Françesku, meshtarëve të Romës: jemi në një tokë misioni
R.SH. / Vatikan
"Tokë misioni". Kështu e quajti Françesku Dioqezën e Romës në takimin konfidencial sipas traditës me klerin romak, zhvilluar sot paradite, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Papa mbërriti pak pas orës nëntë dhe u prit nga kardinali mëkëmbës, Angelo De Donatis.
Rifillojnë vizitat në famulli
Përmbi 800 të pranishmëve, duke përfshirë priftërinj dioqezanë dhe rregulltarë, si dhe diakonë të përhershëm në shërbimin baritor, Ipeshkvi i Romës u bëri thirrje për ungjillizimin e të gjithë bashkësisë kishtare. Më pas njoftoi se do të rifillojë vizitat në famullitë e dioqezës, pas ndalesës së imponuar nga pandemia.
Dialog i hapur
Takimi, i cili zgjati rreth tri orë, sipas një njoftimi për shtyp nga Dioqeza e Romës, u zhvillua "me një dialog të hapur dhe familjar, në një atmosferë përzemërsie".
Lutjen e mesditës e pasoi përshëndetja e kardinalit dhe më pas, dialogu ndërmjet priftërinjve dhe Françeskut, i cili i ftoi të pyesnin lirisht, me sinqeritet. Ishin rreth tridhjetë prej tyre.
Dëshmia
Françesku foli për nevojën e ungjillëzimit në rrethana pagane, duke nënvizuar rëndësinë e dëshmisë.
Bekohen njerëzit, jo mëkati
Më pas ai iu përgjigj pyetjeve në lidhje me bekimin e çifteve homoseksuale, duke thënë se nuk e ndryshon doktrinën mbi sakramentin e martesës së një burri me një grua. Ne i bekojmë njerëzit, jo mëkatin – kujtoi. E, i pyetur nga një prift afrikan, u përgjigj se kultura e Afrikës nuk i pranon këto bekime, sepse ka ndjeshmëri të ndryshme e edhe se kjo u sqarua me kardinalin Ambongo.
Më pas ai deklaroi se shumë nuk i lexojnë mirë tekstet e kishës: nevojitet dëgjim i mirë, nënvizoi ai, duke kujtuar se konfliktet duhet të zgjidhen, jo të fshihen.
Fal, gjithmonë!
Pastaj Papa ftoi për të falur gjithmonë: unë fal gjithmonë, duhet të kemi gjithmonë mëshirë, tha ai.
Predikime të shkurtra
Diakonëve u kërkoi të jenë në mesin e njerëzve, në shërbim të atyre që kanë nevojë. Së fundi, kujtoi se predikimet duhet të jenë të shkurtra, rreth 7/8 minuta, të drejtpërdrejta, me frymën e Fjalës së Zotit.