Papa, këtë Krishtlindje le të kujdesemi për të tjerët
R.SH. / Vatikan
E Diela e katërt dhe e fundit e Kohës së Ardhjes. Prag i Krishtlinjdes. Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan është plot me besimtarë ardhur nga të katër anët e botës për ta jetuar të Kremten e Madhe në zemrën e krishterimit. Sonte, kremtimi i Meshës së Natës Shenjte të Lindjes së Krishti, në bazilikën e Vatikanit, që do të transmetohet nga ora 19.30
Papa duket në dritaren e pallatit apostolike për lutjen e Engjëllit të Zotit i pritur nga një breshëri duartrokitjesh të shtegtarëve të pranishëm, dhe e nisi menjëherë komentin e Ungjillit të kësaj diele të fundit të kohës së Adrhjes. Ungjilli i Lukës - komenton - na paraqet skenën e Lajmërimit të Zojës (shih Luka 1:26-38). Engjëlli i Zotit, për t'i shpjeguar Marisë se si do ta zërë Jezusin, i thotë: "Shpirti Shenjt do të zbresë mbi ty dhe fuqia e Tejetlartit do të të mbulojë me hijen e Tij" (v. 35). E, më pas, ndalet pikërisht tek kjo pamje.
Veprimi i Zotit, dashuri e butë, që përqafon
Në një vend si ai i Marisë - kujtoi në vijim të lutjes së Engjëllit të Zotit Papa - me diell të përhershëm, një re që kalon, një pemë që i reziston thatësirës dhe ofron strehë, një çadër mikpritëse sjellin lehtësim dhe mbrojtje. Hija është një dhuratë që të përtërin e engjëlli përshkruan pikërisht sesi zbret Shpirti Shenjt mbi Marinë, mënyrën si vepron Zoti: ai vepron si një dashuri e butë që përqafon, fekondon dhe ruan, pa ushtruar dhunë e pa e plagosur lirinë.
Hija flet për mirësinë e Zotit
Hija që mbron është figurë e përsëritur në Bibël. Të mendojmë për renë, që shoqëron popullin e Zotit në shkretëtirë (shih Ek 13,21-22), ose për bimën, që me degët e saj mbron Jonën profet nga dielli (shih Zanafilla 4,6-11), a edhe hijen e të Gjithëpushtetshmit, që mbron besnikët e tij, për të cilët flasin Psalmet (shih Ps 91:1). Hija flet me pak fjalë për mirësinë e Zotit, sikur t’i thoshte, Marisë, por edhe neve sot:
“Jam këtu për ty dhe e ofroj veten si strehë dhe mbrojtje për ty, eja nën hijen time. Rri me mua ".
Kështu sillet dashuria e frytshme e Zotit. Dhe është diçka që, në një farë mënyre, mund ta përjetojmë edhe ndërmjet nesh, për shembull kur mes miqsh, të dashurve, bashkëshortëve, prindërve dhe fëmijëve veprojmë me delikatesë e respekt duke u kujdesur mirësisht për të tjerët.
Të veprojmë, ashtu si do Zoti
Hyji do kështu - theksoi Papa në vijim të lutjes së Engjëllit të Zotit në këtë Natë të Madhe të Krishtlindjes, kur mbarë bota e krishterë, si barinjtë e Betelhemit, përgatitet ta presë pa gjumë, ardhjen e Krishti mes nesh! Ndaj na nxit edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë: t’i mirëpresim, t’i mbrojmë dhe t’i respektojmë të tjerët. Në këto ditë do të mblidhemi nëpër kisha, në shtëpi e në rrugë, do të gjejmë të afërm e miq që ndoshta nuk i kemi parë prej kohësh, ndoshta do të dëgjojmë për dikë që, përkundrazi, i kalon pushimet vetëm:
“Janë të gjitha mundësi të mira për t'u kujdesur me delikatesë e maturi: të dëgjojmë, të shoqërojmë, të vizitojmë, duke u bërë gjithashtu ‘hija e të Tejetlartit’ për të tjerët”.
Ta pyesim veten…
Në përfundim të lutjes, si zakonisht, ftesa e Papës për ta pyetur veten sot, në pritje të Natës së Madhe, në prag të Krishtlindjes: a dua të mbështillem nga hija e Shpirtit, nga ëmbëlsia dhe butësia e Zotit, duke i bërë vend atij në zemrën time, duke iu afruar ndjesës së tij, Eukaristisë? E pastaj: për cilët njerëz të vetmuar dhe nevojtarë do të mund të isha hije që përtërin, miqësi që ngushëllon?
E, si zakonisht në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa i drejtoi lutjen Marisë, në këtë Natë të Madhe, kur presim Mesinë, këndojmë Himnin e Krishtlindjdes: “Lumni i qoftë Zotit në qiell e paqe njerëve vullnetmirë mbi tokë” e lutemi së bashku me Papën:
“Na ndihmoftë Maria të jemi zemërhapur dhe mikpritës për praninë e Zotit, i cili vjen të na shpëtojë butësisht”.