Kërko

Papa: si Maria, të mahnitemi gjithnjë nga dhuratat e Zotit

Në Engjëllin e Tënzot të Solemnitetit të Zojës së Papërlyer, Françesku theksoi dy sjelljet që e ndihmuan Marinë ta ruante zemrën të lirë nga mëkati: janë mahnitja nga veprat e Zotit dhe besnikëria në gjërat e thjeshta! E, para së gjithash, habia e emrit me të cilin iu drejtua Engjëlli: “Hirplote”

R.SH. / Vatikan

Sot Papa e nisi  lutjen  e Engjëllit të Tënzot të solemnitetit të Zojës së Papërlyer duke u uruar besimtarëve të panumërt, mbledhur nga të katër anët e botës në Sheshin e Shën Pjetrit, Solemnitetin që i paraprin Krishtlindjes. “Për shumë vjet”- ishin fjalët e para të Françeskut, që kaloi sakaq në përshkrimin e skenës ungjillore të Lajmërimit (shih Luka 1:26-38). Tregon dy qëndrime të Marisë - vijoi - të cilët na ndihmojnë të kuptojmë se si ajo e ruajti dhuratën e pashoqe që mori, atë të një zemre krejtësisht të lirë nga mëkati. Po cilat janë këto dy qëndrime? - pasoi pyetja retorike e Papës, shoqëruar nga përgjigjja: “Mahnitja nga veprat e Perëndisë dhe besnikëria në gjërat e thjeshta”.

Mahnitja

 Engjëlli i Zotit thotë Marisë: "Gëzohu, Hirplote: Zoti është me ty" (v. 28). E Shën Luka ungjilltar vëren se Virgjëra "ishte shumë e shqetësuar. Ndaj pyeti veten se çfarë kuptimi kishte një përshëndetje si kjo" (v. 29).

Mbetet e habitur, e prekur, e shqetësuar: çuditet kur dëgjon se po thirret   "hirplote", domethënë e mbushur me dashurinë e Zotit - vijoi Papa -  “Sjellje e rëndësishme, kjo: të dish të mahnitesh nga dhuratat e Zotit, duke i vlerësuar, të gëzohesh nga besimi dhe dashuria që sjellin me vete. E ka shumë rëndësi edhe ta dëshmosh këtë mahnitje përpara të tjerëve, duke folur përvujtërisht për dhuratat e Zotit, për të mirat që more dhe jo vetëm për problemet e përditshme. Mund të pyesim veten: po unë, a di të mahnitem nga veprat e Zotit? A mahnitem ndonjë herë? A e ndaj mahnitjen time me dikënd tjetër?”.

Besnikëria në në gjërat e thjeshta

Qëndrimi i dytë - kujtoi Papa - është besnikëria në gjërat e thjeshta: “Ungjilli, para Shpalljes, nuk thotë asgjë për Marinë. Na e paraqet si vajzë të thjeshtë, në dukje si shumë të tjera në fshatin e saj, Nazaret, që nuk përmendet më parë në Bibël. Grua e re e cila, falë thjeshtësisë së saj e   mbajti të pastër atë Zemër të Papërlyer, me të cilën zu në kraharor vetë Zotin. E kjo është tejet e rëndësishme, sepse për të mirëpritur dhuratat e mëdha të Perëndisë është themelore të dimë sesi t'i çmojmë ato më të përditshmet, që bien më pak në sy”.

Përgjigje Zotit, me gjithë jetën

Maria - vijoi të kujtonte Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot - e kultivoi dhuratën e pamasë të zënies së saj të papërlyer me atë thjeshtësi, me të cilën mirëpriste rastet e zakonshme, të përditshme, për lartimin e saj shpirtëror: Fjalën e Hyjit, që e dëgjonte në sinagogë dhe që ajo e dinte mirë, siç vërehet nga disa fraza që i shqipton ndër Ungjij; fenë, me të cilën e kishin edukuar prindërit; bujarinë dhe shpejtësinë tipike të sjelljeve të saj. Ishte besnikëria e përditshme e Zojës ndaj së mirës, që e lejoi dhuratën e Zotit të rritej në të:

“Kështu ajo u mësua t’i përgjigjej Zotit, t'i gjegjej "po" me gjithë jetën e saj”.

Pyetje, që kërkojnë përgjigje

Në përfundim, ftesa drejtuar besimtarëve për ta pyetur veten: a besoj se ajo që është më e rëndësishmja, në situatat e përditshme si dhe në shtegtimin shpirtëror, është besnikëria ndaj Zotit? E, nëse e besoj, a gjej kohë për të lexuar Ungjillin, për t'u lutur, për të marrë pjesë në Eukaristi, për të kërkuar faljen sakramendore e për të bërë ndonjë gjest konkret shërbimi falas? Zgjedhje të vogla, këto, por vendimtare për të mirëpritur praninë e Zotit, që vjen. Këtë theksoi në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa, duke kërkuar, si zakonisht, ndihmën e Marisë:

“Na ndihmoftë Zoja e Papërlyer të mahnitemi nga dhuratat e Zotit dhe t'u përgjigjemi me bujari besnike, çdo ditë”.

08 dhjetor 2023, 13:07

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >