Kërko

Populli i Nikaraguas në demonstratë Populli i Nikaraguas në demonstratë 

Françesku: në Nikaragua burgosen ipeshkvij e priftërinj; të kërkohet dialog

Thirrje e Papës, në përfundim të Engjëllit të parë të vitit 2024, për vendin e Amerikës Qendrore ku deri tani janë vënë në pranga 14 meshtarë e ku, që nga shkurti i vitit 2022, ipeshkvi i Matagalpa-s, Álvarez, mbahet në burg, pa gjyq. Papa shpreh afërsinë me Kishën vendase dhe i fton besimtarët të luten me ngulm: “Uroj që, për t’i kapërcyer vështirësitë, të kërkohet gjithnjë rruga e dialogut”.

R. SH. - Vatikan

Dhimbje dhe shqetësim në fjalët e Papës për situatën në Nikaragua, "ku ipeshkvijve dhe priftërinjve u mohohet liria". Në Engjëllin e Tënzot të 1 janarit 2024, Françesku kujton vendin e Amerikës Qendrore ku, në vitin 2018, pas episodeve të dhunës kundër kishave dhe meshtarëve, si dhe dëbimeve në vitin 2022 të nuncit dhe rreth 220 rregulltarëve, vijon prej muash vala e re e arrestimeve dhe e kufizimeve të manifestimeve fetare.

Pikërisht priftërinjve dhe ipeshkvijve të rrëmbyer, familjeve të tyre dhe "gjithë Kishës së vendit", Papa u siguron "afërsinë në lutje":

“I ftoj të gjithë të pranishmit këtu dhe të gjithë popullin e Zotit për lutje këmbëngulëse, ndërsa shpresoj se gjithmonë do të kërkojmë rrugën e dialogut për t’i kapërcyer vështirësitë. Të lutemi për Nikaraguan sot!”.

Arrestime të reja

Vetëm në ditët e fundit u rrëmbyen të paktën 14 priftërinj  - i fundmi, mbrëmë, pas kremtimit të Meshës së fundvitit - dy seminaristë dhe ipeshkvi i Siunas, Imzot Isidoro del Carmen Mora Ortega. Prelati u arrestua pasi u lut për Imzot Rolando José Álvarez Lagos, ipeshkvin e Matagalpas, administrator apostolik i dioqezës së Estelí, i dënuar me 26 vjet burgim pa gjyq, në burg që nga shkurti i vitit të kaluar.

Papa lutet për ipeshkvin Alvarez të dënuar në Nikaragua

Pikërisht për Imzotin Álvarez u lut dhe kërkoi lutje Papa në Engjëllin e 12 shkurtit 2022: Françesku shprehu "shqetësimin" për prelatin të cilin, pohoi “e dua shumë" dhe gjithashtu për të gjithë njerëzit "e dëbuar në Shtetet e Bashkuara". “Lutem për ta dhe për të gjithë venezualanët që vuajnë në atë komb të dashur” - kujtoi Papa - duke kërkuar, në vijim, ndërmjetësimin e Virgjërës Mari për t’ua “hapur zemrat liderëve politikë dhe të gjithë qytetarëve, që të kërkojnë sinqerisht paqen, e cila vjen nga e vërteta, nga drejtësia, liria dhe dashuria dhe arrihet përmes ushtrimit të durueshëm të dialogut”.

Padija e OKB-së

Papa Françesku foli për vështirësitë në Nikaragua dhe në veçanti, për gjendjen e ipeshkvit të Matagalpës, edhe në një intervistë për gazetën argjentinase Infobae, me rastin e dhjetëvjetorit të papnisë së tij, duke denoncuar mungesën e ekuilibrit të atyre që drejtojnë vendin. “Kemi një ipeshkëv të burgosur. Njeri shumë serioz, shumë i aftë. Ai donte të jepte dëshminë e tij, prandaj nuk e pranoi internimin” -  kujtoi përsëri Papa.

01 janar 2024, 13:48