Papa Françesku anulon audiencat e paradites, për shkak të gripit të lehtë
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku anuloi veprimtaritë e tij të së hënës, për shkak se ende vuan nga gripi i lehtë. Njoftimin e jep Salla e Shtypit e Vatikanit.
“Simptomat e lehta të gjendjes gripale vazhdojnë, pa temperaturë”, shkruhet në deklaratë, ku shtohet se audiencat e paradites u anuluan thjesht, si masë paraprake. Papa 87-vjeçar, i cili nuk i mbajti edhe takimet e parashikuara për të shtunën, gjithnjë për të njëjtën arsye, ka pasur disa probleme shëndetësore muajt e fundit. Për shembull, u detyrua të anulojë udhëtimin e planifikuar për Dubai, në dhjetor, në Takimin botëror për klimën COP28, për shkak të një infeksioni në mushkëri.
Ndërkaq, dje, kremtoi rregullisht Engjëllin e Tënzot të së dielës, me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Gjatë tij, bëri sërish thirrje për zgjidhjen diplomatike të luftës në Ukrainë, që do të çonte në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.