Kërko

Il Papa all'Angelus Il Papa all'Angelus

Papa: maturia dhe heshtja, thelb i jetës së krishterë

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa na kujton se për të jetuar mirë është e nevojshme të çlirohesh nga gjërat e tepërta, “të gërmosh thellë brenda vetes e të kuptosh çka është vërtet e rëndësishme para syve të Zotit.

R.SH: / Vatikan

Thjeshtësia, si stil jete dhe kthimi i zemrave kah Zoti, në qendër të fjalëve të Papës i cili, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin shën Pjetrit në Vatikan, duke u nisur nga liturgjia e kësaj së Diele të Dytë të Kohës së Ardhjes, kujtoi figurën dhe shembullin e Shën Gjon Pagëzuesit, që përgatit pikërisht udhën e ardhjes së Zotit. Në qendër të lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot të së Dielës II të Kohës së Ardhjes, figura e mirënjohur e Gjon Pagëzuesit, pararendësit të Krishtit (shih Mk 1:1-8), e zëri i tij kumbues që tund hapësirat, për të kumtuar ngjarjen më të madhe të jetuar ndonjëherë nga njerëzimi: “Ardhjen e Krishtit”.

Ungjilli i Markut e përshkruan si "zëri i atij që bërtet në shkretëtirë" (v. 3). Shkretëtira, vend i zbrazët ku nuk ka komunikim, dhe zëri, mjet për të folur, duken si dy figura kontradiktore, por tek Pagëzuesi bashkohen. Të reflektojmë shkurtimisht për to.

Me këtë ftesë e nisi sot Papa lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, në praninë e një turme besimtarësh që dendësohet gjithnjë e më shumë, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ndërsa afrohet festa e madhe e Lindjes së Krishtit, për të cilin tashmë në zemër të Sheshit të Vatikanit janë gati Shpella e Grazhdi, që na kujtojnë Shpellën e Shën Françeskut në Greçio. E, përmbi Shpellën, Bredhi vezullues!

Një zë, që tund shkretëtirën

Shkretëtira. Gjoni predikon atje, pranë lumit Jordan, afër pikës ku populli i tij, shumë shekuj më parë, kishte hyrë në tokën e premtuar (shih Jos 3:1-17). Duke vepruar kështu, duket sikur do të thotë: për të dëgjuar Zotin, duhet të kthehemi në vendin ku për dyzet vjet e shoqëroi, e mbrojti dhe e edukoi popullin e tij, në shkretëtirë. Është vendi i heshtjes dhe i themelores, ku  nuk mund të lejohet stërhollimi në gjëra të kota, por vetëm përqendrimi mbi çka është themelore për jetën:

“Ja një thirrje gjithnjë e pranishme: për të vazhduar rrugën e jetës është e nevojshme të zhveshesh ‘sa më shumë’, sepse të jetosh mirë nuk do të thotë të mbushesh me gjëra të kota, por të çlirohesh nga gjërat e panevojshme e të gërmosh thellë brenda vetes, për të kuptuar atë që është vërtet e rëndësishme përpara syve të Zotit”.

Fjala e Zotit na çliron nga fjalët e kota

Vetëm nëse, nëpërmjet heshtjes dhe lutjes, i lëmë vend Jezusit i cili është Fjala e Atit, do të jemi në gjendje të çlirohemi nga ndotja e fjalëve dhe thashethemeve të kota - vijoi Papa - për të kujtuar sakaq një poet të shekullit të njëzetë, Clemente Rebora, që shkroi një varg me vlerë për kthimin në fenë e Krishtit:

"Fjala e Zotit më bëri të hesht e t’i harroj fjalët e kota!" (Curriculum vitae). Heshtja dhe maturia - në fjalë, në përdorimin e sendeve, në mediat dhe rrjetet sociale nuk janë thjesht ‘urti’ a virtyte, por elemente themelore të jetës së krishterë”.

Figura e dytë: zëri

Pas heshtjes, figura e dytë: zëri. Është mjeti me të cilin shprehim çka mendojmë e çka kemi në zemrat tona. Më pas kuptojmë se zëri është shumë i lidhur me heshtjen, sepse shpreh atë që fiton pjekurinë brenda nesh, ndërsa dëgjojmë çka na këshillon Shpirti Shenjt - kujtoi Papa - për të theksuar, në vijim:

“Nëse nuk dini të heshtni, është e vështirë të keni diçka të mirë për të thënë; ndërsa, sa më e vëmendshme të jetë heshtja, aq më e fortë do të jetë fjala”.

Gjon Pagëzuesi na fton të pendohemi

Nuk është rastësi që Gjon Pagëzuesi e fillon misionin e tij pasi ka jetuar "në vise të shkreta deri në ditën e dukjes në Izrael" (Lk 1:80)- vijoi Papa: “Fuqia profetike e zërit të tij është e lidhur me vërtetësinë e përvojës dhe qartësinë e zemrës:

“Ai është njeri i pendesës, që na fton për pendesë, është dëshmitar, fjalët e të cilit dalin nga shpirti. Për këtë arsye zëri i tij nuk kalon pa u dëgjuar, por është i aftë të ndikojë mbi jetën e të tjerëve dhe të bëjë shumë mirë. Kështu mund të jetë edhe për ne e për fjalët tona”.

Ta pyesim veten…

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, një enumeracion këshillash papnore: “A mund ta pyesim veten: çfarë vendi ka heshtja në ditët e mia? A është heshtje boshe, ndoshta ndrydhëse, apo hapësirë ​​dëgjimi, lutjeje, ku njeriu mund të ruajë zemrën? A është jeta ime e përkorë, apo e mbushur me gjëra të tepërta? A e vlerësojmë heshtjen, maturinë e dëgjimin, edhe nëse kjo do të thotë të shkosh kundër rrymës?”.

E, në pëfundim, si zakonisht, lutja drejtuar Nënës së Krishtit:

“Na ndihmoftë Maria, Virgjëra e heshtjes, ta duam shkretëtirën e të bëhemi zëra të besueshëm, të cilët lajmërojnë Birin e saj, që vjen”.

10 dhjetor 2023, 12:31

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >