Kërko

Papa: Drita është Jezusi. Vetëm Ai shpengon, çliron, shëron dhe ndriçon

Dëshmia e guximshme e dhënë nga Gjon Pagëzuesi për Jezusin është në qendër të lutjes së Engjëllit të Tënzot të kësaj të diele. Papa Françesku thekson se në çdo epokë Zoti dërgon njerëz "plot dritë" që, duke ndjekur shembullin e profetit, na tregojnë se si mund të jemi edhe ne sot, "një llambë që ndriçon" për t’i ndihmuar të tjerët "të gjejnë rrugën për të takuar Jezusin"

R.SH. / Vatikan

Në këtë të dielë të tretë të kohës liturgjike të Ardhjes, liturgjia na paraqet figurën e Gjon Pagëzuesit si një profet i dërguar nga Zoti për të "dëshmuar dritën". Reflektimi i Papës sillet rreth këtij misioni dhe më pas shpjegon se çfarë "drite" na tregon Gjoni. Pra “Drita është Jezusi, Qengji i Zotit, ‘Zoti që shpëton’, siç thotë emri i tij. Vetëm Ai shpengon, çliron, shëron dhe ndriçon. Gjon Pagëzuesi është një ‘zë’ që i shoqëron vëllezërit tek Fjala e Zotit". E kujtoi Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, në praninë e besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në këtë të Diel të tretë të Kohës së Ardhjes, që na çon drejt Krishtlindjes.

Sipas traditës, Papa bekoi edhe shtatoret e Krishtit Fëmijë që, në mesnatën e madhe, do të vendosen mbi grazhdin akoma të zbrazët të Shpellave të Betlehemit. Ishin në duar të njoma, që ngriheshin lart, kah dritarja, prej nga zbriste bekimi i Papës.

Ungjilli i Dielës III të Kohës së Ardhjes na flet për misionin e Gjon Pagëzuesit (krh Gjn 1,6-8.19-28), të cilin e përshkruan si profet, të dërguar nga Hyji për të "dëshmuar dritën" (v. 8). Këto ishin edhe fjalët e para të lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot shiptuar nga Papa, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, gjatë së cilës e ftoi turmën e besimtarëve, e cila nuk mungon kurrë të dielave në Sheshin e Vatikanit, të reflektojë për dëshmitarët e dritës. E t’i japë përgjigje pyetjeve: “Si është dëshmia e Gjonit? Dhe “Çfarë farë drite na tregon?

Dëshmia

Papa u jep përgjigje këtyre pyetjeve, duke pikturuar portretin moral të Gjonit. Është padyshim një njeri i jashtëzakonshëm - kujton - Njerëzit dynden për ta dëgjuar, të tërhequr nga mënyra e tij, koherente dhe e sinqertë (shih v. 6-7). Dëshmia e tij kalon përmes sinqeritetit të gjuhës së tij, ndershmërisë së sjelljes së tij, ashpërsisë së jetës së tij. E gjithë kjo e bën atë të ndryshëm nga njerëzit e tjerë të famshëm dhe të fuqishëm të kohës, të cilët përkundrazi investonin shumë për pamjen e jashtme:

“Njerëz si ai, të drejtë, të lirë dhe të guximshëm, janë figura të shndritshme, magjepsëse: na nxisin të ngrihemi mbi mediokritetin dhe të jemi modele të një jete të mirë për të tjerët. Zoti dërgon burra dhe gra të këtij lloji në çdo epokë”.

Kush na magjeps më shumë?

Pas këtij përshkrimi, që të nxit të mendosh thellë, Papa i drejtoi turmës së besimtarëve që e ndiqte, si zakonisht me vëmendje, pyetjet: “A dimë t'i njohim? A përpiqemi të mësojmë nga dëshmia e tyre, duke vënë në dyshim edhe veten? Apo e lëmë veten të magjepsemi nga personazhet në modë?”.

E kush është drita?

Gjoni është i ndritshëm, përderisa dëshmon dritën - vijoi Françesku - Por cila është drita e tij? Vetëm ajo e ndershmërisë, e angazhimit të tij? Na përgjigjet ai vetë, kur u thotë qartësisht turmave, që vijnë për ta dëgjuar se ai nuk është drita, se ai nuk është Mesia (shih v. 19-20):

“Drita është Jezusi, Qengji i Zotit, ‘Zoti që shpëton’, siç thotë emri i tij. Vetëm Ai shpengon, çliron, shëron dhe ndriçon. Për këtë arsye Gjoni është një ‘zë’ që i shoqëron vëllezërit tek Fjala; ai shërben, pa kërkuar nderime dhe lavdi: është thjesht llambë, ndërsa drita është Krishti (shih v. 26-27; Gjn 5,35)”.

Dy mësimet e Gjon Pagëzuesit

Vëllezër dhe motra - vijoi Papa - shembulli i Gjon Pagëzuesit na mëson të paktën dy gjëra:

Së pari, se ne nuk mund ta shpëtojmë vetëm vetvten: vetëm në Zotin e gjejmë dritën e jetës. Së dyti, se secili prej nesh, me shërbimin, koherencën, përvujtërinë, me dëshminë e jetës - gjithmonë me hirin e Zotit - mund të jetë llambë që i ndriçon dhe i ndihmon të tjerët të gjejnë rrugën për ta takuar Jezusin”.

Krishtlindja na fton të jemi dëshmitarë të Krishti. Po si?

Ta pyesim, pra, veten - nënvizoi në përfundim, sipas zakonit, Papa - si mundem unë, në mjediset ku jetoj, jo një ditë të largët, por tash, në këtë Krishtlindje, të jem dëshmitar i dritës, dëshmitar i Krishtit? Si mund ta dëshmoj unë në takimet e shumta, në bisedat, në festimet e ditëve të ardhshme “dritën e vërtetë” (Gjn 1,9), pra Zotin Jezus, që shkëlqen në jetën time, në mënyrë që edhe të tjerët të mund ta njohin dhe të gëzohen me të?

Ta meditojmë, pra, çka na kërkon Papa, duke kërkuar edhe ndihmën e Marisë, me lutjen:

“Mari, pasqyrë e shenjtërisë, na ndihmo të jemi burra dhe gra që pasqyrojnë Jezusin, dritën që vjen në botë”.

17 dhjetor 2023, 12:33

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >