Kërko

Papa: prania e Zotit të mirëpritet me durimin e fesë, "këtu dhe tani"

Përtacia është vesi për të cilin Papa na fton të reflektojmë në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur si zakonisht, në Sallën Pali VI. "Tundim shumë i rrezikshëm", i cili arrin deri aty, sa të shtyn “të dëshirosh vdekjen" ndaj duhet t’i kundërvëmë "durimin e fesë". "Përtacia është betejë vendimtare, që duhet fituar me çdo kusht"

R.SH. / Vatikan

Përtacia është “tundim shumë i rrezikshëm". Kushdo që bie viktimë e saj "është si të jetë pushtuar nga dëshira e vdekjes: i neveritet gjithçka; marrëdhënia me Zotin i bëhet e mërzitshme; e deri veprat më të shenjta, ato që në të kaluarën ia kishin ngrohur zemrën, i duken krejtësisht të padobishme. Njeriu fillon të dëshpërohet për kohën që kalon e për rininë, që shkon e nuk kthehet kurrë më”. Këtë kujtoi Papa Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Sallë[n Pali VI, kushtuar vesit të përtacisë së njeriut, që ecën nëpër jetë pa lënë pas asnjë gjurmë.

Jezusi “erdhi tek dishepujt dhe i gjeti në gjumë. E i tha Pjetrit: ''Pra, nuk mundët të rrini zgjuar me mua  as një orë? Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim. Shpirti është gati, por mishi, i ligësht". E ky është edhe fragmenti i shkëputur nga Ungjilli i Shën Mateut Ungjilltar, që i parapriu reflektimit të Papës Françesku në audiencën e përgjithshme të kësaj dite të parë të Kreshmëve, kushtuar vesit të përtacisë,  term që shpesh zëvendësohet me një tjetër: dembelizmin!

Përtacia, tundim tepër i rrezikshëm

Fjala “përtaci” vjen nga greqishtja e do të thotë "mungesë kujdesi" - shpjegoi Papa - dhe është shkaku i dembelizmit që e bën njeriun "të rrijë duarkryq, i ngrirë, apatik". E në vijim kujtoi:

“Është  tundim shumë i rrezikshëm. Kushdo që bie viktimë e tij, është si të ishte mekur nga dëshira për vdekje: ndjen neveri për gjithçka; marrëdhënia me Zotin e mërzit, madje edhe veprat më të shenjta, ato që ia kishin ngrohur dikur zemrën, tani i duken krejtësisht të kota”.

Humbja e kuptimit

Për të sqaruar më tej domethënien e përtacisë, Papa Françesku kujton një shkrim të murgut Evagrius, i cili përshkruan si më poshtë sjelljen e përtacit: “...Kur lexon, përtacit shpesh i hapet goja dhe e nis e kotet, fërkon duart, fërkon sytë e, duke i shkëputur nga libri, shikon murin; pastaj, duke i kthyer rishtas nga libri, lexon edhe pak (...); edhe pak… e, në fund, duke varur kokën mbi kraharor, e lëshon librin dhe e zë një gjumë i lehtë..." . Është një përshkrim në të cilin - pohon Papa - mund të shikosh diçka që i ngjet depresionit:

Për ata, që pushtohen nga përtacia, jeta humb kuptimin, lutja bëhet e mërzitshme, çdo betejë duket e pakuptimtë. Nëse edhe në rininë tonë patëm ushqyer pasionet, tani na duken të palogjikshme, ëndrra që nuk na bënë të lumtur. Pra, e humbasim veten  e shpërqendrimi,  hutimi, ngurrosja nisin e na duken e vetmja rrugëdalje”.

Një nga ilaçet është "durimi i fesë"

Por cilat janë ilaçet që mund ta shërojnë vesin e përtacisë? Duke kujtuar mjeshtrit e përshpirtërisë, Papa tregon më të efektshmin, të cilin e quan "durimi i fesë".

“Ndonëse i fshikulluar nga përtacia, njeriu dëshiron të jetë ‘diku tjetër’, të arratiset nga realiteti, ndërsa duhet të kemi guximin të qëndrojmë dhe ta mirëpresim ‘këtu dhe tani’, në situatën tonë, kështu siç është, praninë e Zotit”.

Rezistoni dhe ngulmoni në fe, duke u mbështetur te Jezusi

Përtacia dëshiron të shkatërrojë gëzimin e thjeshtë të së tashmes që dikush e përjeton dhe të besojë se "asgjë nuk ka kuptim, se nuk ia vlen të kujdesesh për asgjë e as për askënd" - shpjegoi Papa. E kështu, për shkak të përtacisë, shumë e braktisin "rrugën e së mirës” që e kishin nisë. Kështu pra,  përtascia është tundim serioz, që e provuan edhe shenjtorët dhe që duhet mposhtur:

“Këta shenjtorë na mësojnë ta përshkojmë natën me durim, duke pranuar varfërinë e fesë. Na këshillojnë  që, nën shtypjen e përtacisë, të mbartet një masë më e vogël përkushtimi, të  caktohen synime më të arritshme, në të njëjtën kohë, të rezistohet, të ngulmohet, duke u mbështetur te Jezusi, i cili nuk na braktis kurrë në tundim”.

14 shkurt 2024, 11:42

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >