Kërko

Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot  (Vatican Media)

Papa: lirimi i pakushtëzuar i pengjeve në Kolumbi është detyrë

Në thirrjet pas lutjes së Engjëllit, Papa kërkoi lirimin e pengjeve në Kolumbi dhe u lut për paqen në Ukrainë, në Tokën Shenjte dhe në mbarë botën. Theksoi edhe afërsinë me popullsinë e Republikës së Kongos, të prekur nga përmbytjet. U bëri urimet më të mira edhe të krishterëve lindorë, që e festojnë sot Krishtlindjen.

R. SH. - Vatikan

Një lutje "për lirimin pa kushte të të gjithë njerëzve të rrëmbyer aktualisht në Kolumbi". Papa e kërkoi nga dritarja e Pallatit Apostolik, në përfundim të Lutjes së Engjëllit:

“Ky gjest, që është detyrë para Zotit, do të nxisë edhe një atmosferë pajtimi e paqeje në vend”.

Françesku ngre edhe një herë zërin në thirrjen për paqe, duke menduar për "Ukrainën, Izraelin, Palestinën dhe gjithë botën".

Më pas shpreh afërsinë e tij me Republikën Demokratike të Kongos për përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendura, të cilat javën e kaluar shkaktuan të paktën 300 vdekje dhe shembjen e 43,750 shtëpive, sipas të dhënave zyrtare. Ndjehet një alarm i lartë në vend, pasojë e rreziqeve epidemike të lidhura me mungesën e kanalizimeve dhe ujit të pastër.

 Françesku u shprehu urimet më të mira edhe bashkësive kishtare të Lindjes, që ndjekin kalendarin Julian dhe sot "festojnë Krishtlindjen e Shenjtë në frymën e vëllazërisë së gëzueshme":

“Shpresoj që lindja e Zotit Jezus të na mbushë me dritë, dashuri dhe paqe”.

Ndërsa i ka ende para sysh të porsalindurit e pagëzuar këtë mëngjes në Kapelën Sistine, ipeshkvi i Romës lutet "për të gjithë fëmijët që marrin Pagëzimin e shenjtë në këto ditë".

07 janar 2024, 13:12