Kërko

Il Papa takohet me nënat dhe me foshnjet e tyre, 2024.02.14 Il Papa takohet me nënat dhe me foshnjet e tyre, 2024.02.14  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa: mbetet ende shumë për t’u bërë që të njihet dinjiteti i barabartë i grave

Papa Françesku, pas lutjes së Engjëllit, u shprehu të gjitha grave mendimin që ka për to si dhe afërsinë, dy ditë pas kremtimit të Ditës Ndërkombëtare që u kushtohet. U bëri thirrje edhe institucioneve shoqërore e politike të veprojnë për të siguruar që çdo grua të ketë kushtet më të mira për ta mirëpritur foshnjën. Që jeta të vazhdojë…

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku kujdeset për gratë, të drejtat dhe vlerësimin e tyre brenda Kishës e shoqërisë. Ai ka bërë shumë ndërhyrje me këtë temë, ndërsa sot, në përfundim të Lutjes së Engjëllit, në Sheshin e Shën Pjetrit, shfrytëzoi rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, festuar dy ditë më parë, e premte 8 mars, për t'iu rikthyer kësaj teme:

“Dua t’u drejtoj një mendim dhe t‘u shpreh afërsinë time të gjitha grave, veçanërisht atyre, të cilave nuk u vlerësohet dinjiteti. Ka ende shumë punë, që secili prej nesh duhet ta bëjë, për t’u njohur konkretisht dinjiteti i barabartë i gruas”.

Papa kërkon të veprohet konkretisht, në mënyrë që gratë të respektohen e, në veçanti, të inkurajohet amësia e tyre. Ndaj pohoi:

“Institucionet, shoqërore dhe politike kanë detyrë themelore ta mbrojnë dhe ta promovojnë dinjitetin e çdo njeriu, duke u ofruar të gjitha grave, mbartëse të jetës, kushtet e nevojshme për të mirëpritur dhuratën e jetës dhe për të garantuar që fëmija të jetojë një jetë të denjë”.

Gratë e bëjnë botën më të bukur

Në një postim në X, më 8 marsin e kaluar, Papa Françesku u shpreh kështu për gratë:

“Gratë e bëjnë botën më të bukur, e mbrojnë dhe e mbajnë gjallë. Ata sjellin hirin e përtëritjes, përqafimin e përfshirjes dhe guximin për të dhuruar vetveten. Paqja, pra, lind nga gratë, lind dhe rindizet nga butësia e nënave”.

10 mars 2024, 14:36