosurve ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, gjë që çoi në lirimin e një numri të konsiderueshëm të burgosurish - burimet e Bakusë flasin për 32 ushtarë armenë në këmbim të dy ushtarëve azerbajxhanë - në kontekstin e krizës që po prek Nagornin-Karabak:

“E shikoj me shpresë të madhe këtë shenjë pozitive për marrëdhëniet ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, për paqen në Kaukazin Jugor dhe i inkurajoj palët dhe liderët e tyre ta përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur Traktatin e Paqes”.  

Një lutje për COP28, që të arrijë "rezultate të mira"

“Pas pak ditësh”, kujtoi Papa, “puna e COP 28 për klimën, që vijon në Dubai, do të përfundojë”. Ndaj na kujton “të lutemi që të arrihen rezultate të mira për kujdesin e shtëpisë sonë të përbashkët dhe mbrojtjen e popullatës”.

Së fundi, Françesku siguron se lutet për tri viktimat e zjarrit që ra në spitalin e Shën Gjonit Ungjilltar, në Tivoli.

10 dhjetor 2023, 14:30