Papa pret në audiencë nuncin apostolik në Shqipëri, imzot Bonazzi
R.SH. – Vatikan
Sot, Papa Françesku priti në audiencë nuncin apostolik në Shqipëri, imzot Luigi Bonazzi. Siç njofton Salla e Shtypit të Selisë së Shenjtë, Papa u ndal me të në bisedë, menjëherë pas takimeve me prefektin e Dikasterit për Ipeshkvijtë, kardinalin Robert Francis Prevost, si edhe me prefektin e Dikasterit për Doktrinën e Fesë, kardinalin Victor Manuel Fernandez, autor i deklaratës 'Fiducia supplicans' për bekimin e çifteve të parregullta dhe të çifteve homoseksuale, që ka shkaktuar kritika të shumta.
Ati i Shenjtë priti në audiencë po sot edhe kreun e Kalorësve të Kolombos, Patrick E. Kelly, bashkë me kryeipeshkvin e Baltimorës në SHBA, imzot William Edward Lori.
Së fundi, takimet e tjera të sotme të Papës ishin me grupe: me anëtarët e Këshillit Drejtues dhe të Komitetit Shkencor të Fondacionit “Kujtime Audiovizive të Katolicizmit”; me pjesëmarrësit në takimin e promovuar nga “Toniolo Young Professional Association”; me Komitetin Katolik për Bashkëpunim Kulturor me Kishat Ortodokse dhe Kishat Ortodokse Lindore; me pjesëmarrësit në Simpoziumin “Université des communicants en Église” (Universiteti i Komunikatorëve në Kishë).