Kërko

Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, thirrja e Papës për Lindjen e Mesme dhe Ukrainën  Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, thirrja e Papës për Lindjen e Mesme dhe Ukrainën  

Françesku, Lindjes së Mesme: mos u dorëzoni para logjikës së pretendimit për luftë

Papa, në përshëndetjet pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, bëri përsëri thirrje për t'i dhënë fund dhunës ndërmjet Izraelit dhe Palestinës dhe për të ndjekur dialogun e diplomacinë. Ftesë për të mos harruar "Ukrainën e martirizuar, që vuan aq shumë nga lufta". Papa kujtoi edhe ditën e sotme botërore të lutjes për thirrjet meshtarake dhe Matteo Pettinarin, misionarin që vdiq pak ditë më parë në Bregun e Fildishtë.

R. SH. - Vatikan

Palestina, Izraeli, Ukraina - edhe një herë në fjalët e lutjet e Papës, me rastin e përshëndetjeve pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore nga dritarja e Pallatit Apostolik, në këtë të dielë, nën rrezet e diellit pranveror. Shqetësimi dhe dhimbja e Atit Shenjt janë të pamasë, ashtu si e fuqishme edhe thirrja për të ndjekur udhën e diplomacisë në Lindjen e Mesme dhe për të mos iu dorëzuar "logjikës së pretendimeve”:

“Vazhdoj të ndjek me shqetësim dhe dhimbje situatën në Lindjen e Mesme. Përsëris thirrjen për të mos iu dorëzuar logjikës së pretendimit për luftë, por për të hapur  rrugët e dialogut dhe të diplomacisë, të cilat mund të bëjnë shumë. Lutem çdo ditë për paqen në Palestinë e në Izrael dhe shpresoj se së shpejti për ata dy popuj do të marrin fund vuajtjet”.

Mos e harroni Ukrainën!

Ftesë urgjente është edhe të mos harrohet kurrë një tokë tjetër e munduar nga konflikti, Ukraina "e cila vijon të vuajë kaq shumë".

Më pas Françesku kujtoi Atë Matteo Pettinarin e Urdhrit të Misionarëve të Zojës Ngushëlluese, misionar në Bregun e Fildishtë për 13 vjet, që vdiq më 18 prillin e kaluar në një aksident me makinë. Papa e kujtoi "si misionar i palodhur, që la pas një dëshmi të madhe shërbimi bujar”.

Të mbjellim shpresë e të ndërtojmë paqe

Në fillim të lutjes, Françesku përshëndeti meshtarët e rinj të dioqezës së Romës, të shuguruar dje, e shtunë, 20 prill, në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe më pas kujtoi kremtimin e sotëm të Ditës Botërore të Lutjes për Thirrjet Meshtarake me temë “Të thirrur për të mbjellë shpresën dhe për të ndërtuar paqen”. Mundësi e bukur, sipas fjalëve të Papës, "për të rizbuluar Kishën si bashkësi e karakterizuar nga një polifoni karizmash dhe thirrjesh në shërbim të Ungjillit".

21 prill 2024, 13:18