Zjarri në Valencia, ngushëllimet e Papës: pranë familjeve të viktimave
R. SH. - Vatikan
Dhimbje dhe afërsi me familjet e viktimave dhe me të plagosurit e të zhdukurit. Këto, ndjenjat e shprehura nga Papa Françesku në një telegram ngushëllimi për të prekurit dje, e enjte, 22 shkurt, nga zjarri që shkatërroi pothuajse plotësisht kompleksin e banimi 14-katësh në lagjen Campanar të Valencias, Spanjë. Telegrami, i nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, i drejtohet Kryeipeshkvit të Valencias, Enrique Benavent Vidal.
Në Valencia, zjarri shkatërron një kompleks banimi
Në mesazh, Papa siguron se e ndjek “me kujdes” lajmin e zjarrit të tmerrshëm që shkaktoi një fatkeqësi të përmasave të mëdha e, sidomos, disa humbje njerëzore Ndërkohë që bëhen përpjekje të kuptohet çfarë e shkaktoi zjarrin, deri tani numrohen katër të vdekur, të pikasur mbrëmë nga dronët e Brigadës Zjarrfikëse, ndërsa të paktën 15 vetë janë të zhdukur a të lënduar.
Lutje Pajtores Nuestra Señora de desamparados
Papa, lexojmë në telegram, "ia beson shpirtrat e të vdekurve Mëshirës Hyjnore" dhe "siguron afërsinë e tij shpirtërore me popullin valencias e me të gjitha familjet e të prekurve", për të cilët "i lutet Zotit t'i japë forcë në këtë çast dhimbjeje”. Françesku lutet edhe për ata, që tani janë të angazhuar "në shuarjen e flakëve dhe në punë kërkimore". Së fundi, Papa i lutet "për ndërmjetësim Nuestra Señora de desamparados", Virgjërës të të braktisurve, Pajtores së Valencias dhe Shën Jozefit; pastaj u jep të gjithëve “bekimin ngushëllues” apostolik, si shenjë “shprese në Krishtin e ngjallur”.
Dinamika e zjarrit
Zjarri në pallat shpërtheu dje, rreth orës 17:30, nga kati i tetë. Flakët u përhapën me shumë shpejtësi në të gjithë ndërtesën, duke u shtrirë edhe në godinën ngjitur. Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë, duke punuar pa u lodhur për t’i shuar. Pasi hyrja në strukturë qe e pakapërcyeshme për orë të tëra, për shkak të rrezikut të shembjeve të mundshme, struktura e kullës me 14 kate u bë e sigurt; më pas në ndërtesë hynë Policia e Mjekësisë Ligjore dhe Brigada e Zjarrfikësve. Kështu bëri të ditur në një deklaratë për gazetarët këshilltarja rajonale për drejtësi, Elisa Nunez, duke kujtuar edhe mobilizimin e “katër ekipeve të mjekëve ligjorë dhe të katër deri në tetë ekipeve për kryerjen e testeve autopsike” dhe përshpejtimin e identifikimit të viktimave.