Kërko

Papa: Zoti dëshiron të na përfshijë në veprën e tij të shëlbimit, na do aktivë me Të

Në qendër të reflektimit në lutjes së Engjëllit të Zotit e kësaj të dieleje, thirrja e dishepujve të parë (Mk 1,14-20) për të marrë pjesë në mision. Gjë që na kujton se secili prej nesh ka marrë thirrjen për të ungjillëzuar dhe për ta bërë këtë në jetën tonë të përditshme, me aftësitë, miqtë, punën, moshën që kemi e lagjen ku banojmë.

R.SH. / Vatikan

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës kushtuar Fjalës së Zotit, kremtuar sot në mesditë në Sheshin e Pjetrit në Vatikan, në prani të shumë besimtarëve, Papa komentoi fillimin e predikimit të Jezusit sipas Ungjillit të Shën Markut.

Ungjilli i sotëm - kujtoi Papa si pushuan duartrokitjet e popullit të Zotit mbledhur në Shesh - rrëfen thirrjen e dishepujve të parë (shih Mk. 1,14-20): 

Thirrja e të tjerëve për t'u bashkuar me misionin e tij, është një nga gjërat e para që bën Jezusi në fillim të jetës së vet publike: u afrohet disa peshkatarëve të rinj dhe i fton ta ndjekin e "të bëhen peshkatarë njerëzish" (v. 17). Gjë që na kujton diçka të rëndësishme: Zoti dëshiron të na përfshijë në veprën e tij të shëlbimit, na do aktivë me Të, të përgjegjshëm e protagonistë”.

Nuk do të kishte nevojë, por e bën këtë, pavarësisht nga fakti se kjo do të thotë të marrë përsipër një mori nga kufizimet tona. Të shohim, për shembull, sa durim kishte ai me dishepujt e tij: ata shpesh nuk ia merrnin vesh fjalët (shih Luka 9,51-56), nga një herë nuk shkonin mirë me njëri-tjetrin (shih Marku 10,41), për shumë kohë nuk ishin në gjendje t’i mirëprisnin aspektet themelore të predikimit të tij, si shërbimi, për shembull (shih Luka 22:27):

Megjithatë Jezusi i zgjodhi dhe vazhdoi t’u besonte. Pse? E pse na thërret edhe ne për ta kumtuar? Në fund të fundit, sepse dëshiron që të jemi të lum!”.

Zoti dëshiron t’i shëlbojë të gjithë

T’u çonte  shëlbimin e Zotit të gjithëve, për Jezusin ishte lumturia më e madhe, misioni e tij, ushqimi i tij (shih Gjn 4:34), kuptimi i pranisë së tij mes nesh (shih Gjoni 6:38), përgjigja e dashurisë, që i jepte dashurisë së Atit (shih Gjn 15:9-11). Ndaj kur jemi me Të, na ndodh çudia:

Në çdo fjalë a veprim me të cilin bashkohemi me Të, në aventurën e bukur të dhurimit të dashurisë, drita dhe gëzimi shumohen (shih Is 9:2): e jo vetëm rreth nesh, por edhe brenda nesh. E kështu bëhemi plotësisht ashtu siç deshi të na krijojë Zoti: njerëz me zemër të hapur, pozitivë dhe bujarë, të urtë dhe të qetë, të etur për të dashur, siç do Zoti dhe për t'u çuar të gjithëve shpresë dhe shpëtim”.

Shpallja e Ungjillit nuk është humbje kohe

Prandaj, shpallja e Ungjillit nuk është humbje kohe: është të jesh më i lumtur, duke ndihmuar të tjerët të jenë të lumtur;  të çlirosh veten nga vetja, duke i ndihmuar të tjerët të jenë të lirë; të bëhesh më i mirë, duke i ndihmuar të tjerët të bëhen më të mirë:

Vëllezër, motra, secili prej nesh ka marrë thirrjen për të ungjillëzuar dhe për ta bërë këtë në jetën tonë të përditshme, me aftësitë, miqtë, punën, moshën, që kemi e lagjen ku banojmë”.

Ta pyesim veten!

Në përfundim të lutjes së Engjëllit, pyetjet e Papës që gurrojnë nga faqja e sotme ungjillore:  a ndalohem herë pas here për të kujtuar gëzimin që shpërtheu në mua dhe rreth meje kur pranova thirrjen për ta njohur dhe për ta dëshmuar Jezusin? Kur lutem, a e falënderoj Zotin që më thirri për t'i bërë të tjerët të lumtur? Së fundi: a dua ta bëj ndokënd të shijojë, përmes dëshmisë dhe gëzimit tim, sa gjë e bukur është të duash Jezusin? Pyetje, këto, që presin gjegje gjatë gjithë javës, në pritje të së dielës së ardhshme, kur Papa do të na dhurojë shujtë të re për shpirtin. Me ndihmën e Zojës së Bekuar, të cilën si zakonisht Papa Françesku na e kujton gjithnjë në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit:

Virgjëra Mari na ndihmoftë të shijojmë gëzimin e Ungjillit”.

21 janar 2024, 12:38

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >